23 Janar 2022

Agjencia Austriake për Zhvillim bashkë me UNDP-në forcojnë veprimin lokal për klimën

Prishtinë, 3 nëntor - Sot, Agjencia Austriake për Zhvillim (ADA) dhe Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) në Kosovë nënshkruan një marrëveshje për ndarjen e kostove nga palët e treta për të mbështetur komunat e Kosovës në rrugëtimin drejt tranzicionit për një zhvillim neutral ndaj karbonit.

Christoph Weidinger, ambasador i Austrisë në Kosovë dhe znj. Maria Suokko, Përfaqësuese e Përhershme e UNDP-së, në prani të përfaqësuesve nga Zyra e ADA-së në Kosovë, nënshkruan marrëveshjen për të vazhduar të punohet edhe më tej sipas suksesit të projektit “Urban NAMAs” në Prizren, si dhe duke u zgjeruar edhe në komunën fqinje të Suharekës. Kjo marrëveshje shënon vazhdimin e bashkëpunimit me qëllim të zvogëlimit të emetimeve të gazrave serrë (GHG) dhe të kontribuojë në tranzicionin e gjelbër në Kosovë.

Christoph Weidinger, ambasador i Republikës së Austrisë në Kosovë, u shpreh i kënaqur që projekti “Forcimi i Veprimit Lokal për Klimën” është vazhdimësi e kontributit të Austrisë në tranzicionin e gjelbër të Kosovës. Ambasadori Weidinger theksoi rëndësinë e veprimit të përbashkët global dhe në bashkëpunim të ngushtë me sektorin privat për të trajtuar në mënyrë efektive ndryshimet klimatike. Austria vazhdon të luajë rolin e saj në këtë fushë.”

Maria Suokko, Përfaqësuese e Përhershme e UNDP-së, tha me këtë rast: “Kemi kënaqësinë të vazhdojmë bashkëpunimin tonë të shkëlqyer me ADA-në dhe Komunën e Prizrenit dhe mirëpresim zgjerimin e partneritetit me Komunën e Suharekës."

"Përderisa ky projekt i ri na lejon të punojmë në bazë të rezultateve të shkëlqyera të arritura deri më tani, njëherit na jep mundësi për të hulumtuar edhe dinamikën rurale-urbane, risitë shoqërore si dhe mënyrat të reja mobilizimi për të financuar veprimet për klimën."

"Partneriteti afatgjatë me ADA-në na ka mundësuar të zhvillojmë planifikim të bazuar në dëshmi dhe të vemë në përdorimqasje të reja për veprimin klimatik në Kosovë – andaj ne presim me padurim të angazhohemi edhe me një gamë të gjerë të palëve të interesuara ndërsa ecim përpara me këtë iniciativë”.

Sandra Horina, shefe e zyrës në Zyrën Koordinuese Austriake në Prishtinë theksoi se ADA është shumë e lumtur të mbështesë komunat e Kosovës në tranzicionin e tyre drejt zhvillimit të zero emetimeve duke u bazuar në rezultatet e projektit të mëparshëm “Mbështetje për Prizrenin e Qëndrueshëm – Inicimi i NAMA-ve Urbane”.

“Aktualisht po ndjekim lajmet për konferencën e Aksionit për Klimën COP26 dhe besoj se të gjithë duhet të veprojmë tani në emër të këtij dhe brezave të ardhshëm. Me këtë projekt ne synojmë të reduktojmë emetimet serrë dhe të kontribuojmë në një zhvillim karbon neutral përmes një qasjeje të integruar dhe të ndjeshme ndaj gjinisë."

"Ne do të përfshijmë së paku 620 përfitues të drejtpërdrejtë nga institucionet publike dhe sektori privat në aftësim dhe aktivitete ndërgjegjësuese, nga të cilët të paktën 340 do të jenë gra”, tha znj. Horina.

Së bashku me kontributin e ADA-së prej 1 milion eurosh për projektin “Forcimi i Veprimit Lokal të Klimës”, 100,000 euro shtesë nga komuna e Prizrenit dhe 50,000 euro nga komuna e Suharekës janë dëshmi dhe përkushtim për të punuar së bashku në luftimin e ndryshimeve klimatike.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 23 janar 2022

- Në kuadër të manifestimit “Flaka e Janarit” do të mbahet Festivali i dramës origjinale shqipe “Talia 2022”. (Teatri qytetit të Gjilanit, ora 18:00)