19 Prill 2024

KEK u jep tender 3 milionë euro tregtarëve serbë të energjisë

Prishtinë, 4 janar - Dy kompanitë serbe të energjetikës, “Gen” dhe “Rudnap”, janë shpallur fitues të tenderit për furnizim me energji elektrike, deri në muajin maj të këtij viti, pikërisht deri në kohën kur distribucioni i Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) kalon në pronësi të kompanisë private turke “Çalik&Limak”.

Për pesë muaj, sa do t’i sjellin rrymë KEK-ut në situata emergjente, por edhe në momente kur KEK-u më shumë shpenzon se sa prodhon, këto kompani që tregtojnë energji elektrike pritet t’i marrin nga korporata më e madhe në Kosovë hiç më pak se 3 milionë.

Sipas web-faqes zyrtare të Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik (KRPP), shihet se në këtë tender kanë konkurruar katër kompani, ku zyra e prokurimit me tender i ka shpërblyer dy kompani serbe, të cilat selinë e tyre e kanë në Beograd.

Dy kompani u skualifikuan

Drejtori i Korporatës Energjetike të Kosovës, Arben Gjukaj, thotë për “Zërin” se nuk kanë shumë informacione rreth tenderit të fundit për furnizim me energji elektrike.

Por, sipas tij, dy kompanitë që janë shpallur fituese të tenderit nga zyra e prokurimit e KEK-ut, kanë ofertuar me çmime më të volitshme, në raport me kompanitë tjera që kanë qenë në garë. “Tenderi ka qenë publik dhe në të kanë konkurruar edhe kompani tjera. Por, oferta e kompanive që janë shpallur fituese të tenderit, kanë qenë dukshëm më e volitshme për kompaninë tonë”, tha Gjukaj për “Zëri”.

Edhe zëdhënësi i KEK-ut, Viktor Buzhala, thotë se në tenderin e fundit për import të energjisë elektrike të llojit “Energji Emergjente” dhe “Day Ahead” kanë konkurruar 4 kompani.

“Specifikisht, kanë konkurruar kompanitë zvicerane “EFT” dhe “EGL”, kompania sllovene GEN-I dhe kompania serbe “Rudnap”. Sipas vlerësimit të komisionit dhe konfirmimit të marrë nga KRPP, ofertat nga kompanitë EGL dhe EFT janë shpallur të papërgjegjshme për faktin se nuk kanë qenë në përpurthje me kërkesat e dosjes së tenderit”, tha ai.

Pavarësisht se në ueb-faqen e KRPP-së thuhet se vlera e kontratës është rreth tre milionë euro, zëdhënësi Buzhala thotë se në këtë tender nuk ka vlerë të saktë monetare të caktuar për arsye se kjo energji elektrike importohet vetëm ne raste të veçanta të paplanifikuara, vetëm në bazë të nevojës.

“KEK-u kontrakton këto lloje të energjisë elektrike për shkak të rritjes së sigurisë së furnizimit me energji elektrike. Çmimi përcaktohet në bazë të koeficientit të ofruar dhe çmimit të energjisë në bursat ndërkombëtare të tregtimit me energji. Vlera e cekur në njoftimin për dhënie të kontratës, që duhet të ceket sipas LPP, është vetëm indikative në bazë të përvojave të viteve paraprake dhe ofertave fituese”, tha ai.

“Gen” dhe “Rundap” të privilegjuara nga KEK-u

Gazeta “Zëri” ka raportuar kohë më parë se Korporata Energjetike e Kosovës, gjatë vitit 2011, tri kompanive serbe të energjetikës, përmes tenderëve, u ka dhënë më shumë se 56 milionë euro për import të energjisë, por edhe për punë të tjera që ato kanë kryer në kompaninë më të madhe publike në vend.

Po ashtu, shuma si kjo, por edhe më të mëdha, kompanitë serbe kanë marrë nga KEK-u thuajse çdo vit nga mbarimi i luftës e deri më tash. Në listën e prokurimeve të mëdha që e ka siguruar gazeta “Zëri”, shihet se më 11 janar të vitit 2011 KEK-u i ka dhënë kontratë kompanisë “GENI do Beograd&Tirana” me seli në Beograd për furnizim me energji emergjente për periudhën janar-dhjetor të vitit 2011. Vlera e kësaj kontrate ka qenë hiç më pak se 33 milionë e 248 mijë e 34 euro.

Po ashtu, në të njëjtën ditë, KEK-u e ka përzgjedhur edhe një kompani tjetër për furnizim me energji emergjente nga janari e deri në fund të vitit që lamë pas.

Edhe në ketë rast behët fjalë për kompaninë serbe, “RUDNA Grup AD”, e cila kësaj radhe nga KEK-u përmes kësaj kontratë ka marrë 1 milionë e 680 mijë euro.

Rreth katër muaj më vonë, saktësisht më 29 prill 2011, KEK-u e shpërblen edhe më një kontratë kompaninë serbe “GENI do Beograd&Tirana”.

Kësaj here për furnizim me energji eterike të moduluar dhe të pikut për periudhën maj 2011 deri në mars 2012, kjo kompani ka marrë nga KEK-u edhe 16 milionë e 320 mijë e 956 euro. Po ashtu, në këtë datë dhe për të njëjtin qëllim Korporata Energjetike e Kosovës, e cila drejtohet nga Arben Gjukaj, ia ka dhënë edhe një tender kompanisë serbe të energjetikes “EGL”, ku vlera e kontratës është më shumë se 3 milionë e 301 mijë euro.

/Zeri/

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)