24 Prill 2024

Avancimi i përfitimeve nga shfrytëzimi i burimeve minerale

Prishtinë, 7 korrik  - Ministria e Energjisë dhe Minierave (MEM) në bashkëpunim me  Komisionin e Pavarur për Miniera dhe Minerale (KPMM) ka mbajtur sot tryezën me temë “Avancimi i përfitimeve për Kosovën nga shfrytëzimi i burimeve minerale”, ku diskutimet janë fokusuar në shfrytëzimin racional të resurseve minerare të Kosovës dhe aplikimin e tantiemave të arsyeshme.

Në këtë tryezë, përveç Ministres Justina Shiroka-Pula, zv.ministrit, Blerim Rexha të pranishëm ishin edhe përfaqësues të, MEF, KPMM, USAID, Kompleksit Trepça,
ZRrE, Fakulteti i Xehetarisë – UP, Fakulteti Ekonomik – UP, KFOS, RIINVEST dhe kompani të kësaj fushe.

Me këtë rast, Ministrja Pula ka vlerësuar se burimet minerare janë ndër pasuritë natyrore më të mëdha që ka Kosova dhe valorizimi i këtyre burimeve kërkohet të arrihet sa më shpejt, në mënyrë që të ardhurat prej tij të përdoren për mbështetjen e zhvillimit sa më të shpejtë dhe të qëndrueshëm ekonomik dhe social të vendit.

“Ashtu siç e përkufizon Kushtetuta e Republikës së Kosovës, në nenit 122, paragrafi 1 që ‘Populli i Republikës së Kosovës, në pajtim me kushtet e arsyeshme të përcaktuara me ligj, mund t’i gëzojë resurset natyrore të Republikës së Kosovës,...’, në këtë frymë, në bashkëpunim të ngushtë me të gjithë aktorët relevantë, gjatë vitit 2009 ka përgatitur draft-ligjin për Miniera dhe Minerale, i cili pritet të miratohet së shpejti nga Kuvendi i Kosovës”, ka thënë Pula.

Ajo ka bërë të ditur se gjatë vitit 2009 është finalizuar edhe Strategjia Minerare 2010-2025, e cila tashmë, e miratuar nga Qeveria, është për shqyrtim në Kuvendin e Kosovës

Miniastrja Pula ka nënvizuar se të ardhurat direkte që mund të realizohen nga dhënia në shfrytëzim e burimeve minerare mund të jenë të formave të ndryshme duke përmendur  më kryesoret:

1.Tantiemat që vendosen nga KPMM, në përputhje me nenin 48 të Rregullores 2005/3 “Mbi Minierat dhe Mineralet në Kosovë”, dhe

2.‘Renta ekonomike’ që arrihet në marrëveshje me investitorët fitues të projekteve (koncesioneve). 

Sipas saj, këto dy të ardhura kryesore direkte definohen edhe në Strategjinë Minerare 2010-2025.

Azem Rexha drejtor i Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale ka bërë të ditur se me kërkesë të Kuvendit dhe Qeverisë është formuar një grup punues për rishikimin e tantiemave, të cilat pas konsultimeve të nevojshme do të miratohen në Bordin e KPMM-së.

Rexha tha se KPMM qysh në vitin 2007 ka konstatuar se tantiemat në Kosovë për resurse minerale janë më të ultat në rajon andaj është inicuar rishikimi i tyre.

Drejtori i Kompleksit Trepça, Ferat Shala ka theksuar se nuk është kundër vendosjes së tantiemave për shfrytëzimin e resurseve minerare, por ka vënë në dukje se në kohën që Trepça është në proces të ristrukturimit dhe ende subvencionohet nga buxheti i Kosovës nuk mund të përballojë rentën e propozuar.

Gjithashtu edhe drejtori menaxhues i Korporatës Energjetike të Kosovës, Arben Gjukaj ka shprehur shqetësimin e tij me çmimin e propozuar si tantiem për linjitin, duke theksuar se ai do të ndikojë direkt në ngritjen e çmimit të energjisë, respektivisht do të rëndojë mbi konsumatorin.

Mospajtim me propozimet e kuotave të tantiemave kanë shprehur edhe përfaqësues të Kompanisë Ferronikeli, të cilët kanë vlerësuar tepër të lartë ngritjen e tantiemave sipas propozimeve të bëra nga KPMM. Ata kanë potencuar se do të ketë ngritje lineare të tantiemave, kompania do të orientohet në importimit të xehes për të mbajtur rentabilitetin e saj.
Prof. Bajram Shabani ka thënë se me rastin e llogaritjes së tantiemave ajo duhet të bëhet në bazë të çmimit të kontraktuar të kompanisë dhe jo sipas berzës ngase ajo lëviz shpesh. Sipas tij çmimet e propozuara nga KPMM janë të arsyeshme.

Luan Shllaku nga KFOS ka theksuar se shumica e vendeve që kanë pasuri minerare i taksat dhe tantiemat i kanë si dy taksa të veçanta dhe ka kërkuar që tantiema për linjit të mos llogaritet me çmim fiks në kohën kur pritet ngritja e çmimit të energjisë, por kjo të bëhet me formulë konform zhvillimeve.
 
Ndryshe, në diskutimet e tyre ekspertë dhe njohës të kësaj fushe, si prof. Shyqyri Kelmendi nga Fakulteti i Xehetarisë, prof. Ali Jakupi – Fakulteti Ekonomik, Muhamet Sadiku, RIINVEST etj,  kanë kërkuar që tantiemat që do të vendosen duhet të mundësojnë që burimet minerare të vendit të shfrytëzohen në mënyrë sa më racionale duke mbrojtur interesat e vendit, por në anën tjetër të mos ndikojnë në uljen e interesit të investitorëve në këtë fushë.

Nga ky takim kanë dalë këto Konluzione:

1. Në Kosovë ekziston një bazë moderne ligjore në mbështetje të shfrytëzimit racional të burimeve minerare për të siguruar të ardhura maksimale të mundshme për popullin e Kosovës, por njëherësh edhe mundësuar arritjen e  e fitimeve të mira dhe të pritur nga investitorët privat

2. Programi i Qeverisë dhe Strategjitë për sektorin e energjisë dhe minerave parashohin qartë politikat që duhet të zbatohen për të maksimizuar profitet nga burimet minerale në Buxhetin e Kosovës

3. Kohët e fundit KPMM-ja e mbështetur nga MEF ka ndërmarrë hapin e parë pozitiv në këtë drejtim, duke miratuar tantiemat e reja për burimet minerale dhe duke i lidhur me ato me vlerat në tregjet e hapura

4. MEM, MEF dhe KPMM janë të pirur të vazhdojnë dhe të organizojnë tryeza të tilla me të gjithë akterët vendor dhe ndërkombëtarë për të shkëmbyer mendime dhe ide me synim ndërgjegjësimin e gjithmbarshëm dhe përshpejtimin e hapave për zhvillimin e shpejtë të sektorit minerar. 
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)