10 Korrik 2020

Kosova do të kursente para me mbylljen e hershme të Kosova A

Prishtinë, 25 mars - Sot Zyra ndërlidhëse e Komisionit Evropian prezantoi rezultatet e raportit për mbylljen e termocentralit të vjetër Kosova A. Konkluzionet e studimit vërtetojnë se kostoja për mbylljen e hershme të Kosovës A është patjetër më e ulët sesa funksionimi i tij deri në vitin 2017. Mbyllja e hershme do të kushtonte €28.4 ndërsa funksionimi i termocentralit deri në vitin 2017 do të kërkonte mbi €1.1 milard. 


Termocentrali Kosova A është burim i ndotjes së konsiderueshme dhe me rrezik për shëndetin në Kosovë në përgjithësi dhe për komunat e afërta në veçanti. Vetëm në Obiliq 30% e popullsisë vuan nga sëmundjet kronike të frymëmarrjes. Termocentrali lëshon mbi 100.000 tonë të pluhurit në vit dhe në bazë të disa studimeve kjo sasi është deri 180 herë më e lartë se sa që duhet të jetë kur merren parasysh limitet e BE-së.


Në verën e vitit 2009, Kryeministri Thaçi deklaroi se do ta përshpejtonte datën e mbylljes së termocentralit Kosova A deri më 2015, si pjesë e një çasjeje të integruar në sektorin e energjisë. Për ta arritur këtë, Qeveria ka kërkuar nga Komisioni Evropian që ta bënte një studim për të vlerësuar koston e mbylljes së termocentralit Kosova A, si dhe të propozonte mënyrën më të mirë për të shkuar përpara me qëllim të zvogëlimit të pasojave sociale (ripunësimit) dhe të ndërprerjes së mundshme të furnizimit të Kosovës me energji. 


Raporti i cili u prezantua sot vërteton se kostoja e mbylljes është shumë më e ulët se sa kostoja për ta mbajtur funksional termocentralin prej 2010 deri më 2017. Mbyllja e cila do të fillonte në vitin 2010 ka një kosto prej €28.4 milionë. Kjo shumë mund të shpërndahet mbi 10 vite dhe të ndahet në detyra, disa prej të cilave mund të tërheqin përkrahjen e donatorëve.

 

Përveç kësaj, 330 njerëz nga personeli i termocentralit mund të angazhohen gjatë tërë procesit të çmontimit dhe mbylljes, duke zbutur kështu disa prej pasojave sociale nga mbyllja e hershme.
Raporti po ashtu mori parasysh se Kosova do të kishte nevojë të importonte rrymë për të plotësuar nevojat prej mbylljes së Kosovës A deri në hapjen e termocentralit Kosova e Re. Konkluzionet tregojnë se një strategji e përgatitur mirë e importimit do t’ia mundësonte Kosovës që të blinte rrymë me çmime nën shumën që po shpenzohet tani për blerje urgjente (për të kompensuar mungesat dhe po ashtu defektet dhe rëniet për shkak të natyrës së paqëndrueshme të Kosovës A). 


Raporti po ashtu ka shqyrtuar opsionin tjetër – koston e përgjithshme që nevojitet për ta vazhduar punën e termocentralit midis 2010-2017. Duke marrë parasysh ndikimin në ambient, shëndet, importimin e mundshëm të rrymës dhe koston operacionale, kjo vlerësohet në mbi €1.1 miliard.
Informatat shtesë dhe një përmbledhje e shkurtër e konkluzioneve janë bashkëngjitur në këtë komunikatë shtypi. 


Termocentrali Kosova A do të duhet të mbyllet. Duke e nënshkruar Traktatin i Komunitetit të Energjisë Kosova është zotuar të zbatojë standardet e BE-së për ambientin. Po ashtu ajo është zotuar që ta mbyll termocentralin e vjetër Kosova A më së voni deri në vitin 2017, pasi që njësitë e mbetura të Kosovës A kurrë nuk do të ishin në gjendje të plotësonin standardet e BE-së lidhur me ndotjen.
Konkluzionet e studimit të realizuar nga Komisioni Evropian mbështesin vendimin e Qeverisë të vitit të kaluar për ta filluar më herët mbylljen. Fillimi i menjëhershëm (në 2010), me synimin për ta mbyllur njësinë e fundit më 2015 do të ishte më i lirë se sa funksionimi i termocentralit në periudhën 2010-2017. 


Me qëllim të uljes së pasojave sociale nga mbyllja e hershme, është hartuar një strategji e veçantë me një plan për rizhvillimin e shkathtësive të fuqisë punëtore të Kosovës A dhe mundësi për ripunësim. 


