25 Prill 2024

Qeveria ndan 87 milionë euro për rimëkëmbje ekonomik

Prishtinë, 28 shtator - Qeveria e Republikës së Kosovës, e drejtuar nga Kryeministri Avdullah Hoti, ka zhvilluar mbledhjen e 33-të me radhë, në të cilën ka miratuar dokumente dhe vendime të përgjegjësive të saj kushtetuese dhe ligjore.

Qeveria ka aprovuar Planifikimin dhe zbatimin e programit për rimëkëmbjen ekonomike, Masa 10, mbështetja financiare për projektet dhe iniciativat që synojnë përmirësimin e pozitës së gruas në shoqëri dhe ekonomi.

Agjencia për Barazi Gjinore  në kuadër të Zyrës së Kryeministrit, si propozuese e dokumentit, autorizohet edhe për monitorimin e këtij dokumenti.

Miratimin nga kabineti qeveritar ka marrë edhe vendimi për zbatimin e programit të rimëkëmbjes ekonomike në sektorin e bujqësisë, Masa 4, që është dyfishimi i buxhetit për pagesat direkte (subvencioneve) për vitin 2020, për secilën kulturë të paraparë në Programin e Pagesave Direket për vitin 2020.

Kabineti qeveritar në mbledhjen e sotme ka miratuar edhe përfshirjen e Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për përgjegjësitë disiplinore të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Programin Legjislativ të viti 2020, pa kaluar në procedurën e zakonshme paraprake të hartimit të koncept dokumentit për këtë fushë.

Në këtë mbledhje është miratuar edhe vendimi për aprovimin e Planit të veprimit të Ministrisë së Financave për zbatimin e 25 rekomandimeve që dalin nga Raporti vjetor i Auditimit për vitin 2019.

Një vendim preliminar është aprovuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës, për shpronësimin për interes publik të objekteve të vjetruara në menaxhimin e Agjencisë Kosovare të Privatizimit, e të cilat preken  nga realizimi i projektit “Rregullimi i Qendrës së Qytetit në Istog”. Gjithashtu është miratuar edhe vendimi përfundimtar i pronave të paluajtshme që preken nga ndërtimi i Rrugës Nacionale N2 Prishtinë-Mitrovicë, segmenti Gojbulë-Smrekovnicë, në Komunën e Vushtrrisë.

Në mbledhjen e sotme është aprovuar edhe Raporti vjetor për gjendjen e mjedisit në Kosovë për vitin 2018-2019 sipas Ligjit për Mbrojtjen e Mjedisit. Raporti përmban të dhëna për gjendjen e mjedisit dhe ndryshimet në mjedis në krahasim me raportin paraprak; ndikimet mjedisore në shëndetin e popullatës; gjendjen e mjediseve të rrezikuara; zbatimin e strategjisë së mjedisit; masat e ndërmarra për mbrojtjen e mjedisit; dhe financimin e sistemit për mbrojtjen e mjedisit.

Është miratuar vendimi për themelimin e “Zyrës për ofrimin e asistencës për qytetarët e Luginës së Preshevës” në kuadër të Zyrës së Kryeministrit, e cila do të ofrojë mbështetje për qytetarët që jetojnë në rajonin e Luginës së Preshevës. Përmes kësaj zyreje, bazuar në legjislacionin në fuqi, Qeveria e Kosovës do të angazhohet të ndërmarrë masat e nevojshme që të lehtësojë dhe përmirësojë jetën e qytetarëve që jetojnë në Luginën e Preshevës në fushën e arsimit, kulturës dhe ekonomisë. Zyra do trajtojë edhe çështjet të tjera që nuk janë listuar në këtë vendim, por që dalin si kërkesa dhe nevoja eventuale nga qytetarët që jetojnë në Luginën e Preshevës.

Në mbledhjen e sotme është aprovuar edhe vendimi për ndarjen e mjeteve buxhetore për zbatimin e Programit të Rimëkëmbjes Ekonomike, në vlerë prej 87 milionë euro.

Me vendimin e miratuar sot në mbledhje të Qeverisë është plotësuar dhe ndryshuar Vendimi Nr05/18 i datës 29.07.2020, ku shtohet pika 1.5. sipas të cilës organizatat buxhetore janë përgjegjëse për përgatitjen dhe aprovimin me shkrim të listave të personelit të tyre shëndetësor, në përputhje me pikën 1.1 dhe 1.2 dhe të njëjtat përcillen në Ministrinë e Shëndetësisë, e cila pasi konstaton përputhshmërinë me kriteret e këtij vendimi dhe udhëzimet e saj, përmes ministrit dhe sekretarit të përgjithshëm me shkresë të veçantë i dërgohen Thesarit të Kosovës, për procesim përmes Sistemit të Pagave, përkatësisht pagesë retroaktive për dy muaj, së bashku me pagesën mujore të muajit vijues gjatë viti 2020.

Me vendimin e miratuar sot në mbledhje, Fatos Qerimi, Sekretar i Përgjithshëm në Ministrinë e Zhvillimit Rajonal transferohet në pozitën, Sekretar i Përgjithshëm në Ministrinë e Ekonomisë dhe Ambientit.

Miratimin e Qeverisë në mbledhjen e sotme e ka marrë edhe Plani për implementimin e Programit për Rimëkëmbjen Ekonomike, Masa 8, “Mbështetja për programet ekzistuese dhe të reja që lidhen me zhvillimin rajonal përmes Ministrisë së Zhvillimit Rajonal, që ndikojnë në zhvillimin rajonal të balancuar”.

Qeveria e Republikë së Kosovës ka shqyrtuar dokumentet dhe draft marrëveshjet për Mbledhjen e përbashkët të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë.

Fillimisht është aprovuar drafti i Deklaratës së përbashkët ndërmjet Qeverisë të Republikës së Kosovës dhe Këshillit të Ministrave të  Republikës së Shqipërisë, për t’i rekomanduar Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe Kuvendit të Republikës së Shqipërisë mbikëqyrjen e zbatimit të marrëveshjeve të nënshkruara në mes të dy qeverive.

Në vijim Qeveria e Republikës së Kosovës ka miratuar në parim draftet e marrëveshjeve, memorandumeve dhe dokumenteve tjera që do të nënshkruhen në mbledhjen e përbashkët me Këshillin e Ministrave të Republikës së Shqipërisë më 2 tetor, në Shkodër.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)