18 Tetor 2018

Normat e interesit në kredi vazhduan trendin rënës

Prishtinë, 14 qershor - Banka Qendrore e Republikës së Kosovës ka publikuar Raportin Vjetor për vitin 2017, në të cilin gërshetohen të gjitha zhvillimet në sektorët që janë pjesë e përgjegjësive të BQK-së.

Raporti Vjetor i BQK-së për vitin 2017, ashtu siç kërkohet me Ligjin mbi Bankën Qendrore, paraqet një pasqyrë të zhvillimeve ekonomike dhe financiare, si dhe të aktivitetit të BQK-së gjatë vitit 2017, ku vërehet qartë se BQK-ja me sukses ka arritur që të realizoj objektivat e saj ligjore.

Raporti fillimisht ofron një përmbledhje të zhvillimeve kryesore ekonomike dhe financiare në ekonominë e Eurozonës dhe të Evropës Juglindore, për të vazhduar pastaj me zhvillimet në ekonominë e Kosovës. Rritja ekonomikë në Kosovë në vitin 2017 vlerësohet të ketë qenë 3.7, kurse, për vitin 2018 parashikimet e BQK-së sugjerojnë se norma reale e rritjes së BPV-së pritet të jetë në intervalin prej 4.2% deri në 4.4%.

Në vitin 2017, sistemi financiar u karakterizua me rritje të aktivitetit, ku vlen theksohet në veçanti rritja e kreditimit bankar me një normë vjetore prej 11.5 përqind.

Gjithashtu, zhvillim shumë të rëndësishëm për sektorin bankar paraqet edhe rënia e mëtejme e kredive joperformuese, të cilat zbritën në 3.1 përqind, një nivel dukshëm më i ulët krahasuar me vendet tjera të rajonit.

Normat e interesit në kredi vazhduan trendin rënës, duke kontribuar kështu në përmirësimin e mëtejmë të kushteve për qasje në financim bankar.

Norma mesatare e interesit në kredi në fund të vitit 2017 ishte 6.8 përqind, në krahasim me normën prej 7.2 përqind të regjistruar në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

Rëndësi të veçantë ka edhe përmirësimi i performancës së sektorit të sigurimeve, të cilat pas një periudhe të gjatë të brishtësive financiare, arritën ta përmirësojnë performancën dhe të shënojnë një profit neto në vlerë prej 6.4 milionë euro.

Ky përmirësim i performancës reflekton suksesin e masave rregullatore dhe mbikëqyrëse të BQK-së për sanimin e performancës së këtij sektori. Sektori mikrofinanciar shënoi rritje të aktivitetit kredidhënës, ndërsa vlera e gjithsej aseteve arriti në 193.5 milionë euro, që paraqet një rritje vjetore të theksuar prej 29.4 përqind.

Fondet pensionale u karakterizuan me një performancë pozitive në vitin 2017, ku vlera e përgjithshme e aseteve arriti në 1.65 miliard euro, një rritje e theksuar e aseteve prej 16.0 përqind, kurse dyfishoi kthimin në investime duke arritur në 103.1 milionë euro në vitin 2017.

Në funksion të mbajtjes së një sistemi bankar stabil, BQK-ja gjatë vitit 2017 ka bërë ekzaminimet e bankave komerciale konform planit të paraparë, ku në përputhje me praktikat ndërkombëtare në fushën përkatëse, vëmendje e veçantë i është kushtuar rrezikut kreditor, rrezikut të likuiditetit, rrezikut të tregut dhe rreziqeve tjera, duke u bazuar në qasjen e mbikëqyrjes së bazuar në rrezik.

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës, një vëmendje të madhe i ka kushtuar mbrojtjes së shfrytëzuesve të shërbimeve financiare.

Gjatë vitit të kaluar, në BQK janë shqyrtuar 602 ankesa të shfrytëzuesve të shërbimeve financiare (persona fizikë dhe juridikë), ku 335 ankesa kanë qenë të deponuara për banka, IMF, IFJB dhe fonde pensionale, përderisa 267 ankesa kanë qenë të deponuara për kompanitë e sigurimeve.

Gjatë vitit 2017, një rëndësi të madhe BQK-ja i ka kushtuar adaptimit të Kornizës Bazel për Kapital, Ligjit për Institucionet Mikrofinanciare dhe Institucionet Financiare Jobankare, Ligjit të ri për Mbrojtjen e Konsumatorit, Plotësimit të kornizës rregullative për mbikëqyrjen e siguruesve, Plotësimit të kornizës rregullative për mbikëqyrjen e fondeve pensionale dhe mbështetjes ligjore dhe rregullative të shtyllës së Mbikëqyrjes Financiare.

