15 Nëntor 2019

GAP diskuton për ndikimin e ndihmës shtetërore në tregun e energjisë

Vjenë, 28 shkurt - GAP në bashkëpunim me Institutin e Vjenës për Studime Ekonomike Ndërkombëtare kanë prezantuar raportin “Ndikimi i ndihmës shtetërore në tregun e energjisë elektrike në Ballkan”.

Raporti trajton problematikën e ndihmës shtetërore në sektorin e energjisë elektrike, duke marr si shembull konkret rastet në Kosovë, Bosnje, Serbi dhe disa nga vendet e Bashkimit Evropian. Raporti u prezantua në tryezën e diskutimit e cila u mbajt në hapësirat e Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë në Vjenë. 

Në hapje të diskutimit, Nora Latifi-Jashari, drejtoreshë ekzekutive e Institutit GAP, dhe Elizabeth Hagen, drejtoreshë ekzekutive e wiiw, treguan mbi bashkëpunimin në mes të dy organizatave që nga korriku i vitit 2018 dhe përpjekjet e përbashkëta për intensifikimin e bashkëpunimit në mes të organizatave jo qeveritare në Kosovë dhe organizatave në vendet e Evropës.

Blend Hyseni, hulumtues në Institutin GAP, prezantoi raportin e GAP dhe wiiw, në të cilin trajtohet problemi i ndihmës shtetërore në projektet e reja energjetike me bazë linjitin në vendet si Kosova, Bosnja dhe Serbia, projekte të cilat bien ndesh me direktivat e BE-së për liberalizimin e tregut energjetik.

Ndër të tjera, Hyseni theksoi se Sekretariati i Komunitetit të Energjisë ka fuqi ligjore të kufizuar për ndalimin e projekteve që përbëjnë ndihmë shtetërore, kurse departamentet për ndihmë shtetërore brenda vendeve kontraktuese nuk kanë pavarësi të plotë.

Dirk Buschle, zëvendës drejtor i Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë, foli rreth fushëveprimit të institucionit të tyre si dhe negociatave për rishikimin e Traktatit të Komunitetit të Energjisë që synon të përshijë parime që fuqizojnë dhe pavarësojnë zyrat për ndihmë shtetërore në vendet kontraktuese.

Ndërsa, Arben Kllokoqi, ekspert i energjisë elektrike në Komunitetin e Energjisë, foli rreth kontratave për ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re”.

Ai theksoi se garantimi i çmimit dhe blerjes së energjisë elektrike, mbulimi i rreziqeve (kreditore, atyre të tregut, TVSH-së) dhe kostove tjera që tracionalisht lidhen me prodhuesit (sikurse përdorimi i sistemit, imbalancat) janë disa nga pjesët e kontratave të nënshkruara në mes të institucioneve të Kosovës dhe ContourGlobal që përbëjnë ndihmë shtetërore dhe kërkojnë rishikim nga Komisioni për ndihmë shtetërore në Kosovë.

Sipas tij, komentet e Sekretariatit rreth pikave më lartë nuk janë adresuar ende nga institucionet gjegjëse në Kosovë.

Marie-Therese Richter, eksperte ligjore në Komunitetin e Energjisë, foli rreth bazës ligjore që përkon me ndihmën shtetërore bazuar në legjislacionin e Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë si dhe atij të vendeve kontraktuese. Znj.Richter prezantoi edhe rastin e “Kolubara B” në Serbi dhe “Tusla 7” në Bosnje, që përbënin garantim të kredive nga shtetet në fjalë si dhe transfer të pronës shtetërore tek përfituesi (në rastin e “Kolubara B”).

Ndërsa, Shkumbin Asllani, këshilltar ligjor i Ministrit të Zhvillimit Ekonomik në Kosovë, theksoi se sipas vlerësimit të Qeverisë së Kosovës transkacioni për ndërtimin e “Kosovës së Re” nuk përbën ndihmë shtetërore dhe është në vijë me legjislacionin në fuqi në Kosovë si dhe me Traktatin e Komunitetit të Energjisë.

Në debat kontribuuan edhe te ftuarit tjerë nga fusha e mediave, akademia dhe shoqëria civile.

