25 Qershor 2019

Thirrje prokurorisë të ndërmarr masa në parandalimin e punësimeve të paligjshme

Prishtinë, 22 mars - Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP), Instituti GAP dhe Balkan Green Foundation i bëjnë thirrje Prokurorisë së vendit, institucioneve vendore dhe ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe të gjithë përgjegjësve për mbrojtjen e rendit kushtetues dhe ligjor që të ndërmarrin masa të menjëhershme në parandalimin e punësimeve të paligjshme e diskriminuese në administratën publike.

Më kryesorja, duhen hetuar dhe ndëshkuar individët që kanë shkelur ligjin me rastin e punësimit të militantëve dhe familjarëve të politikanëve.

Si asnjëherë më parë, Telekomi i Kosovës dhe kompani e institucione të tjera po vërshohen me punësime të paligjshme dhe menaxhim të korruptuar.

Praktika e punësimit të favorizuar paraqet shkelje të së paku Konventës Universale për të Drejtat e Njeriut, të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, të Ligjit Nr. 05/L-021 për Mbrojtje nga Diskriminimi, Ligjit Nr. 03/L-087 për Ndërmarrjet Publike dhe Ligjin Nr. 06/L-011 për Parandalimin e Konfliktit të Interesit.

Këto praktika cenojnë rrugën e integrimit evropian dhe janë goditje dërrmuese për shpresën dhe aspiratat e qytetarëve për shtet të drejtë dhe mundësi të barabarta.

Punësimi pa kritere dhe me favorizime politike është shkelje e të drejtave të njeriut për të gjithë pjesëmarrësit në konkurse publike. Konventa Universale për të Drejtat e Njeriut që ka zbatim të drejtëpërdrejtë dhe me prioritet ndaj të drejtës së brendshme të Kosovës,  ndalon çfarëdo forme të diskriminimit:

'Të gjithë janë të barabartë para ligjit dhe kanë të drejtë të mbrohen nga ligji pa ndonjë diskriminim. Të gjithë kanë të drejtën e mbrojtjes së barabartë ndaj çfarëdo diskriminimi në kundërshtim me këtë Deklaratë dhe kundër çdo nxitjeje të diskriminimit.'

Gjithashtu, edhe Kushtetuta e Kosovës, në nenin 24, është e qartë në parandalimin e çfarëdo forme të diskriminimit: Të gjithë janë të barabartë para ligjit. Çdokush gëzon të drejtën e mbrojtjes së barabartë ligjore, pa diskriminim. Ky përcaktim kushtetues është obligativ për të gjitha nivelet dhe shkelja e tij paraqet shkelje të drejtpërdrejtë të parimeve kushtetuese për mbrojtje nga diskriminimi dhe për barazi para ligjit.

Diskriminimi është qartësisht i ndaluar edhe me ligj. Ligji Nr. 05/L-021 për Mbrojtjen nga Diskriminimi ndalon çfarëdo forme të favorizimit ose diskriminimit ndaj qytetarëve të Kosovës.
'Parimi i trajtimit të barabartë nënkupton se nuk do të ketë kurrfarë diskriminimi të drejtpërdrejtë apo të tërthortë sipas kuptimit të cilëdo nga bazat e përcaktuara në nenin një (1) të këtij Ligji.'

'Diskriminim është çdo dallim, përjashtim, kufizim ose preferencë në çfarëdo baze të përcaktuara në nenin një (1) të këtij Ligji, që ka për qëllim apo efekt të zhvleftësoj ose cënoj njohjen, gëzimin ose ushtrimin, në të njëjtën mënyrë me të tjerët, të të drejtave dhe lirive themelore të njohura nga Kushtetuta dhe ligjet tjera të aplikueshme në Republikën e Kosovës. Ligji Kundër Diskriminimit.'
 
