24 Prill 2024

INDEP rekomandon amandamentimin e Ligjit për Efiçiencë të Energjisë

Prishtinë, 26 shtator - Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP) prezantoi të mërkurën studimin Efiçienca e Energjisë në Kosovë, një analizë e kornizës ligjore dhe zbatueshmërisë së ligjit dhe politikave për efiçiencë të energjisë në vend.

Studimi u prezantua në një tryezë diskutimi të organizuar nga Komisioni Parlamentar për Zhvillimin Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri dhe INDEP.

Analiza vë në dukje sfidat e Kosovës në fushën e efiçiencës së energjisë me fokus në aspektin ligjor dhe ofron rekomandime konkrete për përmirësimin e situatës në këtë fushë. 

Publikimi analizon elementet e politikës publike sa i përket efiçiencës së energjisë si dhe pasqyron gjendjen e tanishme në aspektin ligjor dhe atë praktik të efiçiencës, me qëllim që të ndihmojë institucionet relevante në ndryshimin e politikave dhe marrjen e masave shtesë në drejtim të arritjes së efiçiencës së energjisë.

“Efiçienca e energjisë është një çështje shumë me rëndësi, si për Kosovën ashtu edhe për perspektivën e Kosovës për Europë,” ka thënë Ian Cliff, Ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë.

“Ne mendojmë që është e rëndësishme të përmirësohet transparenca në proceset legjislative dhe të merret ekspertiza e shoqërisë civile në çështjet e efiçiencës së energjisë.”

INDEP ka rekomanduar amandamentimin e Ligjit për Efiçiencë të Energjisë si të nevojshëm për suksesin e iniciativave për efiçiencë në vend.

Ndër të tjera, një ligj i kompletuar i Efiçiencës do të qartësonte krijimin e zyrave për energji nëpër komuna, aplikonte masa stimuluese për përdoruesit efiçient si dhe do të bënte rregullimin e efiçiencës në sektorin privat.

Një hap i tillë do t’i hapte rrugë hartimit dhe implementimit të planeve komunale që do të ndihmonin implementimin e Planit Nacional të Efiçiencës.   

“Kosova mbetet mbrapa vendeve të rajonit për sa i përket synimeve të efiçiencës së energjisë dhe këto probleme duhet të zgjidhen me masa ligjore dhe politike të bazuara në hulumtime profesionale në këtë fushë,” ka thënë Rinora Gojani, bashkëautore e punimit.

Përfundimet dhe rekomandimet nga INDEP mund të merren nga versioni elektronik i draft analizës në gjuhën shqipe të cilin mund ta gjeni të bashkangjitur me këtë komunikatë.

Studimi është përkrahur nga Ambasada Britanike në Prishtinë dhe Fondi i Vëllezërve Rockefeller.


 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)