28 Mars 2024

Hapet Qendra për Energji dhe Qëndrueshmëri në UP

Prishtinë, 17 tetor - Në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina” sot u hap Qendra për Energji dhe Qëndrueshmëri (QEQ). Në ceremoninë e organizuar me rastin e hapjes së Qendrës më të re të Universitetit të Prishtinës, u fol për rëndësinë e madhe që ka hapja e kësaj Qendre, jo vetëm për Universitetin e Prishtinës, por për gjithë shoqërinë kosovare.

Rektori i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, prof. dr. Marjan Dema tha që hapja e kësaj Qendre është një ngjarje me rëndësi të veçantë për Universitetin e Prishtinës.

“Kjo është një Qendër ndërdisiplinore transformuese e cila siguron popullin e Kosovës se Universiteti i Prishtinës qëndron fuqimisht prapa përpjekjeve për përmbushjen e  nevojave të shtetit tonë për furnizim të qëndrueshëm me energji. Nuk mund të ketë ndonjë agjendë më të rëndësishme se energjia dhe qëndrueshmëria për shekullin njëzet e një” tha Rektori në fjalën e tij.

Hapjen e QEQ-it e përgëzoi edhe ministri i Zhvillimit Ekonomik, z. Valdrin Lluka. Përderisa foli për një numër projektesh që ka Ministria në fushën e energjisë, tha që pret që Qendra për Energji dhe Qëndrueshmëri të ketë një bashkëpunim shumë të ngushtë me Ministrinë që ai drejton, e së bashku të realizojnë një punë të dobishme për vendin.

Ndërkaq, prorektori për mësimdhënie dhe çështje të studentëve në UP, prof. dr. Naser Sahiti foli për rrugëtimin drejt realizimit të kësaj Qendre, e para e këtij lloji në UP. Ai tha që QEQ do të ketë ndikim të gjerë në shoqërinë tonë, e për krijimin e kësaj Qendre falënderoi partnerët nga Universiteti Shtetëror i Arizonës dhe USAID-i.

Hapjen e Qendrës për Energji dhe Qëndrueshmëri në UP e përshëndeti edhe drejtori i sektorit për rritje ekonomike pranë USAID-it, z. William Trigg. Ai tha që me hapjen e kësaj Qendre shpreson shumë që do të rritet edhe numri i grave kosovare që do të punojnë në këtë fushë, sipas tij, shumë të rëndësishme për Kosovën.

Në anën tjetër, prof. dr. Steven Batalden nga Universiteti Shtetëror Arizonës përgëzoi UP-në për realizimin e këtij hapi të rëndësishëm. “Kjo ditë është festë! Me nder të madh, si përfaqësues i Universitetit të Arizonës marr pjesë në këto festime” tha ai. Batalden tha që e ardhmja e kësaj Qendre është e ndritur dhe beson fuqishëm që zhvillime të mëdha do të fillojnë nga kjo Qendër.

QEQ është qendër për kërkime dhe trajnime gjithëpërfshirëse transdisiplinore që do të adresojë sfidat lokale dhe globale të qëndrueshmërisë. QEQ do të kërkojë zgjidhje praktike dhe do aplikojë politika për adresimin e problemeve të ngrohjes globale dhe ndryshimeve klimatike, prodhimin e energjisë së ripërtëritshme, përmirësimin e efiçiencës së energjisë dhe ruajtjen e mjedisit.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)