29 Mars 2024

KOSID kërkon shkarkimin e ministrit Beqaj

Prishtinë, 15 mars - Konsorciumi Kosovar i Shoqërisë Civile për Zhvillim të Qëndrueshëm (KOSID) kërkon nga Kuvendi dhe Qeveria e Kosovës shkarkimin e ministrit të Zhvillimit Ekonomik Besim Beqaj.

Politikat e gabuara dhe të dëmshme qeveritare përgjatë këtyre viteve sipas KOSID kanë sjellur vendin në një situatë të emergjencës dhe kolapsit energjetik.

KOSID konsideron se vendimi për të kërkuar shkarkimin e Arben Gjukaj nga detyra e shefit Ekzekutiv të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) është tentativa e radhës e Qeverisë së vendit për të kamufluar problemet e vërteta në sektorin energjetik të vendit.

Çmimet e rritura të energjisë elektrike që paguhen nga qytetari i Kosovës janë reflektim i zbatimit të politikave të gabuara qeveritare në fushën e energjisë.

Përgjegjës kryesor për këtë sipas shoqërisë civile është Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Besim Beqaj, dhe i njëjti duhet menjëherë të shkarkohet dhe të japë përgjegjësi juridike për aktivitetet e ndërmarra në këtë sektor.

\"Kosovarët sot e paguajnë tre-katër fish më shtrenjtë energjinë elektrike, meqenëse në tarifat e aprovuara padrejtësisht nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRrE) paguajnë për humbjet teknike (që janë në nivel prej rreth 17% e tërë energjisë që prodhohet dhe importohet), humbjet komerciale (që janë në nivel prej 18%), humbjet politike (që janë 4% e që i atribuohen pamundësisë së qasjes në pjesën veriore të Kosovës)\", vlerëson KOSID.

Këto probleme nuk zgjidhen vetëm brenda KEK-ut dhe me një shkarkim, por përmes funksionimit të aparatit shtetëror, ngritjes së mirëqenies së kosovarëve, mbështetjes së programeve për efiçiencë dhe ngritjes së vetëdijes qytetare për rëndësinë e kursimit dhe pagesës së energjisë. Të gjitha këto do të duhej të ishin prioritet i Qeverisë në fushën e energjisë.

KOSID po ashtu vlerëson se kosovarët sot paguajnë shtrenjtë për energjinë elektrike edhe si pasojë e vendimit të qeverisë për shtrenjtim të taksës për qymyrin dhe ngritjen e vlerës së saj nga 0.27 cent në 3 euro (apo për 1011%) gjatë vitit ta kaluar.

Kjo sipas tyre u bë me qëllim të vjeljes së më shumë të të hyrave për buxhetin e tyre për të mbuluar keq-menaxhimin buxhetor në nivele të tjera shtetërore.

\"Për më tepër, ishte Qeveria ajo që vendosi të japë pothuajse falë rrjetin e distribucionit dhe furnizimit të energjisë elektrike, duke monopolizuar këtë treg dhe duke u pajtuar që për 15 vitet në vijim kosovarët të ballafaqohen me ngritje të përhershme dhe të rregullt të çmimit të energjisë elektrike, në mënyrë që kompania private të kthejë investimin e premtuar prej 300 milionë eurosh në këtë rrjet gjatë kësaj periudhe.\"

Kjo vë në pah qasjen e gabuar të Qeverisë dhe zbatimin e politikave të dëmshme për qytetarin, kur bëhet fjalë për sektorin energjetik. Këto politika do ta bëjnë të padurueshme gjendjen e varfërisë në Kosovë dhe do të pamundësojnë zhvillim ekonomik të vendit. E krejt kjo për hesape politike dhe të përfitimit të qeverisë.

Në bazë të vendimit preliminar të Ombudspersonit të Korporatës Ndërkombëtare Financiare (IFC), konstatohet se proceduralisht shitja e KEDS ka qenë joligjore.

Prokuroria e Kosovës sipas KOSID duhet të fillojë hetimet sipas detyrës zyrtare për përgjegjësit e privatizimit të KEDS-it, për shkak të dëmit ekonomik që i është shkaktuar vendit dhe të hetojë këtë sjellje të kundërligjshme të MZhE-së dhe të Qeverisë, e cila po rezulton në një humbje të madhe për tërë qytetarët e Kosovës.

Për këto arsye dhe shumë të tjera, përgjegjësia për dështimet në sektorin energjetik gjithnjë sipas KOSID duhet të vihet në vend me largimin e menjëhershëm nga pozita udhëheqëse e Besim Beqaj dhe ndërmarrja e veprimeve juridike ndaj tij për përgjegjësitë që i takojnë rreth fryrjes së qëllimshme të faturave të konsumatorëve, që janë rezultat direkt i politikave të gabuara qeveritare në këtë sektor.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)