29 Mars 2024

Rritja e korrupsionit prej 42% është alarmuese për qeverinë e ardhshme

Prishtinë, 10 dhjetor - Rastet e korrupsionit po vazhdojnë të rriten në numër e të barten nga vitit në vit e që sfidë kryesore po mbetet luftimi i tij. Kosova është duke u përballur me një shkallë të lartë të korrupsionit dhe me vështirësi për zbardhjen e rasteve dhe marrjen e veprimeve konkrete në parandalimin e tyre.

Sipas një studimi të bërë së fundmi nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë, bazuar në të gjeturat rreth perceptimit të korrupsionit sipas bizneseve doli që mbi 42% e bizneseve në Kosovë besojnë se shkalla e korrupsionit është rritur gjatë këtij viti, megjithatë vetëm 22% e tyre e raportojnë atë në institucione adekuate gjitha kjo për faktin se ekziston frika për hakmarrje ndaj bizneseve të tyre.

Mu për këtë sipas të dhënave fajtor kryesor po konsiderohet sundimi i dobët i ligjit. Një rritje e tillë prej 42% sipas ekspertit për çështje ekonomike Safet Gërxhaliu, përbënë një shqetësim shumë të madh jo vetëm për të sotmen por edhe për ardhmërinë e Kosovës, e ku viteve të fundit po pësohet rënie në çdo segment.

Gjatë një interviste për kosova.info ai ka thënë se në Kosovë viteve të fundit ka pas më shumë fjalë sesa vepra për ekonominë si dhe për sundimin e ligjit dhe kjo ka ndikuar që edhe investitorët e huaj ta heqin Kosovën nga lista e investimeve.

“Për fat të keq viteve të fundit Kosova është duke pësuar rënie të shumta në çdo segment dhe dua të besoj që ky hulumtim i Odës Amerikane ku zbulon se rritja e korrupsionit tek bizneset është më tepër se 42% është shqetësimi më i madh që mund ta godet Kosovën por edhe dëshmia më e mirë se sa në Kosovë viteve të fundit është fol shumë ma tepër për ekonomi sesa që është bërë për ekonomi, është fol për sundimin e rendit dhe ligjit dhe ai nuk ka qenë në funksion dhe e tëra kjo vërtetë e ka mundësu që Kosova të jetë në renditjen më të ulët qoftë raportet e biznesit por edhe sa i përket tërheqjes së investimeve dhe investitorëve të huaj”, ka thënë Gërxhaliu për kosova.info.

E sipas tij një gjendje e tillë do të jetë një sfidë shumë e madhe për Qeverinë e ardhshme, ngase për sundimin e rendit dhe të ligjit kërkohet një përkushtim maksimal në mënyrë që edhe të bëhet tërheqja e investimeve dhe investitorëve të huaj.

E gjitha kjo përbën një problem të madh sidomos për ardhmërinë e Kosovës ku sipas Gërxhaliut përderisa agjencionet kyçe të vendit vazhdojnë të jenë në funksion të grupeve të caktuara e jo në atë të shtetit ardhmëria e Kosovës do të jetë e zymtë.

“Dhe derisa agjencionet kyçe do të jenë në funksion të grupeve të caktuara të interesit dhe jo në funksion të shtetit dhe do të jenë nën mbikëqyrjen e partive politike dhe jo shtetit ardhmëria e Kosovës do të jetë e zymtë."

"Le të jetë ky një moment ku vërtetë Qeveria e ardhshme do ta ketë prioritet sundimin e rendit dhe ligjit sepse përndryshe ardhmëria e Kosovës do të jetë shumë e zymtë në çdo aspekt në veçanti në aspektin e konkurrueshmërisë në vendet e rajonit për t’i tërhequr investimet dhe investitorët e huaj”, tha tutje Gërxhaliu.

Kjo situatë për fat të keq po i kontribuon Kosovës në të keq që po ndikon në stimulimin e largimit të të rinjve nga Kosova e që për Gërxhaliun, Kosova nuk është shtet që duhet të iket por të mbetet, e madje po ndikon edhe në ngadalësimin e procesit të liberalizimit të vizave kur nëse do të kishte rend dhe sundim të mirë të ligjit në funksion të qytetarit atëherë do të kishte edhe përshpejtim të tij.  Në të ardhmen kjo sfidë do të mbetet në shpatullat e Qeverisë së ardhshme që do të formohet.

“Në momentin kur sundimi i ligjit të jetë në renditjen në numër 1 atëherë edhe procesi i liberalizimit të vizave do të përshpejtohet dhe në këtë drejtim Kosova është izolu në qasje të pakuptimtë dhe jo shtetërore."

"Është për tu turpëruar agresiviteti i vendit të rajonit për të tërhequr investitorë të huaj? Çka do tu themi ne investitorëve të huaj, ejani dhe investoni në Kosovë që është në shërbim të grupeve të caktuara qeveri që nuk qan hall për ekonomi po veç për gjepat e vet dhe qeveri që vendos në pikat kyçe njerëz të padijshëm sot e dëmton shumë më tepër burokracia e gjeneruar nga njerëz ta paditur dhe militantë partiakë në pozita kyçe sesa vet korrupsioni dhe paramendoni se çka është ardhmëria e Kosovës kur e kemi kombinimin më shkatërrues dhe kancerogjen ku kombinohet padituria e mbështetur në politikë dhe krimi i organizuar dhe korrupsioni”, ka thënë Gërxhaliu 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)