23 Prill 2024

Këtë vit do të angazhohen 1 mijë kujdestarë mjedisi

Prishtinë, 10 janar - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, mori pjesë në konferencën përmbyllëse të fushatës “Ta Pastrojmë Kosovën”, të iniciuar nga Zyra e Kryeministrit dhe e cila ka bërë bashkë një numër të madh institucionesh dhe organizatash nga vendi dhe të huaja, një task forcë nacionale, që për 3 muaj kishte për qëllim aksionin e çdo ditshëm të pastrimit të Kosovës.

Me këtë rast, Kryeministri Haradinaj tha se ditëve të kaluara, me aktivistët janë takuar tek deponitë ilegale, derisa sot po e përmbyllin një aksion, që për herë të parë ka ndodhur në Kosovë.

Kryeministri Haradinaj, në fjalën e tij shfajësoi popullin e Kosovës për këto 20 vite me mbeturina që janë hedhur, sepse ka pasur emergjenca dhe probleme, si dhe rrethana shumë të rënda, mungesë të institucioneve dhe se kuptohet pse ka ardhur deri tek kjo gjendje.

“Mirëpo, tani, nuk mund të pajtohem që edhe në vitet që vijnë, të ndodhë po e njëjta gjë dhe të hedhet mbeturinë”, tha kryeministri Haradinaj dhe shtoi se është e palejueshme të mbushen prapë deponitë ilegale.

Kryeministri Haradinaj tha se angazhimi i tyre disamujor ka dhënë rezultat dhe se sot është një Kosovë më e pastër dhe falënderoi me këtë rast komunat, që kanë dhënë një kontribut, por edhe angazhimin shembullorë të mijëra aktivistëve për një Kosovë më të pastër.

“Do të organizohemi së bashku, me institucionet e vendit, me organizatën “Let’s do it”, por duhet të gjejmë edhe një zgjidhje për riciklim të mbeturinave”, tha kryeministri Haradinaj, duke shtuar se krahas vetëdijesimit dhe mobilizimit qytetar dhe institucionalë që është i nevojshëm dhe krahas politikave ndëshkuese dhe shpërblyese, të mendohet edhe për opsionin real, riciklimin e mbeturinave.

“Duhet të jemi të mobilizuar për një Kosovë të pastër, për një Kosovë Eko dhe mund ta bëjmë. E kanë bërë edhe vende të tjera”, tha kryeministri Haradinaj në përmbyllje të fjalës së tij.

Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi, tha se nuk do të lejojnë që asnjë person i papërgjegjshëm të marrë të drejtën dhe ta dëmtojë ambientin që i takon të gjithëve.

Koordinatori i Iniciativës "Ta Pastrojmë Kosovën", Luan Hasanaj, tha se për këtë nismë janë angazhuar të gjithë duke dhënë kontribut që Kosova të bëhet një vend më i mirë për të jetuar dhe një vend më aktiv në një shoqëri e cila angazhohet vetë që vendin ta bëjë më të mirë.

“Nga sot e tutje ne vazhdojmë me aktivitete të tjera dhe nevoja ta pastrojmë mjedisin nuk përmbyllet sot, siç nuk është përmbyllur as më 15 dhjetor."

"Së bashku me kryeministrin jem dakorduar  që në këtë vit do të angazhohen 1 mijë kujdestarë mjedisi të cilët do ta ndihmojnë edhe komunën edhe ndërmarrjen dhe të gjithë neve për një vend më të pastër”, tha Hasanaj.
 

Ndërkaq, kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Agim Veliu tha se në shumë raste Asociacioni që ai drejton ka kërkuar që procesi i riciklimit të mbeturinave të nisë menjëherë, si një nevojë imediate për Kosovën.

Task Forca për Pastrimin e Kosovës, për tre muaj aktivitet ka arritur që të themelojë 32 Task Forca Komunale, të pastroj 952 deponi ilegale duke i angazhuar rreth 200 mijë vullnetarë në gjithë vendin, ka krijuar 11 zona të gjelbëruara derisa shumë të tjera janë në proces.

Po me këtë nismë, në vitin që kemi hyrë do të pastrohen edhe lumenjtë e Kosovës, do të shikohet mundësia që të angazhohen kujdestarë të mjedisit dhe mbledhja e fidanëve në gjithë vendin.

Pas aksionit, dhjetë komuna të Kosovës që janë treguar më efikase në eliminimin e mbeturinave, kanë fituar grant nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor në vlerë prej 1.2 milionë euro, grant ky, që do të përdoret në projekte për mbrojtjen e ambientit për këto komuna.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)