27 Prill 2024

Beqaj: Qeveria synon energji stabile

Prizren, 28 shkurt - Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Besim Beqaj ka deklaruar se Qeveria e Kosovës ashtu edhe  shoqëria civile kanë një synim, të kemi një ambient sa më të mirë, një zhvillim të qëndrueshëm, një jetë të mirë për qytetarët, por kur të flitet për procese konkrete  duhet të kemi një komunikim profesional të argumentuar, i cili i çon në vend të gjitha synimet tona.

Këto komente ministri Beqaj i bëri sot në ditën e të Konferencës Ndërkombëtare për Opsionet e Qëndrueshme të Energjisë në Kosovë, që po mbahet në Prizren në organizim të KOSID-it, ku po marrin pjesë organizata të ndryshme vendore e ndërkombëtare që merren me fushën e energjisë.
 
“Programi ynë është drejt një orientimi të djathtë ekonomik, që në parim kërkon sa më pak përfshirje të shtetit dhe sa më shumë sektor privat në ekonomi”, tha ai, duke shtuar se edhe vendet skandinave ku është shumë të zhvilluar social-demokracia janë duke shikuar zvogëlimin e rolit të shtetit.

Sipas tij, nga këto orientime buron orientimi që në sektorin e energjisë përveç investimeve që janë bërë shumë vite nga buxheti, të kemi investime nga sektori privat, investime që do të çojnë në realizim e strategjinë energjetike që është aprovuar nga Kuvendi  i Republikës së Kosovës, dhe  institucionet e kanë obligim ta zbatojnë brenda mundësive.

“Sektori i energjisë është sektor kyç, strategjik, sektor që e bënë jetën e qytetarëve dhe ekonominë tonë “të jesh apo të mos jesh”. Ne duhet të zgjedhim atë që është e përdorshme e mundshme për të funksionuar në një shtet”, tha Beqaj.

Ai tha se tani është duke u rishikuar Strategjia për energji, e cila ka pasur tri synime themelore; strategji që është dashur të vendos në fokus sigurimin e furnizimit me  energji elektrike, energji të përballueshme për qytetarë dhe që respekton ambientin dhe në këtë kontekst është zhvilluar legjislacioni me synim të bëhet legjislacion funksional në Kosovë i cili është i përafërm me legjislacionin e BE-së dhe  SHBA-së.

Kreu i MZHE-së tha se gjithashtu gjatë dy muajve të ardhshëm do të bëhen përgatitjet për të filluar diskutimin e tri ligjeve bazike të energjisë, konform kërkesave  për pakon e tretë legjislative të BE-së që është kërkesë edhe e Komisionit Evropian dhe Sekretariatit të  TKE –së dhe ka ftuar shoqërinë civile të jap kontributin e saj.

Më tej ministri Beqaj është ndalur te projektet energjetike me ç’rast ka theksuar se Termocentrali Kosova e Re është në fazën  finale të përgatitjes të dokumentacionit të nevojshëm,  me qëllim të  publikimit  të tij  për investitorët  e parakualifikuar. Dhe të njëjtat u janë dhënë për komente institucioneve relevante BB, KE dhe BERZH.

“Nëse shohim qëndrueshmërinë financiare, nëse shohim qëndrueshmërinë energjetike në rajon jemi të determinuar që të vazhdojmë me projektin “Kosova  e Re”  dhe ai projekt do të jetë shumë shpejt në proces. Të gjitha kompanitë e parakualifikuara janë të interesuara të vazhdojnë këtë proces duke përfshirë kompani amerikano-greke, amerikano -gjermane dhe turke”, tha ai.

Beqaj tha se TC i ri parashihet të ndërtohet me teknologjinë më të mirë të mundshme,  sipas standardeve evropiane, i cili do të jetë efiçient në funksion të çmimit të arsyeshëm të faturave për qytetarët. Ndërkaq, paralajmëroi se rreth fundit të marsit do të shpallet ftesa për ofertë, me tendencë që fituesi të shpallet brenda këtij viti.

I pari i MZHE-së potencoi se ka aktivitete të shumta edhe sa i përket energjisë alternative.

”Në vitin e kaluar kemi licencuar 21 kompani për ndërtim të  20 MW, por kemi paralicencuar edhe 100 MW të tjera në dhjetor të vitit të kaluar, të cilat tani janë në fazën e hartimit të projekteve të tyre përfundimtare, të cilat kanë aprovimin nga komuna edhe nga rregullatori”, tha Beqaj.

Ai tha se MZHE ka dërguar kërkesën për tarifat nxitëse në ZRRE për energjinë solare dhe sipas llogaritjeve çmimi do të jetë jo më pak se 150 euro për MW. Nëse shkohet deri në 20 MW, deri në vitin 2020, kjo do të reflektohet diku rreth 30 euro për faturë për qytetarë, si subvencionim i cili shkon nga shteti.

Duke u ndalë te efiçeinca e energjisë, Beqaj tha se kjo është një nga prioritetet, për çka në institucione financiare Qeveria ka aplikuar për një fond mbi 50 milionë euro në nivelin publik, ndërsa BERZH do të mbështes sektorin privat në fushën e efiçiencës së energjisë.

Ministri Beqaj tha se në bashkëpunim me BB-në dhe KE-në është  në përgatitje të konferencës së donatorëve për EE dhe BRE, ku do të flitet edhe për dekomisionimin e “TC Kosova A”.

“Ne jemi të interesuar që ta dekomisionojmë “Kosovën A” sa më shpejt që është e mundur, por fushata kundër TC Kosova e Re është zgjatje e jetëgjatësisë së TC Kosova A. Njëkohësisht shfrytëzimi i fushatave kundër Kosovës se Re ka qenë jo humane, jo korrekte me keqpërdorimin e fëmijëve në fushata, e cila sipas standardeve ndërkombëtare nuk do të duhej të lejoheshin”, tha ministri Beqaj.

Ndër të tjera, Beqaj ka folur edhe për projekte të tjera të cilat kanë të bëjnë me procesin e reformës strukturale në fushën energjetike.

Ai tha se privatizimi i distribucionit është në fazën përmbyllëse të përgatitjes për ta transferuar kompaninë, ndërsa debati lidhur me këtë transaksioni ka qenë jo profesional dhe tendencioz, megjithëse Kosova ka marrë parasysh të gjitha gabimet të cilat janë bërë në rajon dhe sipas strukturës ky është transaksioni më i mirë në regjion. 


 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)