20 Prill 2024

­Q­everisja lokale nuk ka kapacitete të mjaftueshme financiare

Ulqin, 17 prill - Zbatimi i ligjeve dhe politikave të avancuara për pushtetin lokal me qëllim integrimin e qytetarëve në vend sfidohet për faktin se Kosova në nivelin e qeverisjes lokale nuk ka kapacitete të mjaftueshme financiare dhe kadrovike. Pavarësisht, vihet re një përkushtim në rritje që të përmbushen obligimet e marra me ligjet në fuqi.

Instituti Kosovar për Qeverisje Lokale (KLGI) në partneritet me Qendrën Ndërkombëtare për Demokraci Tranzicion (ICDT) në Ulqin të Malit të Zi, organizoi konferencën në lidhje me ‘Zbatimin e ligjeve mbi përdorimin e gjuhëve në komunat e Kosovë’, si dhe ‘Përmirësimit të Politikave Qeverisëse në Nivel Lokal’. Kjo është konferenca e dytë me radhë e organizuar nga KLGI dhe ICDT.

Bashke-organizatorët, së bashku më përfaqësues të komunave dhe ekspertë të pushtetit lokal  diskutuan legjislacionin dhe rregulloret e përdorimit të gjuhëve në nivelin e qeverisjes lokale, në veçanti të atyre në Prizren dhe Pejë. Gjatë kësaj konference, ekspertet vendor dhe ndërkombëtar paraqiten të arriturat dhe sfidat e zbatimit të legjislacionit për përdorimin e gjuhëve në Kosovë.

Dr. Balazs Vizi, nga Instituti Hulumtues për Minoritete Etnike dhe Nacionale i Akademisë së Shkencave të Hungarisë tha se ‘Kosova në nivel lokal ka kapacitete të mangëta, mirëpo ka treguar përkushtim të thellë në terren, si dhe ka marrë obligime të mëdha nëpërmes ligjeve në fuqi. Por, në këto rrethana qeverisja lokale nuk mund të jetë shumë efikase pasi që zbatimi i ligjeve varet nga konteksti komunal dhe kapacitet e administratës për të vepruar.

Besnik Tahiri, drejtor i Institutit Kosovar për Qeverisje Lokale theksoi se me Kushtetutë, me ligjet në fuqi, komunave i është atribuar një numër i madh i kompetencave dhe përgjegjësive ekzekutive, dhe mundemi të theksojmë se ky është një zhvillim pozitiv. Megjithatë, duke konsideruar volumin e madh të nevojave dhe kërkesave për shërbime, si dhe presionin në rritje nga ana e qytetarëve kundrejt komunave për të sjellë më shumë cilësi dhe efikasitet, atëherë mund të konstatojmë se aktualisht përballemi me një hendek mes kapaciteteve dhe mundësive komunale. Në këtë drejtim, përjashtim nuk paraqesin as zbatimi i legjislacionit për gjuhët, si dhe politikave të qeverisjes së mirë. Prandaj, lirisht mund të thuhet se komunat duhet përkrahur nga faktori ndërkombëtar, qeveria qendrore, si dhe të interesuar të tjerë, në të kundërtën ato nuk mund të konsiderohen si institucionet e vetme përgjegjëse ngecjet.

Pjesëmarrësit në këtë konference, kanë adresuar një mori komplikimesh të cilat lidhen ngushtë me aspekte të cilat prekin çështjen e përmirësimit të legjislacionit, të politikave, të praktikave, si dhe shkëmbimit të informacionit në komuna, si dhe në marrëdhëniet e tyre me institucione tjera lokale, qendrore dhe ndërkombëtare.

ICDT është organizatë jo-qeveritare me seli në Budapest të Hungarisë e cila punon në vende të ndryshme të botës në çështjet që ndërlidhen me forcimin dhe avancimin e demokracisë dhe përkrahje për shoqëritë që janë në tranzicion. Instituti Kosovar për Qeverisje Lokale është institut vendor i dedikuar në përmirësimin e efikasitetit dhe efektivitetit të qeverisjes lokale në Kosovë. Ky projekt është i përkrahur financiarisht nga Qeveria e Luksemburgut.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)