Përveç këtyre, të gjithë drejtorët e ndërmarrjeve publike bazuar në Ligjin Nr. 03/L-087 për Ndërmarrjet Pulblike kanë për obligim të nënshkruajnë dhe t’i nënshtrohen Kodit të Etikës. Ky Kod, parandalon çfarëdo forme të punësimit mbi bazën e nepotizmit:

'Ndërmarrja do të përzgjedhë dhe mbajë punëtorët nëse ata kanë aftësitë e duhura, njohuritë, shkollimin dhe përvojën për pozitat e tyre. Ndërmarrja nuk do të përzgjedhë punëtorët të bazuar në ndikimin politik, nepotizmin ose ndonjë ndikim tjetër të jashtëm apo të brendshëm; dhe secila procedurë e përzgjedhjes/selektimit duhet të jetë e udhëhequr në bazë të drejtë, të ndershme dhe të paanshme.'
 
Konventat për të drejtat e njeriut, ligjet dhe Kodi i Etikës janë shkelur në mënyrë flagrante dhe për këtë, kërkojmë shkarkimin e bordit të Telekomit dhe nisjen e hetimeve të menjëhershme për ]do procedurë të prokurimit.

INDEP, GAP dhe BGF për vite të tëra, të vetëm e bashkë me partnerë, kanë reaguar kundër politizimit të institucioneve dhe ndërmarrjeve publike. Kur politika vendosi të uzurpojë bordet profesionale të ndërmarrjeve publike dhe të agjencive të pavarura, politika tashmë kishte vënë hapat e parë për të garantuar se çdo punësim do të bëhej mbi baza partiake.

Që në vitin 2015, INDEP, bashkë me partnerët e tjerë nga shoqëria civile kishte reaguar kundër politizimit të bordeve “Bordet e zgjedhura të këtyre ndërmarrjeve tashmë kanë filluar me vendime të jashtëligjshme të përgatisin terrenin për të mbushur ndërmarrjet publike me persona politik e jo profesional.”

Rastet e tanishme paraqesin pasojat e një sistemi që ka partizuar secilin institucion dhe bord të ndërmarrjeve publike. Punësimet masive të të afërmve të politikanëve dhe partive politike në pushtet paraqesin shkelje flagrante të të drejtave të njeriut.

Të gjithë pjesëmarrësit në konkurse publike janë viktima të një shkelje të hapur dhe një diskriminimi sistematik që paraqet arbitraritet institucional ndaj të drejtave të tyre. Prokuroria e vendit është në testin përfundimtar për të ruajtur sado pak kredibilitet që mund t’i ketë mbetur. I bëjmë thirrje të kryej punën e vet dhe formalisht të kapë shkelësit që po shihen sheshit.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 25 qershor 2019 - Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Behgjet Pacolli do ta presë në takim ministren e Punëve të Jashtme të Norvegjisë, Ine Eriksen Søreide. (Hapësirat e MPJ-së, ora 8:30)

- The Siracusa International Institute for Criminal Justice and Human Rigths, një Organizatë Joqeveritare italiane organizon Dialogun Strategjik Kombëtar mbi temën e luftës kundër trafikut të paligjshëm. (Hotel Swiss Diamond, ora 9:00)

- Mbahet mbledhja e Komisionit për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini, Sporte, Inovacion dhe Ndërmarrësi në të cilën do të diskutohet lidhur me kërkesat e Këshillit Kombëtar Shqiptar nga vizita e përbashkët e realizuar në Luginë të Preshevës (Ndërtesa e Kuvendi, salla C 203, ora 10:00)

- Instituti i Kosovës për Drejtësi me përkrahje të Departamentit të Shtetit Amerikan - Byrosë së Narkotikëve Ndërkombëtar dhe Çështjeve të Zbatimit të Ligjit dhe NED-it do të mbajë konferencë për media, në të cilën do publikohet raporti analitik: “Dështimet në rastet e shënjestruara”. (Hotel Sirius, ora 10:00)

- Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, do të vizitojë Shkollën Fillore dhe të Mesme të Ulët “Pjetër Bogdani” në Prishtinë, ku do të bëhet dorëzimi i pajisjeve për klubet e mediave, që është donacion i GIZ-it.  (Shkolla “Pjetër Bogdani”, ora 10:00)

- Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve në Kosovë organizojnë konferencën për media lidhur me Projektligjin për Mbrojtjen e Fëmijëve. (Sheshi “Ibrahim Rugova” përpara objektit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, ora 10:00)

- Kryeministri Ramush Haradinaj pret në takim Ministren e Punëve të Jashtme të Norvegjisë, Ine Eriksen. (Ndërtesa e Qeverisë, ora 10:05)

- Kompania Rajonale e Ujësjellësit Prishtina organizon ceremoninë me rastin e shënimit të ditës më të madhe për qytetarët e Fushë Kosovës, lëshimin në funksion të linjës magjistrale për furnizim 24 h me ujë të pijshëm. (Rr. Hajrullah ZymiFushë Kosovë, ora 10:30)

- Drejtoria e Emergjencës dhe Sigurisë në Komunën e Prizrenit organizon aktivitete solemne me rastin e Ditës së Zjarrfikësve të Prizrenit duke filluar me defileun e automjeteve dhe mjeteve zjarrfikëse në unazën e qytetit. (Nisja nga objekti i Shërbimit Zjarrfikës në Prizren, ora 11:00)

- Ministria e Punëve të Brendshme së bashku me UNDP do të organizojnë konferencën për media për vazhdimin e kampanjës për legalizimin e armëve. (Objekti qendrorë i MPB-së, salla P-02, ora 11:00)

- Kryetari Shpend Ahmeti takohet me Kryetarin e qytetit të Des Moines, Iowa të SHBA,  Thomas  Cownie. (Ndërtesa e vjetër e Komunës, ora 11:00)

- Drejtoria e Administratës në Komunën e Prizrenit në bashkëpunim me OJQ Nevo Koncepti organizon tryezë diskutimi me temën Trajtimi i Fëmijëve në Raste të Dhunës dhe Abuzimit. (Hotel Centrum, ora 11:00)

- Ministri i arsimit, Shyqiri Bytyqi raporton para Komisioni për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini, Sporte, Inovacion dhe Ndërmarrësi lidhur me tekstet e reja shkollore. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N 303, ora 12:00)

- Drejtoria e Emergjencës dhe Sigurisë në Komunën e Prizrenit bën demonstrimin i ushtrimeve të kërkim-shpëtimit dhe shuarjes së zjarrit në objektin e shkollës fillore “Heronjtë e Lumës” në fshatin Vërmicë. (Vërmicë, ora 12:00)

- Balkan Green Foundation, Instituti GAP, Grupi për Studime Juridike dhe Politike dhe Instituti për Politika Zhvillimore organizojnë tryezën e rrumbullakët "Kapacitetet e energjisë së ripërtëritshme dhe kost-efektiviteti i tyre,". (Hotel Sirius, ora 13:00)

- Ministri i Ministrisë së Infrastrukturës dhe Transportit, Pal Lekaj raporton para Komisioni për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti, Industri dhe Zhvillim Rajonal lidhur me monopolin në fushën e homologimit të veturave. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N 303, ora 13:00)

- Mbahet mbledhja e rregullt e Qeverisë së Kosovës. (Ndërtesa e Qeverisë, ora 14:00)

- Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim organizon ceremoninë e nënshkrimit të kredisë prej 18 milionë eurosh që BERZH-i i ka dhënë parkut energjetik me erë të Kitkës. (Hotel Sirius, ora 15:00)

- Kryeministri Ramush Haradinaj merr pjesë në Ekspozitën e Artizanaleve të ndryshme, nga organizata e grave “Orkide”, në Prizren. (Qendra Kulturore “Yunus Emre”, Prizren, ora 18:00)

- Kryeministri Ramush Haradinaj merr pjesë në shënimin e Javës Egjiptiane në Gjakovë. (Pallati i Kulturës “Asim Vokshi”, Gjakovë, ora 19:00)

- Shkolla Amerikane e Kosovës organizon Inagurimi i kampusit të ri të Shkollës Amerikane të Kosovës. (Shkolla Amerikane e Kosovës, Shkabaj, Prishtinë, ora 20:00)