Përgatitja e studimit për mbylljen është vazhdimësi e përkrahjes së mëhershme të BE-së për të arritur standardet e BE-së për ambientin, duke përfshirë kushtet lidhur me ndotjen nga termocentralet me djegie të lartë.

Përmbledhje e shkurtër e konkluzioneve dhe e rekomandimeve të raportit:

- Njësitë e termocentralit Kosova A janë amortizuar plotësisht dhe do të nevojiteshin investime të mëdha (ekonomikisht fare e parealizueshme) për t’i afruar ato me standardet e kërkuara për ambient.

 

- Zgjidhja më e volitshme ekonomike është mbyllja sistematike e një termocentrali të vjetër dhe të  mirëmbajtur dobët me prodhim të reduktuar deri më 2015 dhe me aktivizimin sa më të hershëm të njësive të reja prodhuese dhe riaftësimin e që të dyja njësive të Kosovës B.

 

-  Kostoja e përgjithshme që nevojitet për çmontimin dhe mbylljen e termocentralit Kosova A për ta arritur nivelin e fushës ngjyrë kafeje të dekontaminimit (për shfrytëzim industrial) vlerësohet të jetë rreth €28.4 milionë.
- Mbi 330 njerëz nga personeli i termocentralit mund të angazhohen gjatë tërë procesit të çmontimit dhe mbylljes (rreth 30 inxhinierë, mbi 100 punëtorë të kualifikuar dhe mbi 200 punëtorë të pakualifikuar).
- Vlerësohet se nevojiten rreth 10 vite duke filluar nga 2010 për mbylljen dhe çmontimin e termocentralit.


- Procesi i planifikimit për mbylljen dhe çmontimin e termocentralit Kosova A duhet të fillojë më së voni nga mesi i vitit 2010 duke marrë parasysh gjithnjë procesin e mbylljes pa i rrezikuar ato njësi që do të jenë në funksion deri në fund të vitit 2015. 


- Kostoja që nevojitet për ta vazhduar punën termocentrali në periudhën 2010-2017, duke marrë parasysh ndikimin në ambient, shëndet, importin e mundshëm të rrymës dhe koston operacionale mund të jetë mbi €1.1 miliard.


- Duhet të hartohet Plani për menaxhimin e kërkesës për të përcaktuar dhe realizur të gjitha masat e mundshme për kursimin e energjisë për ta kufizuar shtimin e pakontrolluar të kërkesës për energji.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 10 Korrik 2020

- Drejtoria e Turizmit dhe Zhvillimit Ekonomik do të bëjë hapjen e Qendrës Artizanale në Prizren, ku do të mbahen pesë kurse të ndryshme si: Djegie ne Dru, Reliev në letër, Rrobaqepje, Punim të Shajakut si dhe Dizajnimi i Veshjeve Moderne. (ish objektin e Megasportit në qendër të Prizrenit, ora 11:00)

- Ministri i Ekonomisë dhe Ambientit, Blerim Kuçi do të vizitojë Komunën e Gjakovës ku do të takohet me Kryetarin e Komunës së Gjakovës Ardian Gjini. (Komuna e Gjakovës, ora 11:00)

- Vazhdimi i seancës plenare të Kuvendit të Republikës së Kosovës. (Salla e Kuvendit, ora 11:00)

- Ministri i Ekonomisë dhe Ambientit, Blerim Kuçi dhe Kryetari i Komunës së Gjakovës Ardian Gjini vizitojnë Ndërmarrjen publike ‘’KRU Gjakova’’. (Gjakovë, ora 11:30)

- Ministri i Ekonomisë dhe Ambientit, Blerim Kuçi dhe Kryetari i Komunës së Gjakovës Ardian Gjini vizitojnë Impiantin e Trajtimit të Ujërave të Ndotura projekt që është duke u realizuar në Komunën e Gjakovës. (Gjakovë, ora 11:50)

- Ministri i Ekonomisë dhe Ambientit, Blerim Kuçi dhe Kryetari i Komunës së Gjakovës Ardian Gjini vizitojnë ndërmarrjen publike Ngrohtorja e Qytetit – ndërtimi i Ngrohtores së re të qytetit Impianti I koogjenerimit me biomasë, projekt që është duke u realizuar në Komunën e Gjakovës. (Gjakovë, ora 12:20)

- Mbahet seanca plenare e Kuvendit të Republikës së Kosovës në të cilën raporton Kryeministri lidhur me menaxhimin e pandemisë COVID-19. (Salla e Kuvendit, ora 16:00)