12 Dhjetor 2018

Prokurimi publik në Kosovë vazhdon të mbetet i ndjeshëm ndaj korrupsionit

Prishtinë, 7 dhjetor - Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) përmes një tryeze diskutimi shpalosi sot punimin e shkurtër rreth politikave, “Integriteti, elementi kyç në përmirësimin e Prokurimit Publik”, që ilustron politikat aktuale në menaxhimin e parasë publike përmes prokurimit publik, problemet me të cilat ballafaqohet ky proces, por mbi të gjitha adreson nevojën e rritjes së integritetit në këtë sektor.

Bazamenti i këtij punimi buron nga  punëtoria e përbashkët me përfaqësues të institucioneve qeveritare, të drejtësisë, shoqërisë civile dhe mediat, por edhe nga praktikat e mira ndërkombëtare të cilat kanë prodhuar rezultate në ngritjen e integritetit institucional.

Me këtë rast, Arben Kelmendi, Menaxher i Programit Kundër Korrupsion të KDI-së, ka thënë se vetëm gjatë vitit 2017, në Kosovë janë zhvilluar 10,214 aktivitete të Prokurimit nga 163 Autoritete Kontraktuese.

Vlera e këtyre prokurimeve, duke përfshirë edhe pjesën e alokuar për 2017, për ndërtimin e Autostradës “Arbër Xhaferi” është 641,298,561.48 euro apo 35% të buxhetit të alokuar për të njëjtin vit (1,810,131,478.00 Euro).

“Kjo përqindje tregon se Prokurimi Publik përbën një nga veprimtaritë kryesore në shpenzimin e parasë publike. Për më tutje, ai shtoi se  prokurimi publik në Kosovë vazhdon të mbetet i ndjeshëm ndaj korrupsionit pavarësisht progresit të bërë gjatë viteve të fundit në adresimin e këtij fenomeni. Sipas raporteve të ndryshme ndërkombëtare ligjet janë ndryshuar disa herë dhe ato janë në përputhshmëri me acquis të BE-së”, shtoi ai.

Ndërsa Arton Demhasaj, drejtor ekzekutiv i Organizatës ÇOHU, theksoi se nevoja për profilizim të prokurorëve dhe gjyqtarëve për prokurim publik është evidente, po ashtu ka shtuar se ka nevojë për ngritje të resurseve njerëzore respektivisht ekspertë të fushës së prokurimit si staf ndihmës për gjyqësorin.

”Zbatimi i normës së kodit penal që merret me shkeljet në fushën e prokurimit publik do të ndikonte në përmirësim të fushës së prokurimit në mënyrë që të jetë më transparente dhe të ketë më pak shkelje në këtë fushë”, vlerësoi ai.

Kurse Diana Metushi-Krasniqi nga KDI ka thënë se edhe pse Kosova ka disa nivele të llogaridhënies në menaxhimin e financave publike, raporte të ndryshme ndërkombëtare dhe ato të shoqërisë civile dhe mediave në Kosovë, tregojnë për dhënie të tenderëve miqve dhe anëtarëve të familjes së politikanëve në pushtet, ose të zyrtarëve të prokurimit, mosrespektim të ligjit nga autoritetet kontraktuese, transparencë të kufizuar, manipulim të ofertave, menaxhim të dobët të kontratave, rregullim të çmimeve pas dhënies së kontratave, presion politik, kapje të shtetit, problemet me platformën elektronike të prokurimit dhe dhe mosndëshkim të vazhdueshëm për shumë nga këto shkelje e parregullësi.

Meqë këto probleme janë të ndërlidhura ngushtë me faktorin njeri, ajo ka pohuar se është esenciale fuqizimi i integritetit dhe llogaridhënies në këtë sektor të rëndësishëm në shpenzimin e parasë të tatimpaguesit.

 “Integriteti, elementi kyç në përmirësimin e Prokurimit Publik” konkludon se fokusimi në forcimin e integritetit në prokurimin publik është thelbësor për t’i dhënë fund  kësaj gjendje. KDI rekomandon që të procedohet me themelimin e Byrosë së Integritetit brenda Komisionit Rregulativ të Prokurimit Publik.

Byroja e Integritetit të Prokurimit Publik do të funksiononte si një qendër kombëtare e ekspertizës dhe do të mbështeste Autoritetet Kontraktuese në zbatimin dhe kontrollin e përgjegjësive të tyre në fushën e integritetit dhe në promovimin e tij si vlerë fundamentale e qeverisjes së mirë.

Ky projekt është mbështetur nga Fondacioni i Kosovës për Shoqëri të Hapur - KFOS.

