23 Prill 2024

Publikohen rezultatet e Anketës së Fuqisë Punëtore

Prishtinë, 17 shtator - Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) publikon rezultatet e Anketës së Fuqisë Punëtore (AFP), për tremujorin e dytë (TM2) 2019.

Anketa ka pasur shtrirje në 449 qarqe regjistruese në tërë territorin e vendit, ku janë anketuar 3 917 ekonomi familjare, të përzgjedhura sipas metodës së rastit, nga korniza e Regjistrimit të Popullsisë, Ekonomive Familjare dhe Banesave të vitit 2011.

Ky publikim përmban të dhëna të detajuara mbi punësimin dhe papunësinë sipas moshës, gjinisë,  statusit të punësimit, aktiviteteve ekonomike, profesioneve dhe çështjeve të tjera të ngjashme, që kanë të bëjnë me tregun e punës.

Sipas rezultateve të dala nga ky publikim, dy të tretat e popullsisë në Kosovë janë popullsi në moshë pune. Në popullsinë e moshës së punës përfshihen moshat 15-64 vjeçare.

Në kuadër të popullsisë në moshë të punës, shkalla e pjesëmarrjes në fuqinë punëtore është 39.9%. 

Shkalla e punësimit në Anketën e Fuqisë Punëtore (AFP), për tremujorin e dytë (TM2) 2019 është 29.8%.

Punësimi me i lartë është te meshkujt 45.9%, ndërsa punësimi te femrat është 13.7%. Femrat janë të punësuara, kryesisht në sektorët e arsimit, tregtisë dhe kujdesit shëndetësor, me 51.6 % të tyre. Ndërsa meshkujt janë kryesisht të punësuar në sektorët e tregtisë, ndërtimtarisë dhe prodhimit, me 48.9%.

Sektorët ekonomikë, që prijnë me punësim, vazhdojnë të jenë: tregtia me 17.9%; ndërtimtaria me 13.4%, prodhimi me 12.4%, si dhe arsimi me 9.7%. Ndërsa, sektorët e tjerë marrin pjesë me përqindje më të vogël në punësim.

Sa u përket të punësuarve me kontrata, del se 38.4% e personave të punësuar kanë kontratë të përhershme në punën e tyre kryesore, ndërkohë që 61.6% kanë kontratë të përkohshme.

Sipas rezultateve të AFP-së, në TM2 2019, shkalla e papunësisë është 25.3%.

Papunësia më e theksuar është te femrat me 32.7%, krahasuar me meshkujt, 22.8%. Shkalla më e theksuar e papunësisë është te grupmoshat 15-24 vjeçare me 49.1%.

Sipas rezultateve të AFP-së, në TM2 2019, fuqia joaktive është mjaft e lartë me 60.1%, me fokus të veçantë te femrat me 79.6 %, krahasuar me meshkujt, 40.6%.

Për realizimin e AFP-së, TM2 2019, metodologjia dhe standardet e aplikuara nga ana e ASK-së janë të harmonizuara me rekomandimet e Eurostat-it.

Për më shumë informata, lidhur me publikimin: “Anketa e Fuqisë Punëtore në Kosovë, TM2 2019”,  vizitoni: http://ask.rks-gov.net/sq/agjencia-e-statistikave-te-kosoves/sociale/tregu-i-punes

 

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)