20 Prill 2024

200 thasë mbeturina largohen nga Lumi Erenik

Gjakovë, 26 maj - Mbi 100 vullnetarë kanë pastruar sot Lumin Erenik, nga ku janë larguar 200 thasë me mbeturina.

Aksioni i organizuar nga Let’s Do It Kosova, që zgjati për disa orë është zhvilluar tek Ura që e lidh lagjen Blloku i Ri me fshatin Moglicë.

Aksionit iu bashkuan edhe disa vullnetarë nga “Ta Pastrojmë Shqipërinë”, si dhe përfaqësues nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.

Për aksionin e sotëm, Kompania turistike “Dita” ka bërë transportin e vullnetarëve, Kompania “Meridian” ka ofruar ushqim dhe ujë për vullnetarët, ndërsa thasët për mbeturina janë dhuruar nga Kompania “Scampa”.

Thasët e mbushur me mbeturina nga vullnetarët janë larguar nga Kompania “Çabrati”, punëtorët e së cilës i janë bashkuar aksionit të vullnetarëve për pastrimin e Erenikut.

Për organizimin e aksionit, ndihmë kanë ofruar edhe Komuna e Gjakovës, Organizata ‘IFK’, Shoqata e Peshkatarëve dhe organizata të tjera joqeveritare në këtë komunë.

Let’s Do It Kosova shpreson se organizimi i këtyre aksioneve do të ndikojë në rritjen e vetëdijesimit tek qytetarët për ruajtjen dhe mirëmbajtjen e hapësirave publike, sidomos lumenjve, gjendja e të cilëve po përkeqësohet dita ditës.

Po ashtu, u bëjmë thirrje edhe institucioneve që të mos lejojnë degradimin e hapësirave publike në këtë mënyrë dhe të marrin masa konkrete për përmirësimin e gjendjes së tyre.

Një fotografi e lumit Erenik të mbushur me mbeturina ishte publikuar ditë më parë në revistën e njohur botërore National Geographic.

Nuk duhet të lejojmë që pamje si kjo të bëhen lajm ndërkombëtar për Kosovën. Është përgjegjësi e secilit qytetar që të ruaj dhe të mirëmbajë hapësirat që janë pronë e përbashkët e të gjithë neve.

Aksioni i sotëm për pastrimin e lumit Erenik i ka paraprirë aksionit “Ta Pastrojmë Kosovën”, i cili organizohet më 5 Qershor, në Ditën Botërore të Mjedisit.


 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)