17 Qershor 2019

Banka Japoneze viziton Kosovën për termocentralin “Kosova e Re”

Prishtinë, 10 janar - Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka priti në takim delegacionin japonez nga Banka Japoneze për Bashkëpunim Ndërkombëtar (JBIC), në krye me drejtorin e divizionit për financim të projekteve energjetike, Ryuta Suzuki dhe ambasadorin kosovar në Japoni, Leon Malazogu, ku diskutuan rreth zhvillimeve në sektorin e energjisë të cilin e mbulon Ministria e Zhvillimit Ekonomik me theks të veçantë projektin e termocentralit “Kosova e Re”.

Lluka potencoi se Qeveria e Kosovës vazhdon të përballet me probleme energjetike për shkak të  vjetërsisë së kapaciteteve aktuale energjetike siç janë Kosova A dhe Kosova B si dhe theksoi rëndësinë që projekti Termocentrali Kosova e Re ka për zhvillimin ekonomik të vendit dhe, mbi të gjitha, për qytetarët e Kosovës.

Ministri Lluka tha se Contour Global planifikon që të vendosë gurëthemelin e termocentralit të ri gjatë gjysmës së parë të këtij viti dhe ta përfundoj atë deri në vitin 2023, ku me fillimin e operimit të termocentralit “Kosova e Re”, njëkohësisht të mbyllet termocentrali “Kosova A” dhe të përmbyllet rehabilitimi i termocentralit “Kosova B”. Kjo do të ndryshoj tërësisht kualitetin e ajrit në Kosovë dhe do të përmirësoj jetën e qytetarëve.

Në anën tjetër, Ryuta Suzuki, tha se Kosova ka rëndësi strategjike për vendin e tyre dhe se Japonia është e interesuar që të përkrahë financimin e projektit “Kosova e Re”, për shkak se ky projekt ka rëndësi të madhe për zhvillimin ekonomik të Kosovës.

Suzuki theksoi se edhe pse prodhimi bazë i termocentralit Kosova e Re do të jetë me qymyr, ai do të ndihmojë në realizimin e projekteve të energjisë efiçiente siç është edhe zgjerimi i projektit të kogjenerimit dhe rritjes së kapacitetit të tij me qëllim të përmirësimit të sistemit të ngrohjes qendrore për banorët e Prishtinës dhe disa komunave përreth, por edhe mbrojtjes së ambientit.

Delegacioni japonez është informuar edhe rreth aktiviteteve dhe investimeve në energji të ripërtërishme, ku Kosova është zotuar që do të ketë 25% të energjisë nga energjia alternative si dhe rreth projektit të sistemit të ngrohjes me biomasë në komunën e Gjakovës, dhe mundësinë e zhvillimit të projekteve të ngjashme në të gjitha komunat e Kosovës.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 18 qershor 2019 - Mbahet mbledhja e jashtëzakonshme e Kuvendit të Komunës së Prizrenit me pikën e vetme të rendit të ditës në lidhje me kërkesën për pezullim të financimit të klubit të futbollit "KF Liria" dhe formimin e një komisioni prej 5-7 anëtarëve nga ana e Kuvendit. (Salla e mbledhjeve të Kuvendit në Shtëpinë e Bardhë, ora 10:00)

- Agjencia e OKB-së për refugjatët në Prishtinë - UNHCR do të mbajë një takim të dialogut të hapur për të ngritur vetëdijen për Marrëveshjen Globale për Refugjatët. (Sheshi 21, ora – 12:00)

- Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismail raporton para Komisionit për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale lidhur me procesin e revidimit të listës esenciale të barnave dhe përfshirja e barnave për sëmundjet e rralla si dhe informatën rreth furnizimit të SHSKUK-së me infuzione. (Ndërtesa e Kuvendit, salla C 203, ora 10:00)

- Drejtorja e USAID-it në Kosovë Lisa Magno viziton Ministrin e Shëndetësisë dhe takohet me Ministrin Uran Ismailin. (Ndërtesa e Ministrisë së shëndetësisë, ora 10:00)

- Instituti Demokratik i Kosovës organizon tryezën diskutuese me temë ‘’Hartimi i politikave për reduktimin dhe ndalimin e përdorimit të qeseve dhe shisheve plastike”. (Hotel Sirius, ora 10:00)

- Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, së bashku me Kryesuesin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Skënder Çoçaj vizitojnë Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme. (Dhoma e Posaçme e Gjykatës Supreme, ora 10:30)

- Komisioni për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti, Industri dhe Zhvillim Rajonal shqyrton raportin me rekomandimet për mbikëqyrjen e zbatimit te Ligjit për Shërbime si dhe raportin Vjetor i Zyrës së Rregullatorit të Energjisë.  (Ndërtesa e Kuvendit, salla N 303, ora 11:00)

- Kryeministri Ramush Haradinaj bën homazhe dhe merr pjesë në tubimin përkujtimor te lapidari i dëshmorit Basri Canolli - Shpendi në fshatin Marec të Komunës së Prishtinës. (Fshati Marec, ora 11:00)

- Komisioni për Punë të Jashtme, Diasporë dhe Investime Strategjike mban dëgjim publik për Projektligjin për Diasporën. (Ndërtesa e Kuvendit,C-405, ora 11:00)

- 'Të flasim për Ekonominë' organizon tyrezë për të Drejtat Evropiane të Konsumatorëve për Kosovën. (Shtëpia e Evropës, Rruga e UÇK-së ora 11:00)

- Mbahet mbledhja e komisionit për Integrime Evropiane në të cilën do të shqyrtohet projektligji për mbrojtjen e ajrit nga ndotja, me amendamentet e Komisionit funksional nga aspekti i përputhshmërisë me legjislacionin e BE-së.  (Ndërtesa e Kuvendit, salla N204, ora 11:00)

- Drejtori i Inspekcionit i Komunes se Gjilanit, Nevzad Rushiti mban konferencë për media për 5 mujorin e punës dhe planifikimin për tre-mujorin e ardhshëm. (Zyra e kryetarit të Komunës së Gjilanit, ora 11:00)

- Grupi Parlamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovës mban konferencën për media. (Ndërtesa e Kuvendit te Kosovës, kati III, para sallës C301, ora 12:30)

- Mbahet ushtrimi gjithëpërfshires, ku do të simulohet një aksident ajror dhe do të reagohet në perputhje me standardet e Agjencionit Evropian per Siguri ne Aviacion. (Terminali i Aeroportit  "Adem Jashari", ora 14:30)

- Mbahet mbledhja e rregullt e Qeverisë së Republikës së Kosovës. (Ndërtesa e Qeverisë, ora 15:00)

- Ambassadori Kosnett do të flasë me rastin e përmbylljes së programit Lidershipi Transformues - Bursat dhe Partneritetet. (Hoteli Emerald, ora 17:30)

- Qendra Kinematografike e Kosovës në bashkëpunim me Komunën e Prishtinës dhe Kino Armatën për nder të njëzet vjetorit të çlirimit të qytetit të Prishtinës organizon Javën e Filmit me shfaqjen e filmave "Një Muaj" nga Zgjim Terziqi dhe "Daullet e Rezistencës" nga Methieu Jouffre. (Kino Armata, ora 20:00)