08 Mars 2021

PAMKOS kërkon që të përfshihen punëtorët e pastrimit në Programin për Rimëkëmbje

Prishtinë, 22 janar - Asociacioni PAMKOS ka vlerësuar se përkundër angazhimit të lartë të kompanive Regjionale të Mbeturinave në këtë kohë pandemie, sërish puna e tyre nuk është duke u vlerësuar dinjitetshëm prej institucioneve dhe si rrjedhojë kanë kërkuar përkrahje financiare dhe përfshirje në Programin për Rimëkëmbje për vitin 2021.

Sipas PAMKOS-it përgjatë gjithë kësaj periudhe të pandemisë dhe përkundër rrezikshmërisë së lartë në punë,  punëtorët nëpër të gjitha kompanitë e pastrimit kanë shtuar intensitetin e tyre të punës, ku përpos grumbullimit të rregullt të mbeturinave, ata njëherësh maksimalisht janë angazhuar në pastrimin e vazhdueshëm të hapësirave publike me qëllim ruajtjen e shëndetit publik nga pandemia, duke i ardhur në ndihmë qytetarëve dhe institucioneve në nivel vendi.

Andaj, si asociacion i Kompanive Regjionale për menaxhimin e mbeturinave “PAMKOS”, i bën thirrje institucioneve të Qeverisë së Kosovës që të mos diskriminojnë punëtorët e kompanive të pastrimit dhe të rishqyrtojnë mundësinë e përfshirjes së punëtorëve të kompanive të grumbullimit të mbeturinave në kuadër të Programit për Rimëkëmbje për vitin 2021, të cilët gjatë punës së tyre të pandalshme në bartjen dhe grumbullimin e mbeturinave kanë qenë dhe janë të ekspozuar në shkallë të lartë drejtpërsëdrejti ndaj rrezikut të pandemisë (COVID 19) dhe deri më tani kanë qenë të diskriminuar dhe anashkaluar totalisht duke mos ju atribuar asnjë përfshirje në pakon emergjente, si dhe në ofrimin e ndihmës ndaj Kompanive Regjionale të Mbeturinave (KRM-të) dhe Kompaninë e Menaxhimit të Deponive në Kosovë (KMDK) në mbulimin e shpenzimeve operative të kompanive, me qëllim që të mund t’a përballojmë situatën e rëndë të krijuar në to.

"Punonjësit në kompanitë e bartjes dhe grumbullimit të mbeturinave, si një prej sektorëve esencialë për ruajtjen e shëndetit publik, kanë nevojë të trajtohen me dinjitet, pagë dhe kushte më të mira të punës", thekson në fund PAMKOS.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 Mars 2021

- Mbahet seanca gjyqësore kundër të pandehurit I.L. për vepren penale 'Keqpërdorimi seksual i personave nën moshën gjashtëmbëdhjetë vjet'. (Gjykata Themelore në Ferizaj, ora 9:30)

- Kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti merr pjesë në aktivitetin “Shënimi i 8 Marsit- Dita Ndërkombëtare e Gruas”, me ç’rast do të bëhet edhe nënshkrimi i marrëveshjeve me përfitueset e bizneseve të vogla të Grave nga Programi i Rimëkëmbjes Ekonomike  2021 – Masa 4, Faza e dytë. (Ndërtesa e Qeverisë, ora 9:45)

- Qendra për Informim, Kritikë dhe Aksion organizon aksion simbolik për shënimin e Ditës Ndërkombëtare të Gruas. (Sheshi “Skënderbeu” në Prishtinë, ora 10:00)

- Oda e Mjekëve të Kosovës ndan mirënjohje për mjekët në pension dhe për institucionet shëndetësore të rajonit të Mitrovicës që kanë kontribuar në luftën kundër pandemisë COVID-19. (Spitali i Përgjithshëm Mitrovicë, ora 10:00)

- Lëvizja FOL organizon konferencë për media me ç’rast do të bëhet publikimi i raportit “Pasuria e (pa)ndarë - Posedimi i pasurisë nga zyrtaret politike dhe bashkëshortet e zyrtarëve politik”. (Zyrat e Lëvizjes FOL, ora 10:30)

- Sindikata e Punëtorëve të Lotarisë së Kosovës do të protestojë para ndërtesës së Qeverisë. (Ndërtesa e Qeverisë, ora 11:00)  

- Universiteti ''Kadri Zeka'' do të shënojë 8 vjetorin e themelimit! (Ambientet e Universitetit në Gjilan, ora 11:00)

- Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Gruas mbahet marshi “Marshojmë s’festojmë kundër patriarkatit që vret”,  (Nisja nga sheshi “Zahir Pajaziti”, ora 12:00)  

- Shoqata e Gastronomëve organizon marsh protestues në të cilin do të kërkojnë hapje totale për bizneset. (Sheshi “Zahir Pajaziti”, ora 14:00)

 

- Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mban mbledhjen e radhës. (Selia e KQZ-se, ora 14:00)

 

- Grupi I çiklizmit “Marakli t’Biciklave” për nder të ditës së gruas - 8 MARSI organizon eventin e radhës Marsho dhe çiklo që do të mbahet nëpër rrugët kryesore të kryeqytetit të Kosovës - Prishtinë. (Sheshi ''Zahir Pajaziti'' në Prishtinë, ora 14:00)

- OJQ “ETEA” dhe biblioteka “Hivzi Sulejmani” organizojnë bashkëbisedim me temën “Mësuesia ndër vite”. (Biblioteka “Hivzi Sulejmani” në lagjen Dardania, ora 16:00)

- Qendra e Artit dhe Komunitetit organizon mbrëmjen e poezisë “Poezi për Fuqi - çdo ditë është 8 mars”. (Teatrin Kombëtar në Prishtinë, ora 19:00)