25 Prill 2024

BB shqyrton garancionin për rrezikun e investimeve

Prishtinë, 10 nëntor - Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Besim Beqaj, është takuar me një delegacion të Bankës Botërore, të kryesuar nga Drejtoresha e Bankës Botërore për Evropën Juglindore, Jane Armitage.

Në takim është diskutuar për strategjinë e re katër-vjeçare të Bankës Botërore për Kosovën, përfshirë këtu edhe përkrahjen e mëtutjeshme të Bankës Botërore për sektorin e energjisë.

Ministri Beqaj ka falënderuar Bankën Botërore për ndihmën e saj financiare zhvillimore dhe ka shprehur gatishmërinë e Qeverisë së Kosovës për të vazhduar bashkëpunimin me Bankën Botërore.

Armitage ka konfirmuar përkushtimin e Bankës Botërore për vazhdimin e përkrahjes për zhvillimin e Kosovës. Ajo ka informuar Ministrin se përgatitjet për hartimin e strategjisë së re të Bankës Botërore për Kosovë për periudhën 2012-2015 kanë filluar.

Strategjia e partneritetit me Kosovën do të zhvillohet gjatë katër-pesë muajve të ardhshëm. Të menduarit e Bankës Botërore për momentin shkon kah zhvillimi i një programi që ka për qëllim promovimin e konkurrueshmërisë, rritjes ekonomike, dhe punësimit, si dhe përmirësimin e kushteve ekonomike dhe përmirësimin e shfrytëzimit të resurseve natyrore.

Ajo tha se Banka Botërore do të diskutojë idetë për një program të ri me Qeverinë dhe me palët tjera gjatë muajve të ardhshëm.

Armitage po ashtu ka informuar Ministrin se Banka Botërore është duke shqyrtuar kërkesën për dhënien e Garancionit të Pjesërishëm për Rrezikun për investimet e sektorit privat në gjenerimin e energjisë, që është kërkuar nga Qeveria e Kosovës.

"Banka Botërore ka emëruar një Panel të jashtëm ekspertësh për të shqyrtuar nëse projekti i propozuar përmbush kriteret e përcaktuara në “Kornizën Strategjike për Zhvillim dhe Ndryshimet Klimatike” të Bankës Botërore për përkrahjen financiare të projekteve të gjenerimit të energjisë nga djegia e lëndëve fosile."

Paneli i ekspertëve ka vizituar Prishtinën në muajin gusht për t’u takuar me palë të ndryshme, përfshirë këtu edhe përfaqësues të shoqërisë civile. Paneli i ekspertëve pritet ta përfundojë shqyrtimin muajin e ardhshëm.

Ministri Beqaj tha se i gëzohet përfundimit të punës së Panelit të Ekspertëve dhe vazhdimit të përkrahjes së Kosovës nga Banka Botërore.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)