24 Prill 2024

Periudha e pandemisë shkaktare e ndryshimeve afatgjata për burimet njerëzore

Prishtinë, 21 tetor - Përveç ndryshimeve të shumëta që ka shkaktuar në ekonomi, pandemia COVID-19 ka ristrukturuar edhe mënyrën dhe lokacionet e punës, duke rritur rolin e teknologjisë në komunikim.

Rrjedhimisht, departementet e burimeve njerëzore brenda kompanive janë ballafaquar me nevojën për ristrukturim të strategjive të tyre të punës, për të mbajtur produktivitetin e punëtorëve.

Ndryshimet e implementuara në strategjitë organizative, ri-sistemimi i stafit, si dhe transferimi i punëve nga distanca ishin disa nga pikat e diskutuara në forumin e rradhës virtual të organizuar nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë, mbi ndikimin e pandemisë në riorganizimin e burimeve njerëzore.

Kryesuesja e komitetit të Odës Amerikane për Burime Njerëzore, Donika Karaxha, menaxhere e rekrutimit të talenteve në Sutherland, njëherit edhe moderatore e këtij forumi, theksoi se pandemia ka sjell në pah nevojën për ndryshime në veprimtaritë e burimeve njerëzore për përshtatje të menjëhershme me situatën, ndërsa theksoi nevojën për njohjen e regjistrimit elektronik të pushimeve.

Anita Kosumi-Ajeti, udhëheqëse e Departamentit të Burimeve Njerëzore në Bankën për Biznes (BPB), theksoi se një ndër sfidat kryesore me të cilat është përballur ky institucion ka qenë organizimi i atillë i punës që mundëson vazhdueshmërinë e aktiviteteve dhe shërbimit të klienteve si dhe motivimin e stafit përmes komunikimit të vazhdueshëm. Sipas saj, BPB ka marrë të gjitha masat e nevojshme për ruajtjen e shëndetit të të punësuarve, duke funksionalizuar edhe punën nga shtëpia, aty ku ka qenë e mundur.

Në lidhje me këtë të fundit, Kosumi-Ajeti u shpreh se puna nga distanca ka theksuar dukshëm rëndësinë e komunikimit të brendshëm, dhe rolin e udhëheqësisë së bankës në menaxhimin e ekipeve nga distanca.

Ajo po ashtu potencoi se masat parandaluese të implementuara nga institucionet shëndetësore kanë shërbyer jo vetëm për ngritjen e vetëdijesimit të klientëve rreth shfrytëzimit të shërbimeve elektronike bankare, por edhe si shtysë për avancimin e këtyre proceseve nga sektori bankar në përgjithësi.

Shkumbin Ibraimi, kryeshef ekzekutiv i kompanisë Mercurius Consulting, theksoi se shërbimet për rekrutim të stafit sidomos në profilet e teknologjisë informative kanë shënuar rritje gjatë periudhës së pandemisë, ndërsa proceset e transformimit digjital janë përshpejtuar si rrjedhojë e izolimit.

 Duke folur mbi sfidat nga kjo situatë e paprecedentë, Ibraimi tha se vështirësi e veçantë ka qenë testimi dhe vlerësimi adekuat i kandidatëve nga distanca.

 Ndërsa, sipas tij, kjo mënyrë e punës, megjithëse proces i nevojshëm për situatën në të cilën ndodhemi, do të ketë ndikime negative afatgjata për shkak të mungesës së komunikimit verbal dhe aktivitetit social brenda kompanive.

 Tutje, Ibraimi bëri thirrje për mirëkuptim në mes të punëtorëve dhe pronarëve të kompanive në rast të shkëputjes së kontratave.

Vedat Hajdari, menaxher i Departamentit të Burimeve Njerëzore në kompaninë HIB Petrol, potencoi se marrë parasysh natyrën e punës së kësaj kompanie, ku rreth 70% e të punësuarve kanë kontakt direkt me klientë, një sfidë mjaft e madhe ka qenë organizimi i veprimtarive të punës.

 Hajdari gjithashtu ndau me pjesëmarrësit disa nga masat që janë implementuar në këtë kompani për të evituar ndërprerjen e kontratave të punëtorëve, me ç’rast punëtorët më të rrezikuar nga virusi qoftë nga pozita e tyre në shërbim të klientit, apo nga aspektet personale shëndetësore janë dërguar në pushim mjekësor.

Tutje, Hajdari theksoi se brenda ligjit të punës ekzistojnë dispozita të cilat përcaktojnë dhe arsyetojnë mungesën në punë për shkak të situatave të tilla, por edhe largimin nga puna si pasojë e gjendjes së rëndë ekonomike të kompanisë.  Sipas tij, çështje që duhet të adresohen janë mungesa e formalitetit në fuqinë punëtore, si dhe përfshirja e forcës madhore në kontrata.

Arlinda Vllasolli, menaxhere e Departamentit të Burimeve Njerëzore në kompaninë Trepharm, tha se njëra ndër sfidat më të mëdha me të cilat departamenti i saj është ballafaquar gjatë periudhës së pandemisë COVID-19 ka qenë vendimmarrja në orët e vona nga ana e Qeverisë së Kosovës e cila ka lënë një hapësirë të vogël kohore për implementim të rregullave efikase brenda kompanisë.

Vllasolli gjithashtu potencoi se marrë parasysh natyrën e veprimtarisë së Trepharm, departamenti i prodhimit ka punuar me kapacitet të lartë ndërsa ai administrativ ka punuar nga shtëpia.

Ajo gjithashtu ndau disa nga masat parandaluese akoma në fuqi brenda kompanisë, siç janë ristrukturimi i shfrytëzimit të hapësirave të përbashkëta për punëtorët, ndërprerja e përkohshme e kontaktit me palë të jashtme, si dhe matja e rregullt e temperaturës. Vllasolli tha se shkëputja e kontratave të punëtorëve në Trepharm ka qenë minimale.
--

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)