20 Prill 2024

KEK-u, institucioni me pjesëmarrjen më të madhe në prokurim publik

Prishtinë, 2 nëntor - Qendra Kosovare për Gazetari Hulumtuese – Preportr, e cila funksionon në kuadër të organizatës ÇOHU!, sot ka publikuar hulumtimin mbi prokurimin publik në Korporatën Energjetike të Kosovës.

Hulumtimi i Preportr tregon se KEK-u është institucioni me pjesëmarrjen më të madhe në prokurim publik në Kosovë. Përmes tenderëve kjo ndërmarrje shpenzon miliona euro brenda një viti. Vetëm gjatë viteve 2007-2017 KEK-u ka pasur mbi 10 mijë aktivitete të prokurimit publik me vlerë mbi 1.3 miliardë euro.

Në kuadër të këtij hulumtimi, Preportr ka shqyrtuar kontratat me vlerë të madhe në KEK gjatë viteve 2007-2017.

Gjatë kësaj periudhe KEK-u ka dhënë 955 tenderë në vlerë rreth 752 milionë euro. Përfitues të këtyre tenderëve janë rreth 300 kompani vendore e ndërkombëtare.


Shumë prej kompanive që fitojnë tenderë në këtë ndërmarrje janë treguar të papërgjegjshme dhe nuk e kanë kryer punën e tyre sipas kontratës. Lidhur me këto shkelje KEK-u ka penalizuar ndër vite kompani të ndryshme.

Preport ka krahasuar listën e kompanive të penalizuara nga KEK-u me listën e përfituesve në këtë institucion dhe ka gjetur se 60 nga 163 kompanitë e penalizuara kanë fituar 642 tenderë vetëm me vlerë të madhe gjatë viteve 2008-2017, në vlerë mbi 368 milionë euro.

Shumë ankesa ndaj KEK-ut dorëzohen nga Operatorët Ekonomikë (OE) në Organin Shqyrtues të Prokurimit Publik (OSHP) me pretendimin që procedurat prokuruese kanë qenë të ndikuara apo në shpërputhje me ligjin që e rregullon prokurimin publik.

Sipas të dhënave që ka analizuar Preportr vetëm në periudhën 2008-2017, Operatorët Ekonomikë kanë ushtruar 381 ankesa në OSHP ndaj KEK-ut.

Nga këto ankesa afër 50% e tyre kanë shkuar në rivlerësim apo ritenderim.

Në anën tjetër KEK-u pavarësisht se është i obliguar t'i respektojë vendimet e OSHP-së, në disa raste nuk i është bindur këtij institucioni. Preportr ka gjetur se nga viti 2011 deri në vitin 2017 OSHP ka dhënë 10 urdhëresa për moszbatim të vendimeve të panelit shqyrtues nga ana e  KEK-ut.

Edhe pse kjo ndërmarrje është shpenzuesi më i madh në Kosovë përmes prokurimit publik, me 33% pjesëmarrje në raport me ndërmarrjet dhe organizatat tjera, ajo nuk auditohet nga Zyra Kombëtare e Auditorit (ZKA). Ky fakt është shqetësues dhe hap rrugën për keqpërdorime të mundshme.

Gjithashtu gjatë konferencës është publikuar edhe video-storia mbi hulumtimin.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)