06 Dhjetor 2022

RrGK lanson raportin “Diskriminimi me bazë gjinore dhe punësimi në Kosovë”

Prishtinë, 7 prill - Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) në bashkëpunim të ngushtë me Bashkimin Evropian (BE), Agjencionin Suedez për Zhvillim dhe Bashkëpunim Ndërkombëtar (Sida), Institucionin e Avokatit të Popullit, sot lansoi botimin e dytë të raportit hulumtues “Diskriminimi me bazë gjinore dhe punësimi në Kosovë”.

Raporti analizon dhe identifikon mangësitë në kuadrin ligjor përkatës sipas ligjeve të BE-së për barazi gjinore; përhapjen dhe natyrën e diskriminimit me bazë gjinore lidhur me punësimin; shkallën në të cilën njerëzit kanë paraqitur ankesa për këtë diskriminim; si i kanë trajtuar institucionet rastet e tilla, si dhe rekomandimet për secilin aktor përkatës.

Të gjeturat e raportit u prezantuan nga bashkë-autorët Adelina Tërshani dhe David JJ Ryan. Disa nga të gjeturat përfshijnë:

• Kuadri ligjor dhe politik lidhur me diskriminimin me bazë gjinore dhe punën në Kosovë duket mjaft i plotë, veçanërisht duke pasur parasysh se shumica e ligjit është hartuar në përputhje me ligjin e BE-së. Megjithatë, disa mbivendosje dhe paqartësi kërkojnë trajtim.

• Shumica e grave dhe burrave të anketuar janë të vetëdijshëm se diskriminimi gjinor është i paligjshëm. Përderisa vetëdijesimi duket se është rritur që nga viti 2018, njohuria se ku të raportohet diskriminimi me bazë gjinore ka mbetur e ulët. Disa e dinin se një diskriminim i tillë duhet të raportohet tek punëdhënësit ose Inspektorati i Punës, përderisa një pakicë kanë ditur për institucionet e tjera që merren me raste të tilla.

• Institucioneve përgjegjëse për trajtimin e diskriminimit me bazë gjinore në punë u kanë munguar të dhënat për prevalencën e saj. Megjithatë, dëshmitë tregojnë se ekziston diskriminimi gjinor, veçanërisht në punësimin, promovimin, pushimin e lehonisë dhe ngacmimin seksual në punë.

• Përderisa policia dhe prokurorët duket se kanë njohuri në përgjithësi për përgjegjësitë e tyre në trajtimin e diskriminimit gjinor në punë, vetëm disa raste të tilla penale janë raportuar, kështu që ata kishin mungesë në përvojë praktike dhe jurisprudencë.

• Gjykatat ende kanë praktikë të paktë gjyqësore përkatëse, ndërkohë që pak gjyqtarë dukeshin se kishin njohuri për kuadrin përkatës ligjor.

• Ndonëse inspektorët e punës prireshin të kishin njohuri për Ligjin e Punës, ata kishin raste të rralla prandaj dhe nuk dukej se e konsideronin si prioritet trajtimin e diskriminimit me bazë gjinore; ekzistonin disa raportime për trajtimin e papërshtatshëm të rasteve nga ana e inspektorëve.

Rekomandimet kryesore përfshijnë:

•        Rëndësia e ndryshimit të Ligjit të Punës, Ligjit për Barazi Gjinore dhe Ligjit për Mbrojtjen nga Diskriminimi për të zvogëluar mbivendosjen, qartësimin e procedurave dhe qartësimin e sanksioneve për diskriminimin gjinor;

• Nevoja për të përfshirë në Ligjin e Punës lejen e lehonisë, atësisë, prindërore dhe lejen e kujdestarëve në përputhje me Direktivën e BE-së për Balancin Punë-Jetë;

• Nevoja për më shumë inspektorë të punës, veçanërisht gra, të cilët janë trajnuar për njohjen dhe trajtimin e diskriminimit gjinor në punë;

• Nevoja për bashkëpunim ndërinstitucional ndërmjet institucioneve relevante dhe shoqërisë civile, duke përfshirë sindikatat, në ngritjen e vetëdijes së grave dhe burrave lidhur me atë që përbën diskriminim të bazuar në gjini dhe si ta raportojë atë; dhe përkrahjen e personave që kanë përjetuar një diskriminim të tillë në kërkimin e drejtësisë.

Igballe Rogova, Drejtore Ekzekutive e RrGK-së tha se RrGK që nga vitit 2016 vazhdimisht lobon që të ndryshohet Ligji i Punës.

“Tani, duhet urgjentisht, s’ka më arsyetime që të amdendamentohet ligji i Punës, sepse është jashtëzakonisht i rëndësishëm, sepse diskriminon te gjithë qytetarët, por në veçanti gratë. Duhet të mundësohet edhe shtimi i numrit të inspektorëve në tregun e punës,” tha Rogova duke iu bërë thirrje të gjithë atyre që janë të diskriminuar që të raportojnë rastet.

AnnaCarin Platon, Shefe e Sektorit Politik, Ekonomik, për Integrime Evropiane dhe për Komunikim me Media në Zyrën e Bashkimit Evropian në Kosovë tha se duhet që të analizohen rrënjët dhe shkaqet e diskriminimit. Ajo po ashtu solli ndër mend se ka ende shumë pabarazi ndërmjet nënave dhe baballarëve sa i përket kujdesit për fëmijët.

“Unë ... mezi pres punët tona të përbashkëta në të ardhmen. Zyra e BE-së në Kosovë do të mbetet e përkushtuar që ta ndihmojë Kosovën për ta zvogëluar hendekun e diskriminimit me bazë gjinore në punësim,” tha Platon.

Në përgjithësi institucionet e pranishme u pajtuan me rekomandimet e RrGK-së dhe shfaqën përkushtimin e tyre për t’i zbatuar ato.

