21 Gusht 2019

Stabiliteti makro-fiskal prioritet i Ministrisë së Financave

Prishtinë, 18 korrik - “Prioritet i Ministrisë së Financave në procesin e planifikimit të buxhetit për vitin 2020-2022 është stabiliteti makro-fiskal i vendit, dhe në këtë drejtim objektivat tona permanente konsistojnë në harmonizimin e të hyrave dhe shpenzimeve buxhetore”, theksoi ministri i Financave Bedri Hamza gjatë takimit me përfaqësuesit e komunës së Gjilanit, komunës së Vitisë, Shtërpcës, Ranillugut, Kaçanikut, Hani i Elezit, Parteshit, Kllokotit, Ferizajit, si dhe komunës së Novobërdës. Ky takim është mbajtur në kuadër të forumeve me autoritetet komunale lidhur me zhvillimin e procesit buxhetor komunal për periudhën 2020 – 2022,  të organizuara nga Ministria e Financave në bashkëpunim me OSBE-në, të cilat kanë filluar që nga data 12 korrik 2019 dhe janë zhvilluar me të gjitha komunat e Kosovës.

Ministri Bedri Hamza theksoi para të pranishmeve se qëllimi i këtij takimi është që të informohen zyrtarët e komunave mbi procesin buxhetor komunal për vitin 2020-2022, si dhe për koordinimin e aktiviteteve mbi zhvillimin e planifikimit afatmesëm të buxhetit komunal të përcaktuar me kuadrin ligjor, me theks të veçantë do të diskutohet mbi Kornizën Afatmesme të Shpenzimeve për vitin 2020-2022, Qarkoren Buxhetore 2020/01, Strukturën e Shpenzimeve, si dhe Projektligjin për Financat e Pushtetit Lokal.

“Korniza për buxhetin e vitit 2020 bazohet në KASH 2020-2022 që është aprovuar nga Qeveria e Kosovës bazuar në prioritetet afatmesme të Qeverisë dhe kornizën makro-fiskale për vitet 2020-2022.Gjatë zhvillimit të procesit buxhetor, janë marrë parasysh edhe zotimet tona në raport me institucionet financiare ndërkombëtare. Në këtë kontekst, Qarkorja Buxhetore 2020/01 është hartuar në pajtim me obligimet nga marrëveshjet financiare ekzistuese dhe të atyre në negocim, dhe reflekton në drejtimin e politikave fiskale të përcaktuara në pajtim me Fondin Monetar Ndërkombëtar”, shtoi ministri Hamza.

Ai me këtë rast bëri të ditur se ndarjet e Granteve qeveritare për komuna për vitin 2020 janë bërë sipas kritereve dhe formulave të përcaktuara në Ligjin për Financat e Pushtetit Lokal dhe ligjet e tjera relevante, si dhe duke u bazuar në projeksionet makro-fiskale dhe të dhënave nga ministritë e linjës.  Sipas ministrit Hamza,  financimi komunal për vitin 2020 është aprovuar nga Komisioni i Granteve në shumën rreth 580 milionë euro.

Gjatë takimit, ministri Hamza gjithashtu ju bëri thirrje komunave që të rrisin inkasimin e të hyrat e tyre vetanake, ku përmes tyre mund të realizojnë projekte kapitale të cilat ngritin mirëqenien e qytetarëve të tyre.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 21 gusht 2019 - Vazhdon greva e punëtoreve të Sindikatës së Pavarur të Punëtorëve në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “ Adem Jashari”. (Aeroporti i Prishtinës, ora 8:00)

- Kryetari i Komunës së Prizrenit Mytaher Haskuka dhe drejtori i Drejtorisë për Punë dhe Mirëqenie Sociale Fejzë Kabashi do të vizitojnë disa shtëpi të cilat po ndërtohen në kuadër të projektit “Ndërtimi i shtëpive për familjet skamnore”. (Lagjja “Bajram Curri” e më pas do të vizitohen edhe disa shtëpi në fshatin Zhur. (Nisja do të bëhet nga Shtëpia e Bardhë, ora 9:45)

- Në kuadër të Etnofestit mbahet punëtoria kreative dhe instalacione me atelje te pikëtorëve dhe skulptorëve. (Ambientet e Etnofestit në fshatin Kukaj, ora 10:00)

- Ministri në detyrë i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Muzafer Shala dhe kryetari i Komunës së Shtimes, Naim Ismajli, do të nënshkruajnë memorandum të bashkëpunimit për rregullimin e objektit Mulitifunksional Inovativ në Shtime. (Objekti i Ministrisë së Punëve të Jashtme kati i 3-të, ora 10:00)

- Mbahet mbledhjen e rregullt të Komitetit për Politikë dhe Financa e Komunës së Mitrovicës. (Salla e mediave të Komunës së Mitrovicës, ora 10:00)

- Komisioni Hetimor Parlamentar në lidhje me gjendjen në PTK dhe Vala miraton draft raportin e punës së Komisionit Hetimor Parlamentar në lidhje me gjendjen në PTK dhe Vala. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N 303, ora 11:00)

- Kryetari i komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj, pret në vizitë  Ministrin e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë Shyqiri Bytyqi. (Zyra e Kryetarit të Komunës së Deçanit, ora 11:00)

- Fillojnë punimet në rrugën Budisalc-Zllakuqan i Klinës. (Pranë përmendores së Kolë Mirditës në Zllakuqan, ora 11:00)

- Komuna e Vushtrrisë mban mbledhje komemorative për veteranin e arsimit dhe UÇK-së, si dhe ish drejtorin e arsimit në Komunën e Vushtrrisë, Behxhet Jashari. (Salla e Kuvendit të Komunës së Vushtrrisë, ora 11:30)

-  Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti dhe Nënkryetari Muhedin Nushi do të mbajnë konferencë për media. (Objekti i vjetër të Komunës, ora 11:30)

- Kryetari i komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj dhe Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë Shyqiri Bytyqi vëjn gurethemelin e shkollës fillore “Heronjtë e Dukagjinit” në Gllogjan. (Gllogjan, ora 11:30)

- Kryetari i komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj dhe Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë Shyqiri Bytyqi inspektojn punimet në objektin përcjellës të Shkollës Fillore “Isa Boletini” në Isniq. (Isniq, ora 12:00)

- Agjencia Kosovare e Privatizimit mban ceremoninë e hapjes së ofertave të shitjeve përmes Likuidimit nr.49. në të cilën janë 132 asete. (Hoteli Grand, ora 12:30)

- Kryeministri në detyrë Ramush Haradinaj pret në takim një delegacion prej 60 studentësh të programit Akademia Verore, nga shtete të ndryshme të botës. (Ndërtesa e Qeverisë, ora 12:30)

- Në kuadër të Etnofestit mbahet zona e debatit për shtëpin tradicionale dhe familjen e madhe shqiptare. (Shtëpia e vjetër në Fshatin Kukaj, ora 17:00)

- Komuna e Prizrenit në kuadër të hartimit të buxhetit për vitin 2020 do të organizojë dëgjime publike me me banorët e e rajonit të Zhupës dhe Podgorës me qëllim të angazhimit të tyre në procesin e hartimit të buxhetit, transparencës, gjithëpërfshirjes dhe llogaridhënies ndaj qytetarëve. (Shtëpia e Kulturës në Reçanë, ora 19:00)