Raportin në gjuhën angleze mund ta gjeni të bashkangjitur në këtë email ose duke klikuar KËTU. Versioni i përkthyer në gjuhën shqipe do të publikohet ditëve në vijim.

Kalendari

Ngjarjet e datës 15 nëntor 2019  - Klinika e Neonatologjisë dhe Shoqata e Neonatologëve të Kosovës, organizojnë Konferencën e I-rë nderkombëtare. (Hotel Garden, ora 9:00)

- Policia e Kosovës në shënim të ditës botërore të përkujtimit të viktimave në trafikun rrugor, në bashkëpunim me Këshillin e Sigurisë në Trafikun Rrugor dhe me Shoqatën e Sigurimeve , do të mbaj tryezë për shënimin e kësaj dite. (Salla Orion në Prishtinë në afërsi të Kino ABC, ora 9:30)

- Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë organizon tryezën dhe punëtorinë me temën “Status quo e Zhvillimit të Kërkimit dhe Inovacionit në Kosovë: Ide rreth së ardhmes së K&I në Kosovë”, mbështetur nga Projekti HERAS i cili përkrahet nga Qeveria e Austrisë. (Hotel Sirius, ora 9:30)

- Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale mban punëtorinë lidhur me “Udhëzuesin për miradministrimin e aktiviteteve minerare dhe mjedisore. (Hotel Amazona, ora 10:00)

- Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim në Kosovë, përmes projektit Interdev 2, organizon një panair me shoqatat e grave prodhuese për të shënuar Ditën Ndërkombëtare të Sipërmarrësisë së Grave. (Qendra Kulturore në Viti, ora 11:00)

- Ministria e Mbrojtjes organizon ceremoninë e certifikimit të rekrutëve të rinj të FSK-së, gjenerata e dytë 2019. (Kazerma 'Adem Jashari' në Komandën e Forcave Tokësore në Prishtinë, ora 11:00)

- Komuniteti artistik organizon takim përkujtimor për regjisoren Arzana Kraja. (Teatri Kombëtar, ora 12:00)

- Organizata ETEA dhe Kuvendi i të Rinjve të Prishtinës organizon ceremoninë e hapjes të minibibliotekës së lagjes Ulpiana. (Te fontana në lagjen Ulpiana, ora 12:00)

- Kryetarja e KQZ-së dhe anëtarët, presin në takim deputetët e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, anëtarë të Komisionit të Reformës Zgjedhore: znj. Rudina Hajdari, Myslim Murrizi dhe Ralf Gjoni. (Selia e KQZ-se, ora 12:00)

- Ministri i MMPH-së, Fatmir Matoshi, do të nënshkruajë gjashtë Udhëzime Administrative që avancojne fushën e kadastrës dhe regjistrimit të pronës. (Zyret e Agjencisë Kadastrale të Kosoves, ndërtesa e Arkivit të Kosovës, ora 14:00)

- Kryetari i Gjykatës Themelore në Gjilan, Ramiz Azizi, do të mbajë një konferencë për media në të cilën do të prezantohet raporti nga muaji korrik deri në muajin tetor për Gjykatën Themelore të Gjilanit, së bashku me Degët e saja. (Gjykata Themelore Gjilan, ora 14:30)

- Mbahet marsh përkujtimor në këmbë nga Lagja Arbëria, rrugës Fehmi Agani deri te Teatri Kombëtar ku do të bëhet ndezja e qirinjve në përkujtim të viktimave që kanë humbur jetën në aksidente në trafikun rrugor. (Kolegji i Shkencave të Aplikuara Teknike “Tempulli”, ora 18:00)

- Mbahet stërvitja e Kombëtares së Kosovës. (Stadiumi ‘Fadil Vokrri’, ora 18:00)

- Galeria e Ministrisë së Kulturës organizn hapjen e ekspozitës individuale të autores Lumjetë Havolli, e titulluar "Is This Me...Or i Do it For You Only!?". (Galeria e Ministrisë së Kulturës, ora 19:00)

- Qendra për Informim dhe Përmirësim Social feston hapjen e Linjës telefonike për parandalim të vetëvrasjes "Linja e Jetës" në Kosovë! (Menza Ramiz Sadiku, ora 21:00)