25 Prill 2024

KEK-u faturon paushall 10 mijë konsumatorë

Prishtinë, 27 shkurt - Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka më shumë se pesë muaj që po faturon paushall energjinë e shpenzuar në komunën e Deçanit dhe atë të Junikut, edhe pse një veprim i tillë i korporatës është në kundërshtim me ligjin në fuqi.

Burime të besueshme të gazetës “Zëri” bëjnë të ditur se prej 21 shtatorit të vitit që lamë pas, në këtë komunë, KEK-u nuk ka asnjë punëtorë që të lexojë njehsorët elektrikë, apo të shpërndajë faturat për energjinë e shpenzuar.

Problemi mes menaxhmentit të KEK-ut dhe punëtorëve të distriktit të Deçanit lindi kur menaxhmenti i kompanisë i largoi nga puna dy punëtorë, pasi që ata nuk arritën ta plotësojnë performancën e vënë nga menaxhmenti.

Pas këtij vendimi në shenjë pakënaqësie të gjithë punëtorët e distriktit u solidarizuan me ta duke hyrë në grevë, por nuk shkoi edhe shumë kohë kur edhe ata mbetën të papunë, duke e lënë komunën e Deçanit pa asnjë punëtor.

Pas kësaj drejtori i KEK-ut urdhëroi që në atë komunë ta dërgojë një njësi speciale për të shpërndarë fatura, por që në start ata hasën në rezistencë të banorëve të zonës, kur prej asaj kohe e deri më tash, komuna mbetet në bllokadë totale.

Kryetari i komunës së Deçanit, Rasim Selmanaj, thotë se komuna që drejton ai është në bllokadë totale.

Sipas tij, për teke të një personi të gjithë punëtorët e KEK-ut në Deçan kanë mbetur pa punë, ndërkaq prej muajsh kompania nuk faturon dhe as nuk inkason energjinë që shpenzohen në këtë komunë.

Ai thotë se nga fillimi i problemit është munduar që të takohet me zyrtarët lartë të KEK-ut në Pejë dhe Prishtinë, por deri më tash nuk ka arritur ndonjë marrëveshje. Sipas informacioneve që unë i kam KEK-u prej më shumë se pesë muajsh nuk ka lexuar njehsorë, por edhe aq kohë qytetarët nuk kanë paguar energjinë elektrike.

Problem i madh në këtë komunë do të krijohet kur KEK-u fillon të lexojë njehsorët”, tha ai. Në anën tjetër zyrtarë të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) thotë se në bazë të rregullave në fuqi faturimi paushall lejohet vetëm në rastet kur lexuesi nuk ka qasje në pronën e konsumatorit dhe nuk mund të bëjë leximin e njehsorit.

Zëdhënësja e ZRRE-së, Adelina Murtezaj - Bajrami, thotë se në rastin konkret të Deçanit ZRRE-ja nuk ka të dhëna për një veprim të tillë. Ajo tha se rregullatori ka kërkuar të dhëna lidhur me rastin në fjalë dhe është në pritje të të dhënave shtesë nga KEK-u për faturimet pa matje/paushall.

“Sipas rregullave, standardeve dhe procedurave në fuqi përqindja e faturave të lëshuara në bazë të leximeve të përafërta (paushall) të njehsorëve duhet të mos tejkalojë 5 % gjatë secilit muaj kalendarik. Punëtorët e KEK-ut apo specialistët e daljeve obligohen që në të gjitha fletëleximet në rastet kur nuk kanë qasje apo me shpenzim zero – të japin sqarime shtesë – komente me shkrim.\"

\"Në bazë të sqarimeve të dhëna, sektori i faturimit bën faturimin e këtyre konsumatorëve me mesatare të shpenzimit paraprak (në rastet kur potencohet se ka shpenzim) apo përshkruan gjendjen e njëjtë (në rastet kur ceket se nuk ka shpenzim)”, tha ajo.

/Zëri/

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)