BQK-ja ka vazhduar të përfitojë nga asistenca teknike gjatë vitit 2017, e ofruar nga institucionet financiare ndërkombëtare dhe donatoret e ndryshëm si me projektet ekzistuese, po ashtu edhe me iniciativa të reja. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 19 tetor 2018 - Kryeministri Ramush Haradinaj merr pjesë në mbledhjen e Qeverisë së Republikës së Kosovës. (Ndërtesa e Qeverisë, ora 9:00)

- Organizohet aksion pastrimi në Fushë Kosovë, përkatësisht në lagjen “028” me shumicë rome. (Lagja “028” në Fushë Kosovë, ora 10:00)

- Instituti i Kosovës për Drejtësi organizon tryezën "Parandalimi dhe luftimi i krimeve në zgjedhje: Procedurat Standarde të Veprimit përgjigja e duhur për krimet para, gjatë dhe pas ditës së votimit". (Hotelin Sirius, ora 10:00)

- Ministri i Punës, Skender Reqica, Ministri i MASHT-it, Shyqiri Bytyçi, Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili dhe Organizata Forumi Kosovar i Aftësisë së Kufizuar raportojn para Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticione lidhur me zbatimin e Strategjisë Nacionale për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuar në Republikën e Kosovës 2013 - 2023. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N 302, ora 10:00)

- Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri së bashku me kryetarin e Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, marrin pjesë  në tryezën e diskutimit në kuadër të kampanjës ‘’Drejtësia dhe Biznesi‘’. (Ndërtesa e OEK-ut, ora 10:00)

- Kryetari i Suharekës pret në takim përfaqësuesit e Ministrisë se Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe përfaqësues rezident te Agjencisë Japoneze për Bashkëpunim Ndërkombëtar. (Zyra e krytarit te Suharekës, ora 10:00)

- Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), ju fton të përcillni konferencën për media lidhur me funksionimin e punës së Kuvendit të Republikës së Kosovës. (Zyrat e KDI-së, ora 10:00)

- Grupi për Studime Juridike dhe Politike organizon tryezën e diskutimit me temë “E kaluara, e tashmja dhe e ardhmja: Dialogu Kosove-Serbi dhe mesimet që lidershipi i Kosovës duhet të përseris”. (Hotelin Swiss Diamond, ora 10:30)

- Ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Kujtim Gashi raporton para Komisionit për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini, Sporte, Inovacion dhe Ndërmarrësi lidhur me sfidat dhe prioritetet e Ministrisë. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N 303, ora 11:00)

- Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, pret në takim Shoqatën e Gazetarëve dhe përfaqësuesit e shoqërisë civile të Luginës së Preshevës. (Kabineti i Presidentit, ora 11:00)

- Komuna e Suharekës dhe Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor organizojnë ceremoninë e inaugurimit të Projektit Përcjellës - Promovimi i Iniciativës SATOYAMA për Ruajtjen e Biodiversitetit dhe Zhvillimin Rural nëpërmjet Menaxhimit të Qëndrueshëm të Burimeve Natyrore. (Sheshi kryesor në fshatin Mushtisht, ora 11:00)

- Kryeministri Ramush Haradinaj merr pjesë në Kongresin e parë Ndërkombëtar të Odës së Fizioterapeutëve të Kosovës. (Hoteli Emerald, ora 12:00)

- Kryeministri Ramush Haradinaj vizitë pune në Ministrinë e Punëve të Brendshme. (Ndërtesa e Ministrisë së Punëve të Brendshme, ora 13:00)

- Mbahet ceremonia e hapjes së ekspozitës "Aga Khan Award for Architecture". (Hapësirat e Muzeut të Kosovës, ora 14:00)

- Mbahet ceremonia e hapjes së edicionit të parë të Festivalit Ballkanik të pjekjes dhe promovimit të rakisë, 'Rakia Fest'. (Hapësirat e Etnokompleksit të fshatit Kukaj, Komuna e Prishtinës, ora 15:00)

- Zëvendëskryeministri i Parë dhe Ministri i Jashtëm, Behgjet Pacolli, do të pres në takim Ministrin e Jashtëm të Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu. (Ndërtesa e Ministrisë se Punëve të Jashtme, ora 17:15 - konferencë e përbashkët për media, ora 17:55)

 - Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, pret në takim Ministrin e Punëve të Jashtme të Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu. (Kabineti i Presidentit, ora 18:30)