22 Tetor 2021

Kosova e përkushtuar për të ndjekur një tranzicion të energjisë së pastër

Shkup, 25 shtator - Një model të ri i qëndrueshëm ekonomik që i çon vendet e Ballkanit Perëndimor drejt përparimit social dhe ekologjik, përmirëson mirëqenien e njerëzve dhe siguron drejtësi sociale dhe ekonomike, u vlerësua si i domosdoshëm nga Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në Forumin socio-ekologjik në Shkup.

Krahas Kryeministrit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, z. Zoran Zaev, Kryeministri Kurti, mori pjesë në panelin diskutues "Marrëveshja e Gjelbër Evropiane dhe Agjenda e Gjelbër për Ballkanin Perëndimor", në forumin e organizuar nga Friedrich Ebert Stiftung, Olof Palme International Center dhe Progres Institute for Social Democracy.

Ekonomia qarkore, një nga blloqet kryesore të Agjendës së Gjelbër për Ballkanin Perëndimor, u theksua nga kryeministri Kurti si një mjet që mund të na çojë drejt rritjes së qëndrueshme ekonomike, të na ndihmojë me dekarbonizimin, të optimizojë më tej energjinë dhe sistemet e transportit dhe të krijojë vende të reja pune.

Ai bëri të ditur veprimet e ndërmarra nga qeveria për të zhvilluar një model ekonomik qarkor në mënyrë që të zvogëlohen emetimet e gazrave, të ruhet biodiversiteti jonë, të ndërtohet një sistem ushqimor i qëndrueshëm dhe të adresohen problemet strukturore të rrënjosura thellë në agrokulturë.

"Kosova e gjeneron energjinë e saj kryesisht nga thëngjilli, me sasi shumë të kufizuara që vijnë nga hidrocentralet dhe era. Hidroenergjia nuk është dëshmuar të jetë miqësore me mjedisin në Kosovë dhe tani për fat të keq ne mbështetemi në qymyr. Kalimi nga qymyri në gaz, pavarësisht se ka një ndikim më të vogël në emetime, është kalim nga një lëndë djegëse fosile në tjetrën. Një që e kemi për një tjetër që nuk e kemi. Në atë rast, do të na duhej ta bënim tranzicionin dy herë," tha kryeministri Kurti.

Ai ritheksoi përkushtimin e plotë të Qeverisë për të ndjekur një tranzicion të energjisë së pastër dhe për të investuar në atë të ripërtëritshme, si energjia e erës dhe diellit, duke përmendur nevojën për më shumë kohë dhe veçanërisht mbështetje financiare, në mënyrë që ky proces të mos ndërpresë rritjen ekonomike e cila i nxjerr njerëzit tonë nga varfëria.

"Forumi socio-ekologjik Shkupi 2021" është forumi i parë i nivelit të lartë në Ballkanin Perëndimor, që bashkon udhëheqësit progresistë, vendimmarrësit politik rajonal, grupet e mendimit, OJQ-të, udhëheqësit e të rinjve dhe gazetarët për të diskutuar rrugën drejt një Ballkani neutral ndaj karbonit dhe një të  ardhme të gjelbër për të gjithë.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 22 Tetor 2021

- Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur, Viktimat e Dhunës Seksuale të Luftës dhe Peticione takohet me shoqaten e Familjeve të Heronjve dhe Dëshmorëve të Kombit për zgjidhjen e statusit të veprimtarëve invalidëve të plagosur para luftës çlirimtare në Kosovë. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N10, ora 10:00)

- Shoqata për Teknologji të Informacionit dhe Komunikimit të Kosovës - STIKK organizon edicionin e 10-të të festivalit të teknologjisë “KosICT”. (Ambientet e “ITP Park” në Prizren, ora 10:00)

- Instituti Demokratik i Kosovës organizon konferencën “Ndikimi i dialogut me Serbinë në politikën e jashtme të Kosovës”. (Hotel Emerald, ora 10:30)

-  Komisioni Ad hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për anëtar të Bordit të RTK-së shqyrton listën e kandidatëve të propozuar për anëtarë të Bordit të RTK-së. (Ndërtesa e Kuvendit, salla C203, ora 11:00)

- Ministria e Mbrojtjës organizon ceremoninë e betimit të rekrutëve të rijnë. (Kazerma e FSK-së “Skënderbeu” në Ferizaj, ora 11:00)

- Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit miraton listën e ngushtë të kandidatëve për Drejtor të Agjencisë Kundër Korrupsionit. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N204, ora 14:00)

- Nën patronatin e Presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani- Sadriu, organizohet premiera e filmit "Zgjoi". (Cineplexx -Albi Mall, ora 18:00)

- Mbahet edicioni i trtë i festivalit Lahuta, Okarina Polifionia. (Ambientet e Qendrës për zhvillimin e kultures tradicionale në Prishtinë, Rruga Xheladin Hana nr. 98, ora 18:30)