28 Mars 2024

Hidrocentralet e vogla shkatërrojnë lumenjtë dhe rrezikojnë furnizimin me ujë

Prishtinë, 12 nëntor - Organizatat e shoqërisë civile të koalicionit Pro Open, shprehin indinjatë të thellë rreth mungesës totale të transparëncës dhe llogaridhënies së Ministrisë së Ekonomisë dhe Ambientit dhe autoriteteve të tjera përgjegjëse në raport me licensimin dhe legjitimimin e ndërtimit dhe operimit të hidrocentraleve të vogla dhe mini, veprimtaria e së cilave tashmë është dëshmuar se ka ndikime direkte në mjedis.

Pro Open vlerëson se në kohën kur i gjithë potenciali qytetarë dhe shoqëria civile është vënë në lëvizje për të kundërshtuar ndërtimin dhe operimin e hidrocentraleve të vogla dhe mini, të cilat kanë ndikim të drejtëpërdrejtë në mjedis si dhe për të mbrojtur potencialin tonë zhvillimor, institucionet përgjegjëse nuk kanë ndërmarrë asnjë veprim konkret për të dëgjuar vullnetin e qytetarëve me qëllim të evitimit të pasojave, mbrojtjes së ambientit dhe resurseve ujore si dhe për të bërë transparent gjithë procesin administrativ rreth dhënies së lejeve, autorizimeve dhe dokumentacionit tjetër relevant.

Për më tepër, në vazhdën e territ informativ rreth ligjshmërisë dhe arsyeshmërisë së ndërtimit dhe operimit të hidrocentraleve të vogla dhe mini, sot ministri i Ministrisë së Ekonomisë dhe Ambientit përmes medieve ka deklaruar se ministria që udhëheqë ai nuk ka lëshuar asnjë leje mjedisore për kompaninë Kelkos, të cilës sot Zyra e Rregullatorit të Energjisë i’a miratoi licenën për prodhimin e energjisë për 40 vjet.

Në këtë kuptim, shteti i Kosovës sipas Pro Open ka dëshmuar së është i paaftë për të ofruar transparencë dhe llogaridhënie për publikun në lidhje me këtë problematikë dhe këto sjellje përbëjnë dyshim të bazuar se institucionet relevante, në veçanti Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit, kanë shkeluar autorizimet e tyre ligjore dhe i shërbejnë grupeve të ngushta të interesit, duke dëmtuar resurset natyrore të Kosovës dhe potencialin turistik dhe zhvillimor.

"'Ne, ju rikujtojmë se sot po ndërtohen hidrocentrale të vogla, në hapësirat e parqeve kombëtare dhe zona turistike me potencial zhvillimor, që shkatërrojnë florën dhe faunën, devijojnë lumenjtë, reduktojnë dhe rrezikojnë furnizimin e popullatës me ujë, dhe shumë dëme të tjera.''

''Për këto arsye, ne organizatat e shënuara më poshtë kërkojmë nga Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit që të publikojë të gjitha lejet mjedisore të lëshuara dhe të bëjë transparent gjithë procesin e pajises më leje mjedisore të kompanisë Kelkos, duke mos u kufizuar në kushtet dhe kriteret që janë përmbushur për t’u pajisur me këtë leje", thekson Pro Open.
 
Organizatat përkrahëse:
Iniciativa për Progres (INPO)
Instituti Demokratik i Kosovës (KDI)
Fondacioni i Kosovës për Shoqëri të Hapur (KFOS)
Demokraci Plus (D+)
Çohu
FOL
Instituti Riinvest
Ec Ma Ndryshe
Environmentally Responsible Group (ERA)
OJQ Gjethi
Kosovo Advocacy and Development Center (KADC)
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)