04 Qershor 2020

Organizatat e biznesit mirëpresin pakon e propozuar të masave për sektorin privat

Prishtinë, 27 mars - Organizatat që përfaqësojnë interesat e sektorit privat, Oda Ekonomike e Kosovës, Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë, Oda Ekonomike Gjermano-Kosovare, Këshilli i Investitorëve Evropianë dhe Klubi i Prodhuesve të Kosovës, mirëpresin njoftimin e sotëm të Ministrisë së Financave dhe Transfereve për pakon e propozuar të masave preliminare në mbështetje të sektorit privat.

Në të njëjtën kohë, organizatat e sipërcekura kërkojnë sqarim konkret për sa i përket mekanizmave të implementimit të masave të propozuara të intervenimit.

Duke vlerësuar se masat e paralajmëruara sot adresojnë nevojat e menjëhershme të ndërmarrjeve të afektuara nga masat për parandalimin e përhapjes së pandemisë COVID-19, organizatat e biznesit shprehin besimin se Qeveria në detyrë do të hartojë një program gjithëpërfshirës likuiditeti i cili do të ndihmojë në rikuperimin nga pasojat me të cilat do të ballafaqohet sektorit privat edhe pas përfundimit të pandemisë COVID-19.

Në fund, odat ekonomike përsërisin zotimin e tyre për partneritet konstruktiv me Qeverinë në detyrë dhe institucionet e tjera të vendit me qëllim të minimizimit të ndikimit negativ në ekonominë e vendit, përmes mbijetesës së ndërmarrjeve private dhe ruajtjes së vendeve të punës, për të cilat vendi ka shumë nevojë.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 4 Qershor 2020

- Mbahet ceremonia e marrjes së detyrës nga Kryeministri i zgjedhur, Avdullah Hoti. (Ndërtesa e Qeverisë, ora 9:00)
   
- Kompanitë e auto-shkollave protestojnë për rifillimin e punës. (Para Ministrise se Infrastruktures, ish-pallati i Rilindjes, ora 10:00)

- Instituti i Kosovës për Drejtësi publikon raportin “Dështimi i gjykatave në mbushjen e Programit për Kompensimin e Viktimave të Krimit”. (Hotel “Sirius”, ora 10:30)
   
-  Mbahet seancë e Kuvendit në të cilën pritet të formohet Komisioni Hetimor Parlamentar për menaxhimin e pandemisë së virusit “COVID-19” nga ana e Qeverisë së Kosovës. (Kuvendi i Kosovës, ora 11:00)

- Në kuadër të Javës së Gjelbër, Komuna e Prishtinës do të organizojë mbjelljen e drunjëve në lagjen Lakrishte. (Lagja Lakrishte në Prishtinë, ora 11:00)

- Këshilli iniciues i punëtorëve të Korporatës Energjetike të Kosovës organizon protestë para mensës së Termocentralit Kosova B. (Termocentrali Kosova B, Obiliq, ora 12:00)