29 Mars 2024

Punëtorët e "Marketingut" serish të mërkurën në protesta

Prishtinë, 26 Korrik - Sindikata e Ndërmarrjes Shoqërore “Marketingu” e dalë nga bashkimi i OPPB “Investmetali”, OP “IM Banka”, OP “IM Ingeniering” dhe OP “IM Marketing” ka vendosur qe ditën e Mërkure prej orës 12:00 me të gjithë punëtorët e ndërmarrjes, si dhe anëtarët e tyre të familjes, te dalin në protestën e katërt të radhës pranë objektit tonë të ashtuquajturën “ndërtesa e OSBE-së” apo më parë “ndërtesa e Bankës së Lubjanës”.

Sindikata merr këtë vendim duke u bazuar në vullnetin e shprehur të të gjithë punëtorëve të ndërmarrjes të cilët që nga koha e pasluftës (1999) janë të papunë dhe frytet e punës së tyre i gëzojnë të tjerët, gjegjësisht OSBE-ja, dhe atë pa lejen e menaxhmentit të ndërmarrjes dhe pa asnjë lloj kompensimi.

Anëtarët e familjes ftohen gjithashtu të marrin pjesë në protestë ngase edhe familjarët kanë bashkëvuajtës së bashku me vetë anëtarët e tyre të punësuar në ndërmarrje. Nga të ardhurat personale nuk janë privuar vetëm punëtorët e ndërmarrjes por kjo gjithashtu ka pas ndikim direkt edhe në gjendjen financiare të familjes. Punëtorët e ndërmarrjes nuk ishin në gjendje ti përkrahin fëmijët e tyre që kanë pas nevoja të ndryshme, që nga ushqimi e deri te veshmbathja e shkollimi i tyre!

Pasi që takimi me OSBE-në i datës 16 qershor 2010 nuk solli asnjë rezultat dhe duke qenë në pritje të përgjigjes së OSBE-së për takimin e radhës, sindikata vendos të vazhdoj me protesta sipas agjendës që ka.

Në protestat e 14 Qershorit ne ndëshkuam OSBE-në me kartonin e parë të verdhë për shkak të injorimit që kemi nga OSBE-ja. Për shkak të këtij injorimi menaxhmenti pat vendosur që OSBE-së t’ja shtoj edhe kamatat ndëshkuese për vonesat në pagimin e qirasë. Kjo protestë ishte vijimësi e protestës paqësore të datës 12 Maj 2010 kur nuk na lejuan as që të dorëzojmë faturën për shfrytëzim të kateve tona në ndërtesën ku është vendosur Misioni i OSBE-së në Kosovë.

Të ndier të injoruar dhe pa mbrojtje ligjore, sindikata e ndërmarrës konsideron se më nuk ka ngelë asnjë formë civilizuese të përballet me uzurpatorin-OSBE e cila edhe shkeli në mënyrë më flagrante shkelë të drejtën e pakontestueshme të punëtorëve për realizimin e të drejtës së tyre për punë. 

Protesta do të jetë paqësore, me pamflete dhe parulla që do të mbahen nga punëtorët e ndërmarrjes dhe familjarët e tyre. Misioni i OSBE-së në Kosovë këtë radhë do të ketë rastin ti shoh edhe familjarët tonë të cilët gjithashtu kanë paguar koston e veprimeve arbitrare të OSBE-së! Veprimet e OSBE-së nuk dëmtuan vetëm punëtorët e ndërmarrjes por edhe familjarët e tyre.

Ne ende mbesim në kërkesat tona:
1.    Lirimi i menjëhershëm i aseteve tona,
2.    Pagesa e qirasë për periudhën që nga paslufta (1999),
3.    Pagesa e kamatës për vonesa në pagesa,
4.    Kompensimi i dëmeve të shkaktuara gjatë kohës së shfrytëzimit të kateve tona,
5.    Kthimin e dosjeve tona, të cilat ishin në ndërtesë para se OSBE-ja të hynte,
6.    Kthimin e interierit tonë dhe
7.    Ndjekja e procedurave të pranim-dorëzimit para largimit të OSBE-së dhe atë nën mbikëqyrjen e AKP-së si përgjegjëse për NSH-të e Kosovës,
Si dhe në vijim kërkojmë që:
8.    OSBE-ja të respektoj të drejtat pronësore si dhe vetë pronarët,
9.    OSBE-ja të respektoj institucionin përgjegjës për NSH-të që sot është AKP-ja, e jo ta injoroj sikurse bëri me ish AKM-në.

ARSYET E PROTESTËS

Punëtorët e NSH “Marketingu” që prej pas luftës së vitit 1999 nuk kanë pasur mundësi të futen në katet e tyre (5, 6, 7 dhe 8) në ndërtesën që çuditërisht tani njihet si “objekti i OSBE-së” thua se OSBE-ja e paska ndërtuar këtë!

