27 Prill 2024

Vite të vështira për ekonominë britanike

Londër, 15 korrik - Zhvillimet ekonomike zënë vend qëndror në të gjitha gazetat e mëdha britanike të së mërkurës.

"Miliona persona përballen me një periudhë katërvjeçare të rënies së standardeve të jetesës" paralajmëron gazeta "The Daily Telegraph". Gazeta citon ekonomistin, Geoff Dicks, një nga tre anëtarët e Zyrës për Efikasitetin e Buxhetit, t'u ketë thënë deputetëve se Britania do të përballet me ulje reale të të ardhurave.

Pagat e punonjësve të sektorit publik janë ngrirë për një periudhë dyvjeçare, ndërsa shumë punonjës të sektorit privat janë detyruar të pranojnë marrëveshje të ngjashme ose punë me orar të reduktuar për të ruajtur vendet e punës.

Gazeta "The Independent" hapet me atë që e quan "Historia e patreguar e borxhit të Britanisë". Gazeta publikon shifrat e Zyrës Kombëtare të Statistikave, sipas së cilës, borxhi i brendshëm i Britanisë është gati 4 trilion stërlina, ose afro katër herë më i lartë se dihej deri më tani.

Borxhi lidhet me koston e sektorit publik dhe pensionet shtetërore, si dhe pagesat që u janë premtuar kontraktorëve privatë përmes nismave financiare private.

The Independent përllogarit se "nëse brezi i taksapaguesve të sotëm dëshiron ta ulë faturën fiskale për fëmijët dhe nipërit e vet, atëherë duhet të paguajë sot gati 30 për qind më shumë taksa.

"Buxheti i ministrit të financave Osborne, shton rrezikun e kthimit në recesion", shkruan "The Times".

Ekspertët e ekonomisë po paralajmërojnë për mundësinë e rrëshqitjes së ekonomisë britanike në një recesion të dyfishtë. Kjo është një gjendje kur një ekonomi e brishtë ngadalëson rritjen në fazën e hershme të rimëkëmbjes nga recesioni ekzistues.

"The Times" sjell parashikimet e Sir Alan Budd, kreu në largim i Zyrës për Efikasitetin e Buxhetit, sipas të cilit ekonomia britanike përballet me një gjendje 'jashtëzakonisht të pasigurt'. Sir Alan nuk e përjashton mundësinë e 'një recesioni të dyfishtë', por as atë të një rimëkëmbjeje të fuqishme të ekonomisë britanike.

Gjendja e vështirë e financave te vendit zë kryeartikullin e gazetës "The Guardian".

"Shkurtoni vendet, mos zvogloni fondet" citohet në gazetë rektori i University College London, një prej institucioneve elitare në Britani.

Sipas rektorit Malcolm Grant, nëse nuk ka mundësi financimi, qeveria më mirë duhet të mbyllë disa universitete se sa të shkurtojë fondet për disa institucione kërkimore me 'famë botërore'.

Kreu i UCL-it britanik, që renditet i katërti në botë pas universitetit të Harvard-it, Cambridge-it dhe Yale, i ka bërë thirrje qeverisë të konsiderojë uljen e numrit të studentëve, si çmim më i arsyeshëm, në mbrojtje të trashëgimisë së çmuar të Britanisë në fushën e kërkimeve shkencore në universitete.

Ndërsa "The Financial Times" sjell deklarimin e Ministrit të Jashtëm, William Hague, në mbrojtje të personelit të ambasadave nga shkurtimet në buxhet.

Në prag të fillimit të një turneu diplomatik në Kinë e Japoni, zoti Hague citohet të ketë thënë se në të ardhmen ministria e tij do të ketë misionin 'ekzistencial' të promovimit të tregtisë.

Me anë të rrjetit të ambasadave "Britania duhet të jetë e pranishme në shumicën e vendeve për të ndihmuar kompanitë britanike", ka thënë ministri i jashtëm William Hague.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)