16 Prill 2024

KOSID: Model i privatizimit të KEDS jashtë standardeve të BE

Prishtinë, 5 korrik - Konsorciumi i Kosovar i Shoqërisë Civile për Zhvillim të Qëndrueshëm (KOSID) shpreh keqardhjen e tij për papërgjegjshmërinë e Ministrit Beqaj të treguar në interpelancën e sotme në Kuvendin e Kosovës në lidhje me shitjen e distribucionit të energjisë në Kosovë (KEDS).

\"Edhe përkundër shpresës së madhe që Ministri Beqaj të informoj publikun e gjerë mbi arsyeshmërinë e vendimit mbi shitjen e distribucionit të energjisë, KOSID vlerëson që paraqitja dhe “arsyetimet” e tij në seancën e sotme nuk plotësuan as kërkesat bazike për një raportim transparent dhe të përgjegjshëm para parlamentit të vendit dhe rrjedhimisht qytetarëve të Kosovës\", thuhet në reagimin e këtij konsorciumi.

KOSID, prandaj, shpreh shqetësimin e tij se raportimi parlamentar i Ministrit Beqaj në seancën e sotme nuk shpjegoi dhe nuk bëri transparent asnjërën nga çështjet e mëposhtme:

a) Modeli Monopolistik i Tregut: Ministri Beqaj nuk sqaroj para parlamentit dhe qytetarëve të Kosovës se pse po krijohet një monopol privat në fushën e distribucionit dhe furnizimit të energjisë, sipas vendimit aktual për privatizimin e KEDS.

Për më tepër, Ministri nuk dha as edhe një sqarim të vetëm në lidhje me kundërshtinë absolute të këtij modeli të privatizimit të KEDS me standardet e Bashkimit Evropian.

KOSID shpreh edhe njëherë shqetësimin se ky model i privatizimit të KEDS nuk përputhet me standardet e Bashkimit Evropian mbi derregullimin dhe liberalizimin e tregut të energjisë, parimet e BE-së në lidhje me konkurrencën dhe lirinë e konsumatorit që të zgjedh furnizuesin në tregun e energjisë.

b) Çmimi i Shitjes së KEDS: në interpelancën e sotme, Ministri Beqaj nuk dha asnjë sqarim se mbi bazën e cilës formulë ekonomike mund që shitja e KEDS me një çmim tejet të lirë të jetë e favorshme për Kosovën, industrinë e energjisë, dhe zhvillimin e tregut të energjisë në Kosovë.

Poashtu, para parlamentit nuk u sqarua se pse model tjera të mbajtjes së kontrollit publik mbi kompanitë me interes nacional nuk janë shqyrtuar në rastin e KEDS-së.

c) Mungesa e Transparencës dhe Termat e Referencës: Ministri Beqaj gjithashtu dështoj që të bëj transparent para parlamentit dhe qytetarëve se cilat janë kushtet dhe termat e referencës nën të cilat po shitet KEDS-i, pse i garantohet pozitë favorizuese në tregun e energjisë kompanisë fituese, si dhe çfarë të drejta pronësore po fiton fituesi i tenderit të blerjes së KEDS?

Kjo mbyllje e plotë ndaj termave të shitjes, dhe mungesa e arsyetimit mbi këto terma, veçse e fuqizojnë argumentin tonë që shitja e KEDS-së po bëhet pa asnjë analizë cilësore paraprake dhe në kushte të mbylljes totale ndaj publikut, edhe në kundërshtim me detyrimin për transparencë sipas standardeve më themelore të ligjit në fuqi.

d) Efekti i privatizimit të distribucionit: Ministri Beqaj “harroj” tu shpjegoj deputetëve të Kuvendit dhe qytetarëve të Kosovës që modeli i privatizimit të KEDS do të rris çmimin e energjisë edhe më shumë, duke e rënduar kështu edhe më shumë jetën sociale të qytetarëve të Kosovës.

e) Auditimi nga Ombudspersoni i IFC: Ministri Beqaj i iku faktit që projekti aktual i privatizimit të energjisë po auditohet edhe nga ana e Ombudspersonit të Korporatës Ndërkombëtare Financiare (IFC), që përbën një fakt shumë të fuqishëm se në këtë proces ka dyshime të bazuara se Qeveria e Kosovës dhe këshilltarët e transaksionit të IFC kanë shkelur standardet më të mira të kodifikuara në rregullat e brendshme të IFC me rastin e privatizimit të aseteve shtetërore energjetike.

Ngutja për të nënshkruar kontratën me blerësit potencial të rrjetit të energjisë, po bëhet me qëllim që ky proces të përmbyllet para vendimit përfundimtar inspektues nga Ombudspersoni i IFC.

Prandaj, KOSID kërkon nga Qeveria e Kosovës, përkatësisht Ministri Beqaj, që të rrisin transparencën dhe përgjegjësinë e tyre sa i përket procesit të privatizimit të KEDS, dhe e thërret Qeverinë që të sqaroj para qytetarëve të Kosovës se:

a) pse është i domosdoshëm privatizimi i KEDS dhe pse shitja e KEDS po bëhet me një çmim fatalisht të ulët;

b) pse procesi i privatizimit te KEDS po bëhet në kundërshtim me standardet e BE-së dhe kundër modelit të tregut të energjisë të përcaktuar me direktivat e BE-së; dhe për fund,
 
c) çfarë po tentohet të arrihet me kalimin e një aseti kombëtar në duart e një monopoli privat. KOSID gjithashtu i bën thirrje deputetëve të Kuvendit të Kosovës që të ushtrojnë detyrimin e tyre parlamentar për kontroll efektiv të Qeverisë, dhe të marrin në përgjegjësi Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik për një strategji të tillë të privatizimit të aseteve të industrisë energjetike në Kosovë.

Gjeni te bashkengjitur reagimin e plote te Konsorciumit i Kosovar i Shoqërisë Civile për Zhvillim të Qëndrueshëm (KOSID),
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)