29 Mars 2024

Qeveria miratoi Raportin e Shpenzimit Gjashtëmujor të Buxhetit

Prishtinë, 4 gusht - Qeveria e Republikës së Kosovës, nën drejtimin e kryeministrit Hashim Thaçi, ka zhvilluar mbledhjen e saj të 136-të, të rregullt në të cilën ka miratuar Projektligjin për Prodhimin, Grumbullimin, Përpunimin dhe Tregtimin e Duhanit, Projektligjin për Dizajnin Industrial, Projektligjin për Regjistrimin e Popullsisë, Ekonomive Familjare dhe Banesave dhe Projektligjin për Aspektin Civil të Rrëmbimit Ndërkombëtarë të Fëmijëve.

Qeveria ka miratuar edhe Raportin e Shpenzimit Gjashtëmujor të Buxhetit dhe Rregulloren për funksionimin e Zyrave Komunale për Komunitetet dhe Kthim.

Në hapje të mbledhjes, kryeministri Hashim Thaçi ka vlerësuar se takimi i djeshëm i Këshillit të Sigurimit të OKB-së ka riafirmuar edhe një herë progresin, angazhimet dhe arritjet e shtetit të Kosovës. “Takimi është zhvilluar në dritën e shpalljes së opinionit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për pavarësinë e Kosovës, dhe është edhe një dëshmi se ne kemi forcë për funksionalizimin e shtetit tonë”, ka thënë kryeministri Thaçi.

Kryeministri Thaçi ka theksuar angazhimin e institucioneve kosovare për përmbushjen e kritereve euro-atlantike për bashkëpunim rajonal me të gjithë fqinjët, dhe në këtë mes edhe me Serbinë si dy shtet të barabarta. “Me Serbinë nuk do të ketë asnjëherë dialog për çështjet tona të brendshme”, është shprehur kryeministri Hashim Thaçi.

Në fjalën hyrëse, kryeministri Hashim Thaçi, ka shprehur qëndrimin për vazhdimin e angazhimeve të Qeverisë së Kosovës për të siguruar njohje të reja ndërkombëtare për shtetin e Kosovës, vazhdimin e angazhimeve në zbatimin e Strategjisë për veriun e vendit, dhe angazhimit që Kosova të jetë pjesë e proceseve integruese në Bashkimin Evropian dhe NATO.

Qeveria ka aprovuar Projektligjin për Prodhimin, Grumbullimin, Përpunimin dhe Tregtimin e Duhanit. Ky projektligj përcakton parimet dhe procedurat me të cilat rregullohet prodhimi, grumbullimi, përpunimi, tregtimi i duhanit të papërpunuar dhe produkteve të tij në Republikën e Kosovës. Gjithashtu, projektligji rregullon marrëdhëniet juridike që kanë të bëjnë me procedurat, të drejtat dhe detyrat e subjekteve që merren me prodhimin, grumbullimin, përpunimin dhe tregtimin e duhanit.

Projektligjit për Dizajnin Industrial është miratuar sot në mbledhjen e Qeverisë. Ky projektligj përcakton kushtet për mbrojtjen e dizajnit industrial, fitimin, vëllimin dhe kohëzgjatjen e mbrojtjes, të drejtat ekskluzive, procedurat për regjistrimin, ndryshimin, vazhdimin, përfundimin e vlefshmërisë dhe anulimin e së drejtës së dizajnit.

Në mbledhjen e sotme është aprovuar edhe Projektligji për Regjistrimin e Popullsisë, Ekonomive Familjare dhe Banesave. Arsyeja e hartimit dhe aprovimit të këtij projektligji është caktimi i rregullave ligjore për regjistrimin e popullsisë, të ekonomive familjare dhe të banesave, duke filluar nga momenti i fillimit të regjistrimit, kohëzgjatjes dhe përfundimit të procesit të regjistrimit.

Aprovimi i Projektligjit për Aspekte Civile të Rrëmbimit Ndërkombëtar të Fëmijëve, sot nga Qeveria e Republikës së Kosovës, shënon edhe përmbushjen e një kushti të përcaktuara me Raportin e Progresit të Komisionit Evropian dhe Udhërrëfyesin për Liberalizim të vizave për Republikën e Kosovës. Me aplikimin e këtij projektligji në sistemin juridik të Republikës së Kosovës do të arrihen qëllime të shumta, ndër më të rëndësishmet është se ky projektligj do të rregullojë procedurat e sigurimit të kthimit të shpejtë të fëmijëve që largohen apo mbahen pa të drejtë në shtetin e vendqëndrimit.

Raporti Gjashtëmujor për Buxhetin 2010 është shqyrtuar dhe aprovuar në mbledhjen e sotme. Raporti është hartuar  nga Ministria e Ekonomisë dhe Financave, duke u bazuar në Ligjin për Menaxhimin e Financave Publike, dhe pasqyron përmbledhjen e të dhënave për të hyrat dhe të dalat nga Buxheti në periudhën raportuese.

Qeveria ka shqyrtuar dhe miratuar Rregulloren për Zyrat Komunale për Komunitete dhe Kthim. Zyra bashkërendon dhe ofron këshilla për organet përkatëse të degës ekzekutive dhe përfaqësuese të komunës, dhe ka përgjegjësi të promovojë dhe mbrojë të drejtat e komuniteteve dhe pjesëtarëve të tyre. Kjo zyrë mbikëqyrë dhe i paraqet raporte të rregullta kryetarit të komunës dhe kuvendit komunal dhe institucioneve të qeverisë qendrore për progresin e arritur në fushën e të drejtave të komuniteteve, qasjes së tyre të barabartë në shërbimet komunale, kthim, riatdhesim dhe ri-integrim. Zyra po ashtu mbledh të dhëna në lidhje me personat që kthehen nga vendet e treta në mënyrë vullnetare ose jo-vullnetarë.

Me kërkesë të Ministrisë së Energjisë dhe Minierave, Qeveria ka marrë vendim për heqjen nga Strategjia Legjislative për vitin 2010, hartimin dhe miratimin e Projektligjit për Shërbimet Sizmologjike. Në arsyetimin e Ministrisë së Energjisë dhe Minierave për heqjen e këtij projektligji nga Strategjia Legjislative për vitin 2010, thuhet se praktikat e vendeve të zhvilluara nuk e rregullojnë këtë materie me ligj të veçantë, por si pjesë të normativave tjera ligjore.

Qeveria e Republikës së Kosovës në mbledhjen e sotme, të 136-të me radhë, ka ndarë 500,000.00 (pesëqind mijë) euro për projekte kapitale në Komunën e Mitrovicës, duke dëshmuar kështu vazhdimësinë dhe fuqizimin e angazhimeve institucionale për të bërë investime kapitale në tërë territorin e vendit, me qëllim të ngritjes ekonomike dhe përmirësimin e jetës për të gjithë qytetarët tanë. 
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)