Avokati i Populit, Naim Qelaj vlerësoi të gjeturat e raportit si dhe punën hulumtuese dhe krahasimore, që sipas tij, japin më shumë siguri për hartimin e politikave.

“Sa i përket diskriminimit me bazë gjinore përkundër përpjekjeve dhe masave për avancimin e pozitës së grave, ka ende diskriminim pothuajse te gjitha fushat. Sfidat, pengesat dhe diskriminimi i shprehur ne këto fusha u shpërfaq me shume në vitin e kaluar. Ne 2021 Avokati i Popullit ka pranuar 138 ankesa për cenim të të drejtave në punë, gratë janë më të pafavorshme sesa burrat, diskriminimi gjinor i pranishëm si në sektorin publik ashtu edhe në atë privat dhe ato rrallë denoncohen për shkak te mosnjohjes së të drejtave dhe praktikave gjyqësore.”

Tutje, Drinas Zeqiraj, Ushtrues Detyre i Divizionit për Hartimin dhe Harmonizimin e Legjislacionit në Ministrinë e Financave, Punës dhe Transfereve tha se shumë nga rekomandimet janë adresuar, sidomos ato që kanë të bëjnë me Direktivën e BE-së për Balancin Punë-Jetë.

“Ne po punojmë në finalizimin e projektligjit të Punës, është me rëndësi që të ketë të përfshirë edhe dialogun social. Në planin legjislativ pritet të miratohet në fund të qershorit 2022. Mund të ndodhë që të shtyhet për një kohë, por është urgjencë e domosdoshme që të finalizohet dhe të dërgohet për miratim sa më shpejt.”

Agim Millaku, ushtrues detyre si kryeinspektor i Punës tha se pajtohet me përfundimet e raportit të RrGK-së.

“Kapacitetet e Inspektoratit të Punës janë të mangëta, si në kuptimin e organizimit administrativ, por edhe numrit të inspektorëve të punës. Pajtohem me rekomandimet e raportit dhe konsideroj se Inspektorati i Punës duhet të punojë më shumë në mënyrë që trajtimi të jetë i barabartë për të gjithë qytetarët sa i përket punësimit.“

Hulumtimi ka përfshirë metoda të përziera, duke përfshirë shqyrtimin dhe analizën e kuadrit ligjor dhe raporteve të ndryshme, pyetësorin online dhe intervistat. Ky botim i dytë i raportit përfshin periudhën që nga viti 2018, dhe kështu shërben si përditësim i hulumtimit bazë me po të njëjtin titull të botuar në vitin 2018.

Kalendari

Ngjarjet e datës 6 dhjetor 2022

- Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, pret në takim Përfaqësuesin e Posaçëm të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajčák. (Ndërtesa e Qeverisë, ora 9:00)

- Agjencia e Statistikave të Kosovës mban nesër takim konsultativ me Kryetar dhe përfaqësues të Komunave në Kosovë. (Hotel International Prishtina në Veternik, ora 9:30)

- Mbahet mbledhja e Kryesisë së Kuvendit të Republikës së Kosovës. (Ndërtesa e Kuvendit, salla C 301, ora 9:30)

- Instituti i Kosovës për Drejtësi dhe Grupi për Studime Juridike dhe Politike organizojnë tryezën e rrumbullakët për reformën në Administratën Publike. (Hotel Sirius, ora 10:00)

- Komisioni për Arsim, Shkencë, Teknologji, Inovacion, KulturÑ‘, Rini dhe Sport shqyrton Projektligjin për Anti Dopingun. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N225, ora 10:00)

- Komisioni për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale takohet me Elvana Shala, ambasadore e vullnetit të mirë në Komisionin ndërkombëtar për të drejtat e njeriut ku do të diskutohet organizimi i kongresit botëror për personat me aftësi të kufizuara. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N10, ora 10:00)

- Komisioni për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal shqyrton në parim i Projektligjin për zhvillimin rajonal të balancuar. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N302, ora 10:00)   

- Qendra Kosovare për Zhvillim dhe Avokim mban konferencën për media në lansimin e fushatës “E Drejta për Ajër të Pastër - vrasësi i padukshëm NO2 -”. (Restorant “Rings” tek Sheshi ‘Nënë Tereza”, ora 11:00)

- Komisioni për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale organizon tryezën e rrumbullakët lidhur me punën, të arriturat dhe sfidat e Qendrave për Punë Sociale’’. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N10, ora 11:00)

- Komuna e Prishtinës inauguron veprën e artit në hapësira publike “Never Say Never” të artistit të mirënjohur bashkëkohor Alban Muja, e që po realizohet me mbështetje të Komunës së Prishtinës dhe MB Office. (Parku “Adem Demaçi”, ora 12:00)

- Zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi raporton para Komisionit për Punë të Jashtme dhe Diasporë lidhur me dialogun dhe planin franko-gjerman. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N10, ora 13:00)

 - Organizata jofitimprurëse Code organizon takimin lançues “Ora e Kodit” e cila është hyrje 1 orëshe në shkenca kompjuterike e krijuar për të shpjeguar “kodimin”. (Shkolla “Xhemail Mustafa” në Prishtinë, ora 13:00)

- Instituti i Kosovës për Drejtësi organizon tryezë të rrumbullakët, mbi publikimin e Raporteve: ‘‘Transparenca e Qeverisë’’ dhe ‘‘Transparenca në Ndërmarrjet Publike’’. (Hotel Sirius, ora 13:00)
 
- Komisioni për Mjedis, Ushqim, Bujqësi, Planifikim dhe Zhvillim shqyrton Projektligjin për Vlerësimin e ndikimit në mjedis, etj. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N303, ora 13:00)