28 Mars 2024

Kawa Group i bashkohet aksionit Ta Pastrojmë Kosovën

Prishtinë, 5 shtator - Kompania “Kawa Group” i është bashkuar fushatës së madhe “Ta Pastrojmë Kosovën”, e cila nis më  15 shtator, dhe zgjatë tre muaj, deri më 15 dhjetor.

Sot, Let’s Do It Kosova, Kawa Group dhe Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor si bartëse e task-forcës për pastrimin e Kosovës, kanë nënshkruar memorandum për ndërmarrjen e aksionit për pastrimin e deponisë më të madhe në Prishtinë që gjendet te stacioni i autobusëve.

Iniciativa për pastrimin e deponisë më të madhe në Prishtinë dhe kthimin në park të gjelbëruar, ka ardhur si kërkesë nga kompania “Kawa Group” për Let’s Do It Kosova.

Drejtori Ekzekutiv i Let’s Do It Kosova, Luan Hasanaj, ka falënderuar Kompaninë Kawa Group për iniciativën për pastrimin e kësaj deponie.

Edhe njëherë, ai u ka bërë thirrje të gjithëve që të bashkohen në aksionin e madh për pastrimin e Kosovës që do të fillojë më 15 shtator, dhe do të zgjasë tre muaj, deri më 15 dhjetor.

“Sot bashkë po e përçojmë një mesazh për nevojën e madhe të kontributit në shoqëri të sektorit të biznesit. Pas krijimit të Task Forcës nga Qeveria, është radha e qytetarëve që të tregojnë përgjegjësi dhe ta ndihmojnë     Qeverinë dhe të gjithë neve të tjerëve për pastrimin e Kosovës. Kjo që po ndodh sot me Kawa-n është shembull që duhet të ndiqet nga të gjithë, sidomos në sektorin e ndërtimit, pasi një numër i madh i deponive ilegale të mbeturinave janë me mbetje ndërtimore. Ndonëse lokacionet për këto mbetje akoma nuk janë përcaktuar nga komunat, kjo nuk nënkupton se bizneset kanë të drejtë ta dënojnë natyrën, por duhet bërë zgjidhje. U bëj apel të gjithëve të na bashkohen në këtë rrugëtim, sepse vetëm kështu mundemi me ba Kosovën e pastër”, ka thënë Hasanaj.

Në anën tjetër, ushtruesi i detyrës së ministrit të Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi, ka falënderuar “Kawa Group” dhe “Let’s Do It Kosova” që do të jenë pjesë e aksionit për pastrimin e gjithë vendit.Ai ka apeluar tek të gjitha institucionet, kompanitë dhe qytetarët që të jenë pjesë e aksionit për pastrimin e Kosovës.

Edhe pronari i kompanisë ‘Kawa Group”, Valon Vataj, ka bërë një thirrje që të gjitha kompanitë dhe qytetarët, që të bëhen pjesë e aksionit të pastrimit.

“I ftoj të gjitha kompanitë ndërtimore dhe qytetarët që të bëhen pjesë e aktiviteteve për eliminimin e problemeve mjedisore. Pa arritjen e një kulture evropiane, nuk mund t’i tejkalojmë këto probleme. I ftoj qytetarët që t’i bashkohen aksionit të madh për pastrimin e Kosovës, i cili nis nga 15 shtatori”, ka thënë Vataj.

Pas nënshkrimit të memorandumit, të gjithë u zotuan se bashkëpunimi mes tyre do të vazhdojë edhe më tej.

Let’s Do It Kosova dje ka njoftuar se tashmë ka filluar edhe hartizimi i deponive ilegale të mbeturinave në të gjithë Kosovën, përmes Aplikacionit TrashOut. 
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)