20 Prill 2024

KEK-u plaçkit miliona me tarifa fikse

Prishtinë, 20 shkurt - Mbi 1.5 milionë euro në muaj KEK-u merr nga konsumatorët e saj për një tarifë fikse që i fut në faturë pa marrë parasysh sa shpenzon konsumatori.

Kjo tarifë i obligohet konsumatorit nga KEK-u në emër të kompensimit për shpenzimet që bëhen gjatë leximit dhe përpilimit të faturave.

Kështu, KEK-u edhe më tej vazhdon t’i plaçkitë konsumatorët e saj, me këtë tarifë e cila për konsumatorë të amvisërisë është prej 2.27 euro në muaj, ndërkaq për konsumatoret komercialë fillon nga 2.81 deri në 3.18 euro.

Zyrtarë të KEK-ut thonë se tarifa e vendosur është si kompensim për shpenzimet që bëhen gjatë leximit të njehsoreve dhe përpilimit të faturave.

Zëdhënësi i KEK-ut, Viktor Buzhala, thotë se tarifa është fikse dhe atë e paguan secili konsumator i KEK-ut bashkë me faturat.

“Ka tri lloje të tarifës fikse: Konsumatorët e Amvisërisë paguajnë tarifën fikse prej 2.27 euro në muaj, konsumatorët e vegjël komercialë paguajnë tarifën fikse prej 3.18 euro në muaj dhe konsumatorët e mëdhenj komercialë paguajnë tarifën fikse prej 2.81 euro në muaj”, tha ai.
Sipas Buzhalës, aktualisht këtë tarifë të KEK-ut e paguajnë 459,409 konsumatorë.

Por, në anën tjetër, ekspertë të ekonomisë në vend dhe përfaqësues të organizatave joqeveritare thonë se tarifa e vendosur është e palogjikshme dhe, sipas tyre, ajo duhet të hiqet menjëherë.

Lumir Abdixhiku, drejtor në Institutin “Riinvest” në Prishtinë, thotë se kjo tarifë është vënë pa ndonjë arsye edhe përtej çdo praktike të njohur diku.

“Është njësoj sikurse operatorët e telefonisë mobile të na detyrojnë pagesën fikse pa na ofruar fare minuta. Nuk besoj se ndonjë ofrues shërbimesh ka të drejtë morale edhe ligjore të na faturojë çmime fikse për diçka që nuk konsumojmë e harxhojmë.

Për mendimin tim është një barrë e panevojshme mbi konsumatorët kosovarë”, tha ai.

Edhe përfaqësues të OJQ-ve në vend thonë, se tarifa fikse është një lloj plaçkitje që KEK-u u bën në heshtje konsumatorëve që paguajnë faturat për energjinë e shpenzuar.

Selatin Kaçaniku, nga Shoqata për Mbrojtjen e Konsumatorit, thotë se tarifa fikse që KEK-u i ngarkon konsumatorët për çdo muaj është totalisht e palogjikshme.

Sipas tij, kjo është një barrë për konsumatorët e përmes të cilës KEK-u po inkason miliona euro.

“Shumë konsumatorë nuk jetojnë nëpër shtëpi, por ata duhet ta paguajnë kot këtë taksë. E kur ata nuk janë në shtëpi për muaj të tërë, KEK-u nuk ka asnjë lloj shpenzimi për ta”, tha ai. Kaçaniku thotë se kjo shumë është ngarkesë e madhe sidomos për xhepin e varfër të konsumatorit dhe, sipas tij, ajo duhet të hiqet sa më shpejt që është e mundur.

/Zeri/

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)