26 Prill 2024

Beqaj: Siguria e furnizimit me energji sfidë rajonale

Prishtinë, 26 mars - Siguria e furnizimit me energji është një nga sfidat e të gjitha vendeve në regjion, ndërsa përbën një nga shtyllat kryesore në Strategjinë e Energjisë së Republikës se Kosovës, ka deklaruar ministri i Zhvillimit Ekonomik, Besim Beqaj.

Këto komente ministri Beqaj i bëri sot në tryezën e punës të organizuar nga Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të energjisë elektrike të Kosovës-KOSTT ku u prezantua Studimi mbi Sigurinë e Furnizimit me Energji Elektrike të Kosovës (SFEE) për periudhën kohore deri në vitin 2030, ku merrnin pjesë akterë kryesorë të fushës së energjisë nga vendi rajoni dhe institucioneve ndërkombëtare në Kosovë.

Kreu i MZHE-së tha se Republika e Kosovës ka bërë hapa të rëndësishëm në këtë aspekt dhe nga vizita e fundit e drejtuesve të Sekretariatit të TKE-së është konsideruar si jashtëzakonisht të rëndësishëm, me ç’rast janë njoftuar për hapat që janë duke u bërë në aspektin e qasjes rajonale të trajtimit energjetik të Kosovës dhe tendencës për të integruar tregje të bollshme që të na mundëson siguri të energjisë elektrike.

“Ne jemi gjithashtu të përkushtuar që dhe në bazë të dokumenteve tona nga 1 janari 2015 tregu energjetik do të hapet konform dokumenteve të cilat janë aprovuar më herët dhe një studim i tillë është i mirëseardhur sepse na tregon qasjen se çfarë forme në mund t’i rrekemi kësaj problematike për të siguruar një miks sa më të mirë dhe sa më të qëndrueshëm të prodhimit të  energjisë elektrike në vend”, tha Beqaj.

Ai ka vlerësuar se ky studim gjithashtu synon evitimin e “vizave” eventuale në energji, parasheh pikun në nivelin më të lartë, mesatar, të ulët, sipas viteve dhe realisht është orientues i mirë se sa është nevoja për konsum të energjisë elektrike dhe cilat janë nevojat për të ardhmen

“Dua të them që ne për momentin në Kosovë mund të prodhojmë 800-1000 MW, varësisht prej gjendjes dhe hidrocentralet të cilat i kemi. Kosova A maksimalisht mund të prodhojë 390 MW energji elektrike, ndërsa Kosova B shkon deri në 600 MW. Mund të them pa asnjë lloj hezitimi që në dy vitet e fundit kemi prodhuar konform kapaciteteve instaluese që është një lëvizje jashtëzakonisht e fuqishme, pra kemi një përmirësim goxha të theksuar”, tha ministri Beqaj.

Sipas tij ekziston një përkushtim që hidrocentralet që kanë kapacitete prej 45 MË të avancohen me teknologji të reja, po ashtu të ndërtohet një hidrocentral i ri prej 23 MË në Komunë ë Deçanit, ndërsa 100 MË energji janë paralicencuar nga ZRRE në vitin e kaluar.
Më tej ministri Beqaj ka theksuar se pas një debati të gjerë është qartësuar situata rreth linjës 400 kV Kosovë- Shqipëri, pra është arritur marrëveshja në mes të KfW-së dhe Shqipërisë dhe kjo do të jetë një ndër bazat elementare për integrim të tregjeve tona  energjetike.

I pari i MZHE-së, ka vënë në pah se Qeveria është në proces të projekteve të reja energjetike, është duke u punuar për ndërtimin e TC ”Kosova e Re” , termat e referencës janë harmonizuar me Bankën Botërore dhe Komisionin Evropian dhe ftesa për oferta pritet të shpallet shumë shpejt.

Ai tha që të tri konsorciumet e parakualifikuara janë pjesë e garës dhe këtë e kanë konfirmuar edhe me shkrim dhe janë kompani të nivelit botëror, ndërsa ritheksoi se privatizimi i distribucionit është bërë në harmoni të plotë me standardet ndërkombëtare dhe kjo është konfirmuar edhe nga IFC-ja.

Ministri Beqaj nënvizoi se sipas planifikimeve “Kosova A” do të mbyllet në vitin 2017 dhe Qeveria ka marrë të gjitha masat dhe ka krijuar grupet punuese të cilat po punojnë duke u harmonizuar me BE-në.

“Ndërsa duke përfituar nga një moment jashtëzakonisht i rëndësishëm i anëtarësimit të Kosovës në BERZH, ne kemi pas disa takime në kuadër të strategjisë së BERZH-it ku gjendet edhe sektori energjetik dhe BERZH  konform standardeve evropiane për ambientin do të jetë e angazhuar edhe në  TC “Kosova e Re’”, tha Beqaj, duke shtuar se ky institucion gjithashtu është interesuar edhe për angazhimet të cilat janë në fushën energjisë së ripërtëritshme, ndërsa në konferencën e ardhshme vjetore e cila do të mbahet në Stamboll i ka mundësuar Kosovës që të kemi edhe një prezantim.

Krejt në fund ministri Beqaj tha se MZHE është në proces së rishikimit të Strategjisë së Energjisë dhe ftoi të gjithë akterët e interesuar, shoqërinë civile, përfaqësuesit e shkencës, përfaqësuesit profesional në fushën energjisë etj, që të japin kontributin e tyre që të kemi një strategji sa më të mirë të mundshme.

Duke folur mbi rëndësinë e Studimit dhe planifikimit afatgjatë, Kryeshef Ekzekutiv i KOSTT –it, Fadil Ismajli, theksoi se është tejet e rëndësishme që planifikimi i zhvillimit të sistemit elektroenergjetik dhe transmisionit të jetë koherent me planet zhvillimore të shtetit dhe të shtroi vizionin për shfrytëzimin optimal të burimeve energjetike të vendit, gjithnjë duke pasur parasysh karakteristikat e vendit tonë dhe pozitën gjeografike në rajon.

Ndërsa, Matthias Kiesler, Zv. Ambasador i RF të Gjermanisë në Kosovë  tha se furnizimi me energji të qëndrueshme dhe të përballueshme është një nga katër shtyllat kryesore të bashkëpunimit që Gjermani ka me Kosovën, me mbështetjen e USAID-it, e cila implementohet nga KfW. Ai tha se Qeveria e Gjermanisë në sektorin e energjisë viteve të fundit ka investuar mbi 124 milionë euro në Kosovë.

Ndryshe, Studimi mbi Sigurinë e Furnizimit me Energji Elektrike të Kosovës (SFEE) është financuar nga Qeveria Gjermane përmes Bankës për Zhvillim-KfW dhe është realizuar nga kompania konsulente Vattenfall/Gjermani.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)