17 Tetor 2018

Banka Botërore nuk do të mbështesë termocentralin "Kosova e Re"

Indonezi, 10 tetor - Drejtori Ekzekutiv i organizatës joqeveritare Balkan Green Foundation, Visar Azemi dhe Burim Ejupi nga Instituti për Politikat Zhvillimore (INDEP) po marrin pjesë në Takimet Vjetore të Grupit të Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar në Bali, Indonezi.

Këto takime bashkojnë bankierët qendrorë, ministrat e financave dhe të zhvillimit, drejtuesit e sektorit privat, shoqërinë civile, mediat dhe akademinë për të diskutuar çështje mbi perspektivën ekonomike botërore, stabilitetin financiar global, çrrënjosjen e varfërisë, rritjen ekonomike, e ndryshet klimatike.

Gjatë një takimi me përfaqësues të Organizatave të Shoqërisë Civile, Drejtoresha Menaxhuese e Fondit Monetar Ndërkombëtar, Christine Lagarde dhe Presidenti i Grupit të Bankës Botërore, Jim Yong Kim, diskutuan me me shoqërinë civile një gamë të gjerë temash zhvillimore.

Ndër të tjera diskutime gjatë takimit në fjalë, Azemi i drejtoi pyetje z. Kim lidhur me qëndrimin e Bankës Botërore për mbështetjen e projektit me qymyr në Kosovë, ku Z. Kim konfirmoi se Banka Botërore ka marrë një vendim të qartë për të mos përkrahur termocentralin "Kosova e Re".

Kim deklaroi se“Na kërkohet me aktet tona nënligjore të ndjekim opcionet me kosto më të ulët - meqë burimet alternative tani janë nën koston e qymyrit, pa dyshim nuk do ta mbështesim një projekt të tillë."

Tani Balkan Green Foundation i bën thirrje BERZH-it dhe insitucioneve tjera financiare ndërkombëtare që të deklarojnë nëse do të ndjekin të njëjtin veprim si Banka Botërore dhe të mbështesin tranzicionin drejt shfrytëzimit të burimeve të ripërtëritshme për prodhimin e energjisë, ndërkohë që largohen nga lëndët djegëse fosile!

Kalendari

Ngjarjet e datës 17 tetor 2018

- Mbahet mbledhja e Komisionit për Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media në të cilën do të shqyrtohet Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për festat zyrtare në Republikën e Kosovës. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N204, ora 10:00)

- Mbahet ceremonia e nënshkrimit të Memorandumit të Bashkëpunimit në mes të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” dhe Ministrisë se Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, për financimin e projektit “Qendra e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë në UP". (Rektorati i UP-së, ora 10:00)

- Mbahet tryeza e kampanjës informuese “Kodi Civil ndikon në statusin ligjor të qytetarëve”, organizuar nga  projekti i financuar nga Bashkimi Evropian “Mbështetje Kodit Civil – faza 2”. (Hotel Happy në Gjakovë, ora 10:00)

- Kryeministri Ramush Haradinaj pret në takim Ansamblin Kombëtar të Këngëve dhe Valleve “Shota”, të cilin do ta nderojë me medaljen e Gjergj Kastritot - Skenderbeu. (Ndërtesa e Qeverisë, ora 10:00)

- Pesë profesorë  nga Budapesti do të vizitojnë  Universitetin “Ukshin Hoti” në Prizren, ku edhe promovohet libri “Distribution atlas of vascular plants in Albania” botuar nga botanisti prof. dr. Zoltán Barina dhe mbahet një ligjëratë nga prof. dr. Antal Molnár. (Amfiteatrin e Fakultetit të Shkencave të Jetës dhe Mjedisit, ora 10:00)

- Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi  do të nënshkruajë Udhëzimin Administrativ për Ndëshkime me Gjoba Mandatore. (Kabineti i Ministrit Matoshi, kati 17, ish objekti “Rilindja”, ora 11:00)

- Mbahet mbledhja e Komisionit për Buxhet dhe Financa në të cilën do të shqyrtohet plotësimi dhe ndryshimi i Ligjit për Automjete, për Efiçiencë të energjisë, etj. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N 303, ora 11:00)

- Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, përuron objektin e Qendrës Rinore në Vushtrri. (Vushtrri, ora 11:00)

- Drejtori i Mbrojtjes dhe Shpetimit, Sami Spahiu nga Komuna e Gjilanit mban konferencë për media. (Zyra e krytarit të komunës, ora 11:00)

- Let’s Do It Kosova do të organizoj aksionin e pastrimit në Lipjan. (Oborri i Komunës së Lipjanit, ora 12:00)

- Komisioni për Punë të Jashtme, Diasporë dhe Investime Strategjike do të mbajë mbledhjen e radhës në të cilën do të shqyrtoj vlerësimet e sindikatës së MPJ-së lidhur me shkeljet në shërbimin e jashtëm. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N-303, ora 13:00)

- Mbahet mbledhja e Komisionit për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini, Sporte, Inovacion dhe Ndërmarrësi në të cilën do të shqyrtohet Projektligji për statusin e punëtorëve të arsimit shqip të Republikës së Kosovës nga viti shkollor 1990/91 deri në vitin shkollor 1998/99. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N 225, ora 13:00)

- Lëvizja Vetëvendosje! mban konferencë për media. (Zyrat e Vetëvendosjes, ora 15:00)

-  Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, merr pjesë në takim me struktura drejtuese të Nismës në Vushtrri dhe Mitrovicë. (Restaurant Holiday në Vushtrri, ora 17:00)

- Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, merr pjesë në hapjen e “Java e bizneseve nga diaspora”, e cila organizohet nga Ministria e Diasporës dhe Investimeve Strategjike, në bashkëpunim me Odën Ekonomike Gjermano-Kosovare. (Hotel Emerald, ora 19:00)