19 Prill 2024

Rritet kostoja ekonomike e mbylljes së qeverisë amerikane

Washington, 17 janar - Shtëpia e Bardhë ka dyfishuar parashikimet për ndikimin që ka mbyllja e pjesshme e qeverisë mbi rritjen ekonomike.

Kevin Hassett, shefi i Këshillit Ekonomik të Shtëpisë së Bardhë, thotë se rritja e ekonomisë amerikane ka rënë 0.5% nga mbyllja e pjesshme e qeverisë që vazhdon prej 26 ditësh, ndërkohë që Presidenti Trump dhe demokratët në Kongres nuk bien dakord për buxhetin.

Presidenti kërkon fonde për ndërtimin e murit në kufi, ndërsa demokratët këmbëngulin se muri është një shpenzim i tepruar dhe joefektiv.

Sipas zotit Hassett, ritmet e rritjes ekonomike për këtë tremujor bien 0.13% çdo javë që qeveria vazhdon me operacione të reduktuara.

Presidenti Trump pritet të nënshkruajë një projektligj që garanton se punonjësit federalë do të paguhen, pavarësisht nëse kanë punuar ose jo gjatë kësaj periudhe, siç ka ndodhur edhe herë të tjera kur qeveria ishte e mbyllur.

Por punonjësit e kompanive private që kryejnë kontrata me qeverinë mund të mos kompensohen për ditët e humbura gjatë kësaj periudhe.

Disa institucione financiare kanë vënë në operim programe për të ndihmuar punonjësit federalë që nuk kanë marrë rrogë gjatë javëve të fundit. Ndërkaq në Uashington një numër restorantesh kanë ofruar ushqim falas për punonjësit e qeverisë federale.

Një organizatë bamirëse në kryeqytetin amerikan, e cila ka qenë aktive në ndihmë të personave në nevojë në zona si Porto Riko pas uraganit në 2017, ka hapur një pikë shërbimi ku ofron ushqim për punonjësit federalë që janë pezulluar ose punojnë pa rrogë prej disa javësh.

Presidenti Trump dhe demokratët në Kongres kanë shkëmbyer akuza lidhur me situatën aktuale. Por një numër anketash tregojnë se shumica e amerikanëve fajësojnë presidentin.

Një anketë e zhvilluar nga Reuters/Ipsos publikoi të martën rezultatet ku del se 51% e pjesëmarrësve fajësojnë presidentin, ndërsa 34% fajësojnë demokratët në Kongres.

Në të njëjtën anketë, 62% e pjesëmarrësve thonë se mbështesin shtimin e numrit të rojeve kufitare. Pjesëmarrësit janë të ndarë baraz, me 43% pro dhe 43% kundër ndërtimit të murit ose një barrier penguese në kufi.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)