22 Gusht 2019

Paga minimale i lë punëtorët nën pragun e varfërisë

Prishtinë, 19 shkurt - Paga minimale në Republikën e Kosovës duhet të rritet që t'i plotësojë nevojat e njeriut me jetu. Më e ulëta në rajon, ajo nuk e mbulon për së afërmi minimumin e nevojshëm për jetë dhe i lë punëtorët nën pragun e varfërisë.

Këto ishin disa nga kërkesat dhe përfundimet e përgjithshme kryesore të tryezës së organizuar sot në Prishtinë, nga ana e Partisë Socialdemokrate, për çështjen e pagës minimale.

Përfaqësues të pranishëm nga sindikatat e punëtorëve, odat ekonomike dhe shoqëria civile bashkëbiseduan në tryezën e titulluar "Pagë me jetu" disa ditë pas kërkesës së Grupit Parlamentar të PSD-së për Interpelancë ndaj Kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, për pagën minimale.

Panelistë të kësaj tryeze ishin nënkryetari dhe deputeti i PSD-së, z. Visar Ymeri; deputetja znj. Besa Baftiu dhe z.Artan Mustafa, ligjërues universitar dhe hulumtues në shkencat sociale.

Duke e rikujtuar faktin se paga minimale është sot 170 euro për të punësuarit mbi moshën 35 vjeçare dhe 130 euro për ata nën këtë moshë, Visar Ymeri paraqiti së pari gjendjen e rëndë të punëtorëve në sektorin privat të cilët janë lënë anash nga shteti, përderisa pagat në sektorin publik janë rritur tri herë që nga viti 2011.

Ai solli në vëmendje mungesën e statistikave relevante për ekonomitë familjare, gjë që e problematizon matjen e ndikimit që mund ta ketë rritja e pagës minimale, apo pasojat e shkaktuara nga ngecja e saj.

Ymeri u shpreh i bindur se rritja e pagës minimale, duke qenë se është ndërhyrje tek shtresa e punëtorëve që nuk ia dalin ta kapërcejnë muajin, do ta rriste konsumin dhe rrjedhimisht do ta shtonte edhe kërkesën agregate në ekonomi.

“Mbi 90% e vendeve të botës e përdorin pagën minimale si instrument, megjithëse ndryshojnë konceptimi, metodologjia dhe shkalla e saj. Është dëshmuar botërisht që paga minimale ka shumë efekte pozitive : rritja e saj e ulë pabarazinë në të ardhura dhe e rritë mirëqenien e gjithëmbarshme."

"Paga minimale është komponentë thelbësore e sistemit të mbrojtjes sociale të një vendi që ka për qëllim reduktimin e varfërisë dhe rritjen e drejtësisë sociale”, pohoi Visar Ymeri. Tutje ai foli lidhur me metodologjinë e përcaktimit të pagës minimale, duke specifikuar se në nivel botëror nuk ka ndonjë formulë unike që gjen pajtueshmëri në të gjitha shtetet, porse kriteret që merren për bazë mund të kategorizohen në “kritere të mirëqenies” dhe “kritere të ekonomisë dhe biznesit”.

Këtu ai shtoi se praktika më e pranuar për caktimin e pagës minimale është ajo e dialogut social midis punëmarrësit, punëdhënësit dhe institucionit publik (shtetit). Madje, Ymeri propozoi si model praktikat e Organizatës Botërore të Punës, që për caktimin e pagës minimale shqyrtojnë nevojat e punëtorëve dhe të familjeve të tyre, si dhe faktorët ekonomikë.

Kurse, deputetja Besa Baftiu e vuri theksin tek përjashtimi i gruas nga jeta shoqërore dhe ekonomike, përkatësisht shpërputhjen e plotë e të punësuarve në Kosovë me barazpeshën gjinore.

Ajo paraqiti statistikat sipas të cilave sot 80.7% të grave nuk kërkojnë punë, për shkak të gjasave të vogla që të punësohen, si dhe për shkak se edhe ato gra që janë të punësuara marrin paga shumë të ulëta.

“Duke qenë në pozitë të veshtirë ekonomike, me pagë të ulët dhe me kontratë të përkohshme, gratë nuk janë të lira dhe atyre iu cenohen të drejtat elementare të njeriut. Realisht, gratë në Kosovë janë të përjashtuara nga jeta ekonomike. Në këtë mënyrë ato janë të përjashtuara (joformalisht) nga jeta publike dhe politike”, theksoi Baftiu.

Gjatë debatit, përfaqësuesit nga sindikatat e vlerësuan të rëndësishëm diskutimin mbi pagën minimale, duke e paraqitur njëkohësisht gjendjen e rëndë të sektorit privat dhe neglizhencën institucionale për kërkesat e tyre.

Kalendari

Ngjarjet e datës 22 gusht 2019

- Mbahet seanca plenare e Kuvendit të Republikës së Kosovës në të cilën do të behët shqyrtimi i propozimit të Grupit të deputetëve për shpërndarjen e Legjislaturës së gjashtë të Kuvendit të Republikës së Kosovës. (Kuvendi i Kosovës, ora 10:00)

- Komuna e Prishtinës organizon vendosjen e pesë njësive shtesë të pemëve për pastrimin e ajrit në sheshin "Zahir Pajaziti" ku do të jetë prezent dhe Kryetari i Komunës, Shpend Ahmeti. (Sheshi i 'Zahir Pajazitit', ora 10:00)

 - Mbahet dita e tretë e Etnofestit në të cilën do të mbahet punëtoria kreative, instalacione me atelje te pikëtorëve dhe skulptorëve, punime artizanale, etj. (Ambientet e Etnofestit në fshatin Kukaj, ora 10:30)

- Kryetari i Komunës se Istogut, Haki Rugova do të organizojë dëgjimin me qytetarë për Draft Buxhetin Komunal për vitet 2020-2022. (Salla e Kuvendit Komunal në Istog, Kati III, ora 11:00) 

- Kryetari i Komunës së Prizrenit Mytaher Haskuka do të pret në takim anëtarin e Parlamentit Britanik, John Grogan ku pas takimit do të ketë edhe një konferencë të përbashkët për media. (Shtëpia e Bardhë në Prizren, ora 13:00)

- Aleanca Franceze e Prishtinës, Kino Armata dhe Termokiss organizojnë së bashku edicionin e parë të festivalit "Kino nshehër". (Termokis, ora 20:00)