25 Prill 2024

Trusti i Kursimeve Pensionale me kthim pozitiv gjatë këtij tremujori

Prishtinë, 5 prill - Trusti i Kursimeve Pensionale të Kosovës ka pasur kthim pozitiv gjatë tremujorit të parë të këtij viti mbi 3 për qind, apo rreth 10 milionë euro. Kështu thotë për radion tonë drejtori menaxhues i Trustit të Kursimeve Pensionale, Adrian Zalli.Njohës të çështjeve ekonomike paralajmërojnë se vitit 2010 do të jetë vit i kthesës në tregjet financiare botërore, edhe me rritje të vlerës së aksioneve të trustit.

Po rikuperohen gradualisht humbjet nga rënia e vlerës së aksioneve të Trustit të Kursimeve Pensionale të Kosovës gjatë vitit 2008. Ndonëse gjatë muajve janar dhe shkurt ishte shënuar kthim negativ i investimeve, muaji mars, sipas të dhënave paraprake, ishte shumë i suksesshëm, thotë drejtori i Trustit të Kursimeve Pensionale, Adrian Zalli. Sipas tij, bilanci i këtij tremujori në përgjithësi paraqet rritje të vlerës së aksioneve dhe kthim pozitiv për rreth 10 milionë euro.

“Për tremujor, janar, shkurt, mars 2010, ne kemi pasur një kthim rreth 3 për qind si total. Nëse flasim për muaj individual, atëherë në muajin janar kemi pasur një rënie prej 1 për qind, ose nëse flasim me vlera monetare ka qenë një rënie prej 5 milionë euro, shkurti ka pasur një rritje 0.6 për qind, ose diku rreth 3 milionë, kurse marsi si muaj jashtëzakonisht i mirë, ka pasur një ngritje rreth 12 milionë euro”, thotë Zalli.

Si pasojë e krizës ekonomike e financiare botërore gjatë vitit 2008, kursimet e kosovarëve të investuara jashtë vendit, patën pësuar rënie rreth 28 për qind apo mbi 90 milionë euro. Por, pas fillimit të stabilizimit të tregjeve financiare ndërkombëtare, edhe performansa e fondit të Trustit është përmirësuar, shprehet Zalli.

“Viti 2009 ka pasur një ngritje 45 milionë euro dhe tash vitit 2010 po shihet se ka filluar jashtëzakonisht pozitiv, ose 10 milionë euro ngritje të vlerës. Mirëpo s’duhet të harrohet se Trusti ekziston që prej vitit 2002 deri në vitin 2007 ka pasur një ngritje të vlerës jashtëzakonisht të mirë, kështu që nëse e marrim parasysh performansën e tërësishme të fondit, atëherë mund të themi se kemi kaluar në anën pozitive”, thotë Zalli.
Sidoqoftë ende mbeten edhe rreth 35 milionë euro, në mënyrë që të rikuperohen tërë humbjet e shkaktuara para dy vitesh. Nga ana tjetër, njohës të çështjeve ekonomike thonë se viti 2010 do të jetë vit i kthesës në tregun botëror financiar dhe ekonomik, dhe kjo do të reflektohet edhe në ekonominë e Kosovës dhe mjetet e trustit të kursimeve. Alban Zogaj hulumtues në Institutin për Hulumtime Zhvillimore-RIINVEST.

“Çdo kthim pozitiv i bursave evropiane dhe botërore do të thotë edhe kthim i investimeve të trustit, sepse investimet e trustit janë kryesisht në këto bursa. Ne konsiderojmë që viti 2010 do të jetë vit i kthesës dhe ne shpresojmë që ato humbje në vlerë që janë shkaktuar gjatë vitit 2008-2009, të rikuperohen gjatë vitit 2010 apo një pjesë gjatë vitit 2011. jemi optimist në këtë drejtim”, shprehet Zogaj.

Trusti menaxhon fondin e pensioneve mbi 400 milionë euro, prej të cilave në Kosovë janë të investuara 25 milionë euro në tri banka komerciale, kurse të tjerat në tregjet e jashtme. Kurse numri i kontribuuesve pensional ka arritur në mbi 311 mijë.

Ndërkohë, pas emërimit të Besim Beqajt ministër për integrime evropiane, qeveria tani duhet të përzgjedhë edhe kandidatin për kryetar të bordit të Trustit, i cili më pas duhet të votohet në Kuvend.

/rtk/

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)