Për shkak të rëndësisë së misionit të OSBE-së menaxhmenti i NSH-së ka kërkuar (viti 2000) zgjidhje paqësore dhe në dobi të dyanshme. Por OSBE-misioni në Kosovë nuk ka treguar gatishmëri të zgjidhjes së problemeve të shkaktuara nga vetë ata.

Menaxhmenti i gjendur në këtë situatë ka kërkuar shpëtim nëpër gjykata, që prej Gjykatës Komunale (C.Nr.272/2001), Gjykatës së Qarkut (AC.Nr.202/02) e deri te Oda e Veçante e Gjykatës Supreme (Nr. SCC-04-0054). Por OSBE gjithnjë ka shfrytëzuar autoritetin e sajë dhe ka ndikuar në mënyrë të drejtpërdrejtë në gjykata të cilat edhe ashtu ishin të themeluara nga vetë OSBE-ja. Kërcënimet që i kanë bërë Gjyqtarëve në Gjykatën Komunale dhe atë të Qarkut tregojnë më së miri se gjykatat tona nuk janë në gjendje të marrin vendime të drejta dhe për këtë arsye të dy gjykatat janë deklaruar ‘jo kompetente’ të zgjidhin çështjen e uzurpimit të pronës shoqërore. Me hapjen e Odës së Veçante të Gjykatës Supreme menaxhmenti shpresoj se është themeluar një gjykatë që merret me çështjet e ndërmarrjeve shoqërore, por edhe kjo gjykatë i bishtnoj çështjes duke kërkuar përkthimin e gjithë dokumentacionit të NSH-së gjë që ishte e pamundur edhe financiarisht edhe praktikisht, por avokati i NSH-së u kërkoj:
1.    që paneli i gjykatës i përbërë nga dy gjykatës vendorë ti kërkoj komentimin e dokumentacioneve nga po ata gjyqtarë vendorë, ose
2.    ti shfrytëzoj mjetet e parapara nga kjo gjykatë për rastet kur palët nuk kanë mundësi financiare, që ishte edhe rasti jonë.

Oda e Posaçme e Gjykatës Supreme refuzoj kërkesën e avokatit të NSH-së me arsyetim se nuk paskemi prova që nuk kemi mundësi financiare për të mbuluar shpenzimet e përkthimeve të tërë dokumentacionit! Faktet që objekti ynë është i uzurpuar dhe nuk kemi as mundësi veprimi e as që marrim të hyra nga qiraja nuk ishte bindës për gjykatën! Kështu NSH-ja humbi edhe këtë rast për të ri-marrë pronën e sajë!

Rasti i jonë edhe një herë vërteton se:
·    Gjykatat në Kosovë nuk janë të pavarura,
·    OSBE-ja nuk përton të ndërhyjë edhe në Gjykata dhe në ndarje të drejtësisë,
·    Nuk ka rrugë ligjore për mbrojtje të pronës shoqërore,
·    Dështimi jonë për të mbrojtur pronën e NSH-së tregon se prona shoqërore mund të jetë gjah i lehtë për plaçkitje dhe njerëz apo organizata të pamoralshme,
·    Për të dobëtin apo të pafuqishmin nuk ka drejtësi!

Aq më tepër, pas largimit të paralajmëruar të OSBE-së nga objekti, menjëherë Administrata Komunale do të na kërkoj pagesën  e Tatimit në Pronë dhe atë për 11 vite! Pse kjo Administratë nuk kërkoj pagesën e Tatimit në Pronë gjatë kohës sa OSBE-ja është brenda, por pret daljen e sajë që me ne të merret më lehtë. Ja si të dobëtin dhe të pafuqishmin e plaçkitin të gjithë.

NSH-ja sipas të gjitha gjasave do të detyrohet vetë ti rinovoj dëmtimet e shkaktuara këto 11 vite nga OSBE-ja dhe askujt nuk i bëhet vonë për këtë!

Punëtorët e NSH-së që prej pasluftës mbetën pa punë e pa të ardhura për shkak të pamundësisë së ushtrimit të veprimtarisë së sajë! Nëse këtyre 11 viteve i shtohen edhe 9 vite të mbetur pa punë gjatë masave të dhunshme atëherë dalin 20 vite të mbetur pa punë! A pyetet dikush se si do të jetë fati i këtyre punëtorëve? A pyetet dikush se si jemi gjetur tërë këto vite? A mos vallë jemi kategori e tepërt për këtë shoqëri?

Ndërmarrjet Shoqërore janë subjekte afariste e jo organizata bamirëse, e as që OSBE-ja ka nevojë për ndihma humanitare që ne t’i lëshojmë asaj objektin tonë pa kurrfarë kompensimi e t’i lëmë punëtorët rrugëve pa mundësi të punës dhe pa të ardhura.

Nuk besojmë që institucionet si OSBE-ja e kanë të lejuar një sjellje të tillë, gjegjësisht uzurpimin e pronës, por kjo ka ndodhur për shkak të frikës së ish-AKM-së të përballet me një institucion si OSBE-ja dhe OSBE-ja që ka ditur shumë mirë të shfrytëzoj pozicionin e sajë si mbikëqyrës i gjykatave në Kosovë për t’iu bërë presione gjykatave për të mos trajtuar çështjen tonë.

