23 Janar 2020

Kosova dhe Shqipëria themelojnë Bllokun Rregullues të Sistemeve Energjetike

Prishtinë, 2 dhjetor - Pas një pune shumë intensive dhe një bashkëpunimi efikas ndërmjet Operatorit të Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të energjisë elektrike të Kosovës (KOSTT) dhe Operatorit të Sistemit të Transmetimit të Shqipërisë OST, në Tiranë u nënshkrua Marrëveshja e themelimit të Bllokut Rregullues të Sistemeve Energjetike Kosovë-Shqipëri (Blloku AK).

Operimi si Bllok Rregullues i përbërë prej dy zonave rregulluese KOSTT dhe OST, ka për qëllim operimin më të lehtë të dy sistemeve elektroenergjetike si nga aspekti teknik ashtu dhe ai ekonomik. Kjo do të mundësojë operimin dhe balancimin më të lehtë të të dy sistemeve, zvogëlimin e kostove dhe shkëmbimin e rezervave të sistemeve.

Marrëveshja në fjalë është nënshkruar, në dijeni të ENTSO-E, me pëlqimin e dy rregullatorëve nacionalë të energjisë ZRrE (Kosovë) dhe ERE (Shqipëri). Kjo marrëveshje është parakusht për operimin e pavarur të KOSTT-it dhe parashihet të hyjë në fuqi në prill 2020, pas nënshkrimit dhe fillimit të implementimit të Marrëveshjes së re të Kyçjes në mes të KOSTT dhe ENTSO-E.

Marrëveshja është po ashtu në përputhje me kërkesat e reja të Kodit të Rrjetit të ENTSO-E që ka për qëllim promovimin e bashkëpunimit të OST-ve (Operatorët e Sistemit të Transmetimit) në funksion të operimit të sigurt të Sistemeve Energjetike si dhe minimizimit të kostove të operimit.

Me këtë, fillon bashkëpunimi i parë konkret i shkëmbimit të rezervave në kuadër të dy tregjeve energjetike Kosovë-Shqipëri me synimin e mëtejmë për jetësimin e Bursës së përbashkët të energjisë (APEX) në kuadër të së cilës do të mundësohet që edhe palët e tjera tregtare të bëhen pjesë e bursës që do të themelohet së shpejti.

Me rastin e nënshkrimit të marrëveshjes, Kryeshefi Ekzekutiv i KOSTT z.Ilir M. Shala theksoi se kjo është marrëveshje historike për Kosovën dhe KOSTT-in, meqë deri më tani ne si KOSTT kemi qenë brenda Zonës Rregulluese serbe (EMS), gjegjësisht brenda bllokut rregullues SMM (Serbi, Mali i Zi dhe Maqedoni e Veriut) dhe tani me nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje me OST (Shqipëri) dhe fillimin e implementimit të saj në prill të vitit 2020, definitivisht shkëputemi nga ombrella e Zonës Rregulluese serbe EMS dhe bëhemi pjesë e Bllokut Rregullues me OST Shqipëri, ku me implementimin e kësaj marrëveshje rritet dhe garantohet siguria e operimit dhe balancimit të Sistemit Elektroenergjetik të Kosovës, sipas standardeve të kërkuara nga ENTSO-E.

z.Skerdi Drenova, Administratori i përgjithshëm i OST theksoi se krijimi i Bllokut të Kontrollit “OST-KOSTT” garanton sigurinë e operimit për të dy Sistemet Elektroenergjetike dhe krijon kushte të favorshme për shfrytëzimin optimal të burimeve gjeneruese brenda Bllokut.”

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 23 janar 2020 - Mbahet mbledhja e parë e rregullt e Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi në komunën e Rahovecit për vitin 2020. (Salla e Kuvendit Komunal në Rahovec, ora 10:00)

- Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e PDK-së, Eliza Hoxha dhe asambleisiti i komunës së Prishtinës, Leutrim Retkoceri, do të mbajnë konferencë për media lidhur me situaten rreth liqenit të Badovcit. (Zyret e Degës së PDK-së, afër stadiumit dhe ambasadës kroate, ora 11:00)

- Koordinatori Nacional për Kulturë, Rini dhe Sport, Rexhep Hoti, do të bëjë shpërndarjen e librave për nxënësit fitues të nivelit komunal të garës nacionale në Dituri dhe Kreativitet Kulturor e Mendim Kritik në komunën e Prizrenit. (Shtëpia e Kulturës, ora 11:00)

- Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa pret në takim të dërguarin e posaçëm të ShBA-ve për dialogun Kosovë-Serbi, Ambasadorin Richard Grenell. (Mediet mund të marrin pamje në fillim të takimit, ora 11:30)

- Instituti i Kosovës për Drejtësi në bashkëpunim me Ambasadën Amerikane organizon sesionin e diskutimit me Ndihmës Asistentin e Sekretarit të Departamentit të Shtetit, Jorgan K. Andrews, Byroja Ndërkombëtare e Narkotikëve dhe Çështjeve të Zbatimit të Ligjit. (Hotel Swiss Diamond, ora 11:30)

- Promovohet partneriteti në mes të Kolegjit Iliria dhe Swiss UMEF University. (Kolegji Iliria, ora 12:00) 

-  Zëvendës-ndihmës sekretari i ShBA-ve Jorgen Andrews do të marrë pjesë në ceremoninë e dhurimit te donacionit në Qendrën e Paraburgimit në Prishtinë, ku Byroja për Çështje ndërkombëtare të narkotikëve dhe zbatimit të ligjit pajisje me vlerë rreth 100,000.00 dollarë. (Shërbimi Korrektues in Kosovës, Qendrën e Paraburgimit në Prishtinë, ora 14:00)

- Universiteti i Gjakovës "Fehmi Agani" organizon ceremoninë e diplomimit të studentëve. (Pallati i Kulturës "Asim Vokshi" në Gjakovë, ora 14:00)

- Koordinatori Nacional për Kulturë, Rini dhe Sport, Rexhep Hoti, do të bëjë shpërndarjen e librave për nxënësit fitues të nivelit komunal të garës nacionale në Dituri dhe Kreativitet Kulturor e Mendim Kritik në komunën e Suharekës. (Shkolla e Mesme Profesionale "Abdyl Rama" në Shirokë, ora 14:30)

- Bëhet lansimi i platformës digjitale për pjesëmarrje të publikut, projekt ky i cili është realizuar në Komunën e Prizrenit, me financim të OSBE-së dhe e implementuar nga ana e kompanisë Appdec. (Shtëpia e Bardhë, ora 15:00)

- Instituti Demokratik i Kosovës organizon konferencën për media në të cilën do të publikohet “Indeksi i perceptimit të korrupsionit 2019” për Kosovën i përgatitur nga Transparency International. (Zyrat e KDI-së, ora 18:00) 

- Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, do të zhvillojë darkë pune me të Dërguarin e Posaçëm të Presidentit Trump për dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë, ambasadorin Richard Grenell. (Restoranti “Renaissance” në Prishtinë, ora 19:30)