24 Prill 2024

BB ndan 4.2 milionë dollarë për përpjekjet mjedisore të Kosovës

Prishtinë, 11 maj - Bordi i Drejtorëve Ekzekutivë të Bankës Botërore ka miratuar sot një Financim Shtesë për Projektin e Pastrimit dhe Rifitimit të Tokës në Sektorin e Energjetikës të Kosovës në vlerë prej 4.2 milionë dollarëve amerikanë për të vazhduar adresimin e çështjeve mjedisore, largimin e kemikateve të rrezikshme nga një vend i vjetër gazifikimit dhe për të ndërtuar kapacitete për praktika të mira mjedisore në miniera dhe në sektorin e energjetikës.

Financimi shtesë do të fuqizojë mbështetjen për projektet e aktiviteteve në zhvillim e sipër: largimin dhe hedhjen adekuate të llumit të katranit dhe depozitave të katranit, mbjelljen e fidanëve në djerrina dhe rifitimin e tokës për habitatin natyral ose për zhvillimin e komunitetit.

Do të financohen edhe aktivite të reja, duke përfshirë këtu: pajisjet për monitorimin e ajrit për matjen e të dhënave bazë të cilësisë së ajrit, monitorimin e tokës dhe ujit që të grumbullohen të dhëna mbi nivelet e ndotjes, një Vlerësim të Ndikimit Mjedisor dhe Social (VNMS) për projektin e propozuar energjetik të Kosovës, një panel me ekspertë ndërkombëtarë për të shqyrtuar VNMS dhe procesin e zhvendosjes, dhe zhvillimin e një strategjie energjetike të rritjes së ulët të karbonit.

“Banka Botërore është serioze për energjinë e pastër, dhe po e ndihmon Kosovën në mënyra të ndryshme për të arritur cakun e saj afatgjatë të modernizimit të sistemit të saj energjetik”, tha Ellen Goldstein, Drejtoreshë e Bankës Botërore për Kosovë dhe Koordinatore Rajonale për Evropën Jug-Lindore.

“Zëvendësimi i termocentralit shumë ndotës Kosova A me teknologji të pastër moderne, investimi në alternativat e energjisë së ripërtëritshme dhe promovimi i efiçiencës së energjisë janë që të gjitha elemente përbërëse të përkrahjes sonë për Kosovën.\"

\"Njëjtë i rëndësishëm është edhe Projekti për Pastrimin dhe Rifitimin e Tokës, i cili adreson problemet e ashpra të trashëgimisë mjedisore dhe ndërton kapacitete për praktika të mira dhe monitorim të fuqishëm mjedisor në të ardhmen”, shtoi ajo.

Që nga vitit 2007, Projekti për Pastrimin dhe Rifitimin e Tokës ka adresuar trashëgiminë  më shumë se 40 vjeçare të gjenerimit të energjisë nga qymyri.

Termocentrali më I vjetër I Kosovës, Kosova A, ka emetuar sasi marramendëse të hirit në zonën përreth, duke ndotur ajrin dhe duke krijuar një kodër me hi që vërehet që nga kryeqyteti që është dhjetë kilometra larg.

Me mbështetjen e Bankës Botërore, Qeveria e Kosovës ka rehabilituar shumicën e kodrës së hirit dhe ka ndaluar rrëshqitjen e kësaj drejt shtëpive në afërsi. Pothuajse 156 hektarë të hirit që janë hedhur në deponitë e hirit tashmë janë niveluar dhe riformësuar dhe janë mbuluar me dhe.

Kur sipas planit sistemi i hirit të lagësht të vihet në funksion (të ndalet derdhja e hirit), pjesa e mbetur e deponisë së hirit do të riformësohet dhe do të mbulohet me dhe.

Ky projekt tashmë ka financuar mbjelljen e afërsisht 100,000 fidanëve në zonat e djerrinës të cilat janë stabilizuar gjithashtu.

Sot, më shumë se 600 hektarë janë vënë në dispozicion për habitatet natyrale dhe zhvillim të komunitetit apo për qëllime të tjera të përdorimit të tokës.

Si pjesë e projekti, janë trajtuar dhe larguar rreth 19,000 metër kub të mbetjeve toksike nga një impiant i braktisur i gazifikimit (katran, benzen, fenolet, metanoli dhe përbërjet vajore) që ishte në gjendje të përkeqësuar dhe të rrezikshme.

Financimi shtesë i miratuar sot do të mundësojë largimin e  çfarëdo mbetjeje toksike prioritare të gjetur në këtë vend si dhe shkarkimin adekuat të saj.

Ky Financim Shtesë po ashtu do të financojë tre stacione online të monitorimit të cilësisë së ajrit në zonën e projektit të ri energjetik të propozuar, çka do të mundësojë, për herë të parë në Kosovë, mbledhjen e të dhënave bazë të besueshme mbi cilësinë e ajrit.

Po ashtu, do të ndërmerret një program i elaboruar për mbledhjen e kampionëve të dheut dhe ujit dhe për analiza laboratorike, në mënyrë që të mblidhen dhe të analizohen të dhënat mjedisore bazë nga toka, ujërat nëntokësore dhe sipërfaqësore, dhe sedimentet e lumenjve. 

Në mënyrë që ta informojë procesin e vendim-marrjes mbi investimin e propozuar, duke përfshirë edhe vendimin e Bankës mbi garancinë e pjesshme të rrezikut të propozuar, si edhe për të rritur aftësitë e monitorimit dhe menaxhimit të Qeverisë së Kosovës, do të bëhet një Vlerësim i Ndikimit Mjedisor dhe Social (VNMS) për Projektin e propozuar Energjetik të Kosovës dhe infrastrukturën që do ta shoqërojë atë.

Për më tej, do të monitorohet zbatimi i Planit të Veprimit për Zhvendosje (PVZH) të lagjes Shala të fshatit Hade pranë minierës së thëngjillit.

Një Panel i Pavarur Ndërkombëtar me Ekspertë Mjedisorë dhe Socialë do të rekrutohet si për VNMS-në ashtu edhe PVZH-në, për të asistuar Qeverinë e Kosovës në përgatitje dhe zbatim. Do të përgatitet një strategji energjetike e rritjes së ulët të karbonit për të ndihmuar për uljen e kërkesës për energji dhe për të promovuar projektet e energjisë së ripërtërishme për investime të mundshme nga sektori privat dhe të tjerë, për identifikimin e mundësive për uljen e kërkesës së ardhshme për energji elektrike, për të rritur  gjenerimin e energjisë pa emetime shtesë, dhe mundësisht për të ulur emetimet e Gazrave të Efektit Serrë (GES).

Kostot totale të Projektit të Pastrimit dhe Rifitimit të Tokës në Sektorin Energjetik të Kosovës, deri më tash kanë qenë 13.65 milionë dollarë amerikanë, dhe janë siguruar prej një granti të IDA-s prej 10.5 milionë dollarëve dhe një kontributi prej rreth 3.15 milionë dollarëve nga Korporata Energjetike e Kosovës.

Aktivitetet u mbështetën edhe nga një grant i Qeverisë së Holandës prej rreth 3.81 milionë dollarëve. Huaja prej $4.2 milionë dollarëve e aprovuar sot nga Banka Botërore do të shoqërohet nga një grant i veçantë nga Qeveria e Holandës, prej rreth 1.13 milionë dollarësh amerikanë.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)