20 Shkurt 2020

KEK kryen remontin e Bllokut B-2 për te siguruar prodhimin e energjisë

Prishtinë, 10 maj - Me qëllim të  rritjes së sigurisë së prodhimit të energjisë elektrike dhe furnizimit të qytetarëve me energji stabile, Korporata Energjetike e Kosovës ka nisur remontin kapital të njësisë B-2 të Termocentralit Kosova B.

Ky remont, i cili përfshinë riparimin gjeneral të njësisë B-2, ka filluar më 24 prill dhe do zgjasë deri në fund të muajit korrik.

Përkundër faktit se këto njësi janë afër përfundimit të jetëgjatësisë së tyre, drejtori i Termocentralit Kosova B, Luigj Imeri, tha se pas investimeve dhe remontit blloqet do të funksionojnë mjaftueshëm të sigurta.

“Jemi në një fazë që jemi duke punuar në dy drejtime d.m.th me njërën njësi jemi në operim, ndërsa me njësinë tjetër sipas planifikimeve tona që i kemi zhvilluar edhe më herët ku të gjitha planifikimet janë kryer në vitet paraprake në mënyrë që ne sot të mundemi të fillojmë këtë remont kapital që ndikon drejtpërdrejtë në sigurinë e operimit dhe sigurinë e furnizimi të qytetarëve me energji elektrike."

"Keni mundur të shihni që aty bëhet një punë profesionale dhe shumë specifike, e cila realizohet një herë në 7 vjet që nënkupton që krejt ky objektiv dhe ky qëllim është për të rritur sigurinë e furnizimit të qytetarëve me energji elektrike."

"Marrë parasysh që këto njësi janë afër përfundimit të jetëgjatësisë së tyre, normalisht që këto investime kapitale bëjnë të mundur zgjatjen e jetës së operimit të këtyre njësive dhe njëkohësisht rritin edhe sigurinë, por kjo është njëra ndër komponentët."

"Një punë tjetër që po funksionojmë paralelisht edhe jemi para përfundimit ose para përmbylljes së proceseve administrative, janë projekte të cilat do të organizohen gjatë vitit 2020 dhe 2021 e që kanë të bëjnë me ndotje të ambientit."

"Këto projekte do të financohen nga Zyra e Bashkimit Evropian ndaj të cilëve ne jemi shumë mirënjohës dhe jemi duke bashkëpunuar dhe funksionuar jashtëzakonisht shkëlqyeshëm, në mënyrë që t’i mbërrijmë ato afate kohore, të cilat i kemi planifikuar”, shtoi Imeri.

Remonti i këtij blloku është duke u bërë nga dy kompani prestigjioze Alstom dhe General Electric.

“Këtë vit jemi duke bërë remontin e të gjitha pjesëve të njësisë B-2. Jam shumë i kënaqur sepse makineria e njësisë B-2.  është mirë dhe ne nuk kemi pasur ndonjë problem dhe pasi të përfundojmë kontrollin, ne do ta lëshojmë në punë sërish dhe konsumatorët do të jenë shumë të kënaqur”, tha Guy Stoeckel nga kompania Alstom.

Ndërsa menaxheri i projektit për riparimin e turbinës, Drin Shahini, tregoi se deri më tani nuk kanë pasur asnjë problem.

“Falë bashkëpunimit që kemi pasur ne si KEK me GE (General Electric), siguria ka qenë në nivel. Nuk kemi pasur lëndime në punëtorë apo në staf. Tani jemi në fazën fillestare që quhet faza e demontimit, pastaj faza e defektazhës apo gjetjes së defekteve që mund të ketë gjatë demontimit të turbinës”, tha Shahini.

Njësia B-2 e Termocentralit Kosova B ka kapacitet prodhimit prej 339 megavatesh, por me qëllim të ruajtjes së funksionimit të tij, blloku punon me kapacitet prej 300-315 megavat.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 20 shkurt 2020 - Behën homazhe në nderim te jetës dhe veprës së heroit, Selman Vojvoda. (Varri i heroit, në Llaushë të Skenderajt, ora 9:00)

- Mbahet takimi me Misionin e Komisionit Evropian për Vlerësimin e Programit për Reforma në Ekonomi dhe diskutimin mbi rekomandimet e politikave. (ndërtesa e Qeverisë salla P38,  ora 9:30)

- Administrata Tatimore e Kosovë do të mbaj seminar me tatimpaguesit e regjionit të  Prishtinës ku prezent do të jetë edhe Drejtori i Përgjithshëm i ATK-së Ilir Murtezaj. (Hotel Emerald, ora 10:00)

- Bëhet konstituimi i Komisionit për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N 204, ora 11:00)

- Kryetari i komunës së Istogut, Haki Rugova do ta pres në takim ambasadorin bullgar në Kosovë. (Zyra e Kretarit Haziri, ora 11:00)

- Komuna e Rahovecit mban diskutimi publik lidhur me Draft Planin Komunal të Veprimit për Efiçiencë të Energjisë dhe Planin Lokal për Veprim në Mjedis. (Salla e mbledhjeve të Kuvendit Komunal të Rahovecit, ora 11:00)

- Kryeministri Albin Kurti dhe Kryetarja e Kuvendit, dr. Vjosa Osmani marrin pjesë në manifestimin “ 31-vjetori i Grevës së Minatorëve të Trepçës”. (Miniera e Trepçës në Stantërg, ora 11:00)

- Bëhet konstituimi i Komisionit për Ekonomi, Punësim, Tregti, Industri dhe Investime Strategjike. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N303, ora 11:00)

- Mbahet ceremonia e dorëzimit te donacionit për qerdhën “Gëzimi Ynë” në Istog nga Ambasada e Bullgarisë. (Qerdhja “Gëzimi Ynë” në Istog, ora 11:30)

- Mbahet ceremonia e promvimit të librit" Obstetrika",  të Prof. dr. Shefqet Lulaj. (Bibloteka Kombëtare "Pjetër Bogdani", ora 12:00)

- Mbahet akademi përkujtimore për dëshmorin e Kosovës, Selman Vojvoda, në 30 vjetorin e rënies së tij. (Teatri Kombëtar, ora 12:00)

- Ministri i Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, z. Agim Veliu do të pres në takim ambasadorin amerikan në Kosovë, z Philip Kosnett. (objekti kryesor i MPBAP-së, ora 13:00)

- Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu do të mbajë konferencë për media. (Objekti I Ministrisë, ora 13:00)

- Promovohet revista “Intro”, që është produkt i punës së studentëve të vitit të tretë të Departamentit të Gazetarisë, në kuadër të lëndës "Menaxhim i medias". (Amfiteatri i Fakultetit të Filologjisë në Universitetin e Prishtinës, ora 14:00)

- Komuna e Mitrovicës mban debat publik lidhur me rregulloren për realizimin e të drejtave të fëmijëve përmes sistemit qeverisës komunal miqësor për fëmijët. (Salla e mbledhjeve të Kuvendit të Komunës të Mitrovicës, ora 14:00)

- Zhvillohet ndeshja basketbolliste mes Kosovës dhe Islandës. (Pallati i Rinisë dhe Sportit në Prishtinë, ora 19:00)