05 Gusht 2020

Përurohen zyrat shtesë të BQK-së

Prishtinë, 2 korrik - Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, Fehmi Mehmeti dhe Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti kanë përuruar zyrat shtesë të BQK-së.

Guvernatori Mehmeti tha se përurimi i këtyre zyrave po bëhet në 30 vjetorin e deklaratës së 2 Korrikut që ishte edhe pikënisje për përpjekjet për pavarësinë dhe forcimin e shtetit të Kosovës.

“Sektori financiar vazhdimisht është në rritje, prandaj kjo detyrimisht na imponon nevojën që t’i rritim kapacitetet e Bankës Qendrore."

"Nga sot këto zyra janë funksionale dhe mundësojnë që stafi i BQK-së të ketë kushte më të mira të punës dhe krejt kjo falë mirëkuptimit, bashkëpunimit dhe përkrahjes së kryetarit të Komunës së Prishtinës. Gjithashtu, shfrytëzoj rastin ta falënderoj edhe Kuvendin Komunal që ka përkrahur iniciativën e Kryetarit”, deklaroi Guvernatori Mehmeti.

Nga ana tjetër, Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti shprehu kënaqësinë për këtë projekt ku
përmes investimeve i është rritur vlera objektit.

“Banka Qendrore e Republikës së Kosovës është një prej institucioneve më të rëndësishme për neve dhe ka qenë diskutim gati 3 vjeçar me kërkesën që së pari të ndërtohet një kat në Bankën Qendrore, për çka edhe kemi formuar një komision me Fakultetin e Arkitekturës dhe me ekspert që kanë rekomanduar që të mos bëhet edhe një kat për shkak se do t’ia ndryshonte pamjen njërit prej objekteve që është më së shumti i paraqitur nëpër fotografitë e Prishtinës."

"Atëherë ne kemi shkuar me zgjidhjen tjetër që është pronë e Komunës së Prishtinës, ku ka qenë e vendosur për vite të tëra Drejtoria e Infrastrukturës dhe kemi vendosur që objekti që ka qenë me shumë probleme t’ia ofrojmë Bankës Qendrore të cilët edhe ia kanë rritur vlerën objektit të Komunës së Prishtinës sepse kjo ndërtesë nuk mbetet më vetëm një kthinë e errët me plotë probleme, po mbetet reprezentative sikur që është edhe BQK-ja”, deklaroi Kryetari Ahmeti.

Numri i stafit që do të vendoset në këto zyra do të jetë 60, ndërsa vlera e investimeve të bëra arrin në shumën e mbi 500 mijë eurove.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 5 Gusht 2020

- Oda Ekonomike e Kosovës, Ministria e Drejtësisë dhe USAID-Programi për Drejtësi Komerciale do të mbajë forum virtual me temë 'Ekonomia gjatë pandemisë COVID-19. Si do të ndihmojë Gjykata Komerciale?'. (Objekti i Odës Ekonomike të Kosovës, ora 10:00)

- Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit voton raportin vjetor të Akademisë së Drejtësisë, Agjencisë Kundër Korrupsionit dhe Komisionit Qendror të Zgjedhjeve si dhe diskuton lidhur me Raportin e Punës së Këshillit Gjyqësor dhe të Këshillit Prokurial të Kosovës. (Salla e seancave plenare, ora 10:00)

- Grupi i Aktorëve të Prishtinës mban konferencën për media e cila organizohet me rastin e adresimit të kërkesës se aktoreve në Drejtorinë e Kulturës në Komunën  e Prishtinës, për krijimin e trupës artistike të Teatrit të qytetit në Prishtinë. (Para Komunes te Prishtines, ora 10:00)

- Komisioni Hetimor Parlamentar lidhur me procesin e privatizimit në Kosovë miraton planin e punës së Komisionit. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N10, ora 10:00)

- Ministri i Infrastrukturës, Arban Abrashi, do t’i vizitojë punimet në hekurudhën e Kosovës, linjën 10, në stacionin hekurudhor në Miradi. (Miradi, ora 10:30 - Nisja për media nga parkingu i Ministrisë së Infrastrukturës, ora 10:00)