26 Janar 2022

Kërkohet furnizim i rregullt me ujë të pijes në Prizren

Prizren, 12 janar - Furnizimi me ujë të pijes në qytetin e Prizrenit së fundmi po realizohet me aplikimin e reduktimeve ka njoftuar Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Hidroregjioni Jugor”. Kjo kompani ka njoftuar konsumatorët se për shkak të kushteve të pavolitshme atmosferike që kanë mbretëruar për një kohë të gjatë janë zvogëluar në mënyrë të ndjeshme kapacitetet ujore në burimet potenciale të ujit, dhe se kriza aktuale energjetike ka vështirësuar edhe më shumë furnizimin, marrë parasysh faktin që uji i pijes sigurohet kryesisht përmes elektropompimit. Javën e kaluar është publikuar orari i reduktimeve me zgjerim në zonat e ndryshme të qytetit.

Por aplikimi i këtyre reduktimeve ka shkaktuar pakënaqësi te banorët. Madje qytetarët e lagjes “Bajram Curri” këtë pakënaqësi e kanë shprehur përmes protestës së mbajtur ditën e hënë, para zyrave të “Hidroregjionit Jugor”, duke kërkuar zbutjen e reduktimeve.

EC Ma Ndryshe gjatë vitit 2021 ka realizuar një numër të madh takimesh me banorë të lagjeve të ndryshme në Komunën të Prizrenit dhe pothuajse në secilin takim problemet me furnizimin me ujë të pijes janë shfaqur si parësore. Njëkohësisht edhe gjatë monitorimit të diskutimeve publike për planifikimin buxhetor të Komunës së Prizrenit për vitin 2022, kërkesa për ujin e pijes ka qenë njëra prej kërkesave të shprehura gati në secilin takim.

EC përkujton se uji i pijes sipas Organizatës së Kombeve të Bashkuara është thelbësor për realizimin e të gjitha të drejtave të njeriut. Furnizimi me ujë është domosdoshmëri për një shëndet më të mirë dhe për dinjitet njerëzor, dhe si i tillë paraqet një të drejtë që duhet të promovohet. E drejta për ujë të pijes nënkupton të drejtën e të gjithë njerëzve që të kenë qasje në ujë të mjaftueshëm, të sigurt, të pranueshëm, fizikisht të qasshëm dhe të përballueshëm për përdorim personal dhe shtëpiak.

Për këto arsye, EC Ma Ndryshe i bën thirrje institucioneve përgjegjëse që çështjen e ujit të pijes ta trajtojë me seriozitet të madh, në mënyrë që të sigurohet furnizimi i rregullt me ujë të pijes dhe brenda kushteve higjiene-sanitare për të gjithë banorët e Komunës së Prizrenit.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 27 janar 2022

- Kuvendi Komunal i Gjilanit mban seancën e radhes. (Salla e mbledhjeve të Kuvendit të Komunës së Gjilanit, ora 10:00)

- Komuna e Rahovecit organizon homazhe dhe nderime për dëshmorët e kombit: Nesimi Elshani, Agron Fetahu, Halim Hoti dhe Hilmi Krasniqi, të rënë në Brestoc me 27 janar 1990. (Brestoc, ora 10:00)

- Kuvendi i Kosovës mban seancën e jashtëzakonshme në të cilën do të mbahet debat parlamentar për gjendjen e pandemisë COVID-19 në Republikën e Kosovës. (Kuvendi i Kosovës, ora 11:00)

- Komuniteti Bektashian i Kosovës Gjyshata Gjakovë organizon ngjarjen përkujtimore për një vjetorin e kalimit nga jeta të ish-Kryetarit të Komunitetit Bektashian të Kosovës, Baba Mumin Lama si dhe 47 vjetorin e kalimit nga jeta të Baba Musa Himaduna, njëkohësisht rivarrimin e tij në tyrben e baballarëve bektashian në Gjakovë. (Ambientet e Teqesë Bektashiane në Gjakovë pranë “Hani i Haraçisë”, ora 11:00)
 
- Komuna e Rahovecit organizon manifestimin përkujtimor e kulturor për dëshmorët e kombit: Nesimi Elshani, Agron Fetahu, Halim Hoti dhe Hilmi Krasniqi. (Salla e Kuvendit Komunal në Rahovec, ora 11:00)

- Me rastin e 30 vjetorit të Shtëpive-Shkolla, Kryetari i Komunës së Prishtinës, Perparim Rama së bashku me ekipin e tij, do ta vizitoj Muzeun “Shtëpitë-Shkolla” te familja Hertica, shtëpi këto që u shndërruan në shkolla në periudhën e rezistencës mbarë popullore kundër regjimit serb. (Kodra e Trimave, ora 12:00)

- Universiteti “Fehmi Agani” në Gjakovë organizon ngjarjen kushtuar Ditës Ndërkombëtare të Përkujtimit të Holokaustit, e cila këtë vit i kushtohet shkrimtarit, veprimtarit politik, laureatit të Çmimit Nobel për Paqe dhe të mbijetuarit të Holokaustit, Elie Wiesel.  (Shkolla e Muzikës “Prenk Jakova” në Gjakovë, ora 12:00)

- Institutit për Politika Zhvillimore mban konferencën lidhur me situatën energjetike në vend. (Zyret e INDEP, ora 14:00)

- Kuvendi i Kosovës mban seancë plenare. (Kuvendi i Kosovës, ora 15:00)