Ne kemi shpresuar për përkrahje nga ish-AKM-ja e cila sipas Rregullores së UNMIK-ut Nr. 2002/12 të 13 qershorit 2002 dhe e ndryshuar me UNMIK Reg. 2005/18 të 22 prillit 2005 ishte themeluar për të ruajtur apo shtuar vlerën, qëndrueshmërinë afariste dhe qeverisjen e përbashkët të ndërmarrjeve shoqërore dhe publike në Kosovë.

AKP-ja më 22 prill 2010 i përkujtoj Ambasadorit Werner Almhofer (OSBE-Misioni në Kosovë) që AKM-ja ka dërguar disa letra OSBE-së në lidhje të kësaj çështje të veçantë. Për më tepër në 1 korrik 2007 AKM-ja i ka dërguar OSBE-së draft kontratën zyrtare të qiramarrjes për hyrje në marrëveshje qiramarrëse me AKM-në në emër të NSH-së për shfrytëzimin e pronës së NSH-së.

Por pasi AKM-ja ishte injoruar nga OSBE-ja apo mbase kanë ndodhur edhe gjëra për të cilat ne nuk jemi në dijeni, AKM-ja është pasivizuar dhe asnjëherë nuk ka shprehë interesim që ti koordinoj aktivitetet me vetë NSH-në si pronare të aseteve, por i ka kur takimeve me menaxhmentin e ndërmarrjes.

Prandaj mund të konkludojmë se ish-AKM-ja nuk kishte zbatuar Rregulloren e UNMIK-ut Nr. 2002/12, gjegjësisht nenin 2.2. ku thuhet: a) Administrojë ndërmarrjet si administrues i besuar i pronarëve të tyre,........ apo b) Zhvillojë aktivitete ndihmëse për të ruajtur ose avancuar vlerën, shanset për sukses dhe qeverisjen e ndërmarrjeve. Ish-AKM-ja në rastin tonë nuk kishte administruar si administrues i besuar por na shmangej që të mos bie në konflikt me OSBE-në! Ish-AKM-ja as që kishte tentuar ndonjëherë të ruaj apo avancoj vlerën, por ka lejuar degradimin e tyre!

Pasiviteti i ish-AKM-së kuptohet nga fakti se AKM-ja ishte nën Shtyllën e IV të UNMIK-ut sikurse OSBE-ja që ishte shtyllë e veçantë e UNMIK-ut. Të qenë nën ombrellën e njëjtë, pra nën UNMIK, duket qartë se janë evituar telashet brenda të njëjtit kulm, dhe njëri institucion përkrahte tjetrin.

Evitimi i konflikteve në mes të ish-AKM-së dhe OSBE-së vërtetohet me vetë faktin se AKM-ja nuk e pa të arsyeshme të përfundoj Përcaktimin e Statusit të ndërmarrjes sonë, edhe pse asetet tona janë të çmuara dhe njëra nga to, gjegjësisht Zyra Qendrore gjendet në njërin ndër objektet më të bukura në qendër të qytetit të Prishtinës.

Të gjendur në një situatë të re pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës dhe me mbylljen e ish-AKM-së që ishte nën UNMIK dhe zëvendësimit të sajë nga AKP-ja, themeluar nga Ligji i Kuvendit të Kosovës Nr. 03/L-067, ne shpresojmë se ky institucion i ri do të merret seriozisht me çështjen tonë, gjegjësisht të zbatoj mandatin e sajë, e jo si ish-AKM-ja t’i ikë situatave të ‘nxehta’.

Menaxhmenti i ndërmarrjes i është drejtuar për ndihmë edhe EULEX-it me datë 28 qershor 2010, duke shpresuar se misioni i tyre është sigurimi i sundimit të ligjit! Si mund të konsiderojmë se jemi duke ndërtuar shtet ligjor kur themeluesi i gjykatave (OSBE-ja) pengon realizimin e të drejtave pronësore në gjykata! Si mund të shpresojmë se do të kemi sundimin e ligjit kur pronari nuk arrijnë ta gëzoj pronën e tij! Për ç’far sundimi të ligjit bëhet fjalë kur prona uzurpohet nga më i forti dhe pronari injorohet dhe nëpërkëmbët! Në vend se EULEX-i të zbatoj misionin e tij, për çka edhe është themeluar, na dërgoj një përgjigje tejet diplomatike, duke na thënë se nuk merren me ‘padi civile’!!! Por ne nuk kërkuam nga EULEX-i të zgjidh një kontest civil, por që të ndërmerr masa për sundimin e ligjit edhe në rast se ligji shkelet nga institucione me reputacion si OSBE-ja. EULEX-i duhej të interesohej për rrjedhën e ngjarjes dhe arsyen pse gjykatat nuk vepruan në këtë rast konkret? EULEX-i duhej të interesohej të zbulonte pse dështoj drejtësia, pse gjykatat nuk patën guximin të merreshin me këtë rast?

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)