Kalendari

Ngjarjet e datës 12 dhjetor 2018 - Mbahet hapja zyrtare e projektit KosLift i cili mbështetet nga Ambasada Norvegjeze në Prishtinë dhe implementohet nga IPKO Foundation dhe RIT Kosovë. (Kampusi i RIT Kosovë, në Universitetin Amerikan, ora 9:30)

- Let’s Do It organizon aksion pastrimi te “Tregu i Gjelbër” në Prishtinë. (Tregu i Gjelbër, rruga që e lidh me lagjen “Kalabria”, ora 10:00)

- Ministria e Administratës Publike organizon ceremoninë e vënies së gurthemelit për ndërtimin e Shkollës së Mesme të Muzikës dhe të institucionit parashkollor-Çerdhes në Prizren. (Lagjja “ Bajram Curri”, që gjendet përballë shkollës së mesme të mjekësisë “ Luciano Motroni” në Prizren, ora 10:00)

- Ministris së Shëndetësisë, Uran Ismaili raporton para Komisionit për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale lidhur me procesin e revidimit të listës esenciale të barnave, vonesat në përmbushjen e agjendës legjislative dhe projeksionet buxhetore të Ministrisë së Shëndetësisë për vitin 2019. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N 302, ora 10:00)

- Koordinatori Nacional për Kulturë, Rini dhe Sport në Qeverinë e Kosovës, Rexhep Hoti do të nënshkruajë marrëveshje bashkëpunimi me Kryetarin e Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini. (Objekti i Komunës së Gjakovës, ora 10:00)

- Mbahet mbledhja e Komisionit për të Drejtat, Interesat e Komuniteteve dhe për Kthim në të cilën do të behët shqyrtimi i Projektligjit për Kinematografinë, shqyrtimi i Projektligjit për të drejtat e autorit dhe të drejtat e përafërta,etj. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N 10, ora 10:00)

- Prezantohet kampanja informuese ”Kodi Civil qëndron për qytetarët e barabartë të Republikës së Kosovës,” organizuar nga projekti i financuar nga Bashkimi Evropian “Mbështetje Kodit Civil - faza 2”, i cili po mbështetët nga Ministrinë e Drejtësisë. (Hotel Ulpiana në Graçanicë, ora 10:30)

- Demokracia Plus dhe USAID organozijnë debat publik lidhur me prokurimin publik në Gjilan. (Hotel Kristal, ora 11:00)

- Lidhja Demokratike e Kosovës mban konferencë për medie. (Selia qendrore e LDK-së në kompleksin Qafa, ora 11:00)

- Let’s Do It në bashkëpunim me nxënësit e shkollës ‘’Hivzi Sylejmani’’ organizon aksion pastrimi në Fushë Kosovë. (Oborri i shkollës Hivzi Sylejmani, ora 11:55)

- Punëtorët e NTP “Pallati i Rinisë” mbajnë një protestë përmes së cilës do t’i shprehin shqetësimet dhe pakënaqësitë e tyre për mos marrjen e pagave që tre muaj më radhë. (Para Newborn,ora 12:00)

- Banorët e fshatit Cikatovë mbajn protestë në mbrojtje të pronave stergjyshore te marrura në menyrë tinzare nga ana e Komunës se Drenasit dhe te cilat u janë shitur New Co Feronikeli, pa i kompenzuar asnjëherë. (Para Gjykatës Themelore të Prishtinës  dega në Drenas, ora 13:00)

- Aleanca Kosovare të Bizneseve organizon konferencën për media lidhur me ndikimin e taksës 100 % në ekonominë e Serbisë. (Selia qendrore e AKB-ës në Tophane, ora 13:00)

- Lëvizja Vetëvendosje mban konferencë për media. (Zyrët qendrore te Vetëvenosjes, ora 13:00)

- Koalicioni i OJQ-ve “Java Kundër Korrupsionit 2018” do të mbajë tryezën e diskutimit me temë “Integriteti, Llogaridhënia dhe Efikasiteti i sistemit të drejtësisë - Nevoja për Vetting”. (Hotel Sirius, ora 14:00)
 
 - Koordinatori Nacional për Kulturë, Rini dhe Sport në Qeverinë e Kosovës, Rexhep Hoti, do të nënshkruajë marrëveshje bashkëpunimi me Kryetarin e Komunës së Dragashit Shaban Shabani. (Objekti i Komunës së Dragashit, ora 14:00)

- Zëvendësshefja e misionit të ambasadës së SHBA-ve në Kosovë, Colleen Hyland, dhe Drejtoresha e Korpusit të Paqës, Dr. Darlene Grant, do të mbajnë fjalime në një takim me kryetarët e komunave të Kosovës. (International Hotel Prishtina, ora 16:00)