20 Shtator 2020

Përurohen dy objekte të reja shkollore në Mitrovicë

Mitrovicë, 17 shkurt - Në prag të dyvjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Republikës së Kosovës, kryetari i komunës së Mitrovicës, Avni Kastrati i shoqëruar nga drejtori komunal për arsim, Riza Haziri si dhe përfaqësues të jetës shoqërore dhe politike në këtë komunë, kanë marrë pjesë të martën në përurimin e dy objekteve të reja shkollore. 

Fillimisht është përuruar objekti i ri i shkollës fillore “Fazli Grajqevci” në Shipol të Mitrovicës, një prej shkollave më të mëdha fillore në këtë komunë. Me këtë rast kryetari Kastrati, ka përgëzuar nxënësit dhe mësimdhënësit për këtë objekt të ri shkollor, i  cili do të ofroj kushte për një proces të mirëfilltë arsimor. 

Ai ka theksuar se komuna me mbështetje të institucioneve qendrore do të vazhdoj t’i kushtoj rëndësi të madhe sferës së arsimit, veçanërisht në komunën e Mitrovicës, ku dihet se për shkak të rrethanave politike të pasluftës ka pasur shumë probleme me hapësirë shkollore.

Drejtuesit komunalë të Mitrovicës, pasi kanë përcjell një program artistik të përgatitur nga nxënësit e kësaj shkolle kanë përuruar edhe objektin e ri të shkollës së mesme teknike “Artkitekt Sinani” në lagjen Iliridë. Kryetari Kastrati ka premtuar përkrahje sa i përket krijimit të kabineteve që janë të nevojshme për nxënësit e kësaj shkolle.

Ai i ka lutur nxënësit dhe mësimdhënësit që të kujdesen dhe ta ruajnë objektin e ri shkollor, i cili ofron hapësirë shumë komode për procesin arsimor. 

Në anën tjetër, drejtori i kësaj shkolle, Gani Haliti, pasi ka falënderuar drejtuesit komunalë si dhe Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë që ka financuar ndërtimin e këtij objekti, ka thënë se tani mbetet që të investohet në krijimin e mundësive për punë praktike të nxënësve të teknikës.

Ai ka përkujtuar se ka afër dy dekada që nxënësit dhe mësimdhënësit e këtij kolektivi nuk kanë pasur objekt të vetin. “Para luftës kemi punuar nëpër shtëpi-shkolla, ndërsa pas luftës prapë nuk kemi mundur të shfrytëzojmë objektin e shkollës tonë në veri të qytetit, andaj kemi qenë të detyruar që të punojmë nëpër objekte të tjera shkollore në jug të qytetit, në hapësirë të pamjaftueshme dhe aspak të përshtatshme për punë”.

Lidhur me këto dy objekte shkollore, drejtori i Drejtorisë së Arsimit, Riza Haziri, sqaroi se janë financuar nga MASHT dhe secila prej tyre ka kushtuar nga rreth 2 milionë euro. Haziri tha se përveç këtyre dy projekteve shkollore, më herët është ndërtuar një objekt i ri shkollor në Zhabar, mandej një në fshatin Zasellë, ndërsa duke u ndërtuar është objekti shkollor në fshatin Suhadoll në veri të qytetit.     

Kalendari

Ngjarjet e datës 20 Shtator 2020

- Forumi Ballkanik në emër të Platformës së Shoqërisë Civile për Demokraci dhe të Drejtat e Njeriut mban konferencë për shtyp në të cilën publikon raportin hulumtues, që është një vështrim mbi progresin e bërë nga 6 vendet e Ballkanit Perëndimor drejt zbatimit të zotimeve të tyre që nga Samiti i Ballkanit Perëndimor në Londër (2018) dhe Poznań (2019), të zhvilluara në kuadër të Procesit të Berlinit të nisur në vitin 2014. (Zyret e Forumit Ballkanik Rr. Tirana, C4/2 LAM B-N2 11-1, banesat e bardha të Prime Group, afër Euro Printy, ora 13:00)
 
- Lëvizja Vetëvendosje mban konferencë për media. (Zyret e LV-së në Arbëri, ora 14:00)