13 Nëntor 2018

Norma e rritjes ekonomike do të luhatet në intervalin 4.2 deri në 4.4 për qind

Prishtinë, 14 shtator - Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, Fehmi Mehmeti ka prezantuar para deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës Raportin Vjetor të vitit 2017.

Guvernatori Mehmeti ka thënë se gjatë vitit 2017 BQK-ja ka arritur që me sukses t’i realizojë objektivat e saj ligjore, duke siguruar një sistem financiar të qëndrueshëm dhe në shërbim të zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik të vendit.

“Gjatë këtij viti, BQK-ja ka vazhduar t’i avancojë kapacitetet e saj institucionale në të gjitha sferat e fushëveprimit të saj. Vëmendje e veçantë i është kushtuar edhe ofrimit të shërbimeve efikase për autoritetet publike, institucionet financiare dhe publikun në përgjithësi."

"Performanca e favorshme e ekonomisë së eurozonës kishte ndikim pozitiv në ekonomitë e Ballkanit Perëndimor, duke u manifestuar me përmirësim të pozicionit të neto eksporteve si dhe rritje të investimeve të huaja direkte, të cilat dhanë kontribut të rëndësishëm në vazhdimin e rritjes së këtyre ekonomive”, ka deklaruar Mehmeti.

Guvernatori Mehmeti ka thënë se sistemi financiar po vazhdon të rritet me ritëm të qëndrueshëm, duke përfaqësuar një nga komponentët më të rëndësishëm të zhvillimit dhe njëkohësisht stabilitetit të ekonomisë së vendit.

“Aktiviteti kreditor i sektorit bankar ka vazhduar të karakterizohet me ritëm të përshpejtuar të rritjes, si rezultat i përmirësimit të kushteve të kreditimit nga ana e bankave dhe rritjes së kërkesës për kredi nga ndërmarrjet dhe ekonomitë familjare. Në vitin 2017, vlera e gjithsej kredive arriti në 2.5 miliardë euro, që paraqet një rritje vjetore prej 11.5 përqind."

"Gjatë vitit 2017, kreditimi i të gjithë sektorëve të ekonomisë shënoi rritje, ku vlen të theksohet veçanërisht rritja e kredive për sektorin e ndërtimit, bujqësisë dhe prodhimit (26.1 përqind, 13.4 përqind dhe 9.3 përqind respektivisht). Zvogëlimi i theksuar i normave të interesit në kredi nga ana e bankave që po ndodhë në dy vitet e fundit paraqet një zhvillim shumë të rëndësishëm për lehtësimin e qasjes në financa edhe për këta sektorë”, ka deklaruar Guvernatori Mehmeti duke shtuar se rol të rëndësishëm po luan edhe Fondi Kosovar për Garanci Kreditore, shfrytëzimi i të cilit ka shënuar trend të vazhdueshëm të rritjes dhe ka kaluar vlerën mbi 30 milionë euro në fund të vitit 2017.

Guvernatori Mehemti ka përmendur edhe zhvillimin pozitiv në uljen e normës së interesit në kredi, që për një kohë të gjatë ishin konsideruar si njëra ndër pengesat kryesore për zhvillimin e biznesit.

“Në vitin 2017 vazhduan të shënojnë rënie duke zbritur në nivel me mesataren e vendeve të tjera të rajonit, ndërsa në fund të vitit, norma mesatare e interesit në kredi ishte 6.8 përqind, krahasuar me normën prej 7.2 përqind sa ishte në vitin paraprak. Zvogëlimi i kostos së financimit kreditor është ndikuar edhe nga norma e interesit në depozita, e cila në vitin 2017 ishte 1.3 përqind, ndërsa vlera e gjithsej depozitave në sektorin bankar arriti në 3.1 miliard euro, që paraqet një rritje vjetore prej 6.8 përqind."

"Norma e kredive joperformuese ndaj gjithsej kredive gjatë këtij viti zbriti në 3.1 përqind krahasuar me normën prej 4.9 përqind sa ishte në vitin 2016. Sistemi pensional shënoi rritje të arkëtimeve të kontributeve pensionale dhe regjistroi kthim pozitiv nga investimet, ku vlera e përgjithshme e aseteve të sektorit pensional arriti në 1.65 miliard euro, me një rritje prej 16.0 përqind.

Sa i përket sektorit të sigurimeve, vlera e gjithsej primeve të shkruara në vitin 2017 shënoi një rritje vjetore prej 3.9 përqind, përderisa në të njëjtën periudhë, gjithsej dëmet e paguara nga kompanitë e sigurimeve dhe Byroja Kosovare e Sigurimit shënuan një rritje vjetore prej 17.8 përqind. Sektori mikrofinanciar dhe financiar jobankar vazhdoi të shërbejë si burim i rendësishëm i financimit, sidomos për ndërmarrjet e vogla dhe ekonomitë familjare, ku në vitin 2017, vlera e gjithsej kredive të këtij sektori arriti në 143.9 milionë euro, që përkon me një rritje të theksuar vjetore prej 32.1 përqind”.

Guvernatori Mehemti ka përmendur edhe punën e vazhdueshme të BQK-së në avancimin e legjislacionit sekondar dhe në harmonizimin e këtij legjislacioni me direktivat BE-së, dhe me standardet ndërkombëtare.

Për vitin 2018, parashikimet e BQK-së sugjerojnë se norma reale e rritjes ekonomike do të luhatet në intervalin 4.2 deri në 4.4 përqind.

Bartës kryesor i rritjes pritet të jenë investimet, të cilat parashihet të shënojnë rritje reale prej 10.1 përqind, bazuar në parashikimet për rritje të investimeve publike (25.8 përqind) dhe të investimeve private (5.0 përqind), nërsa kontribut të rëndësishëm në rritjen e investimeve pritet të ketë rritja e kreditimit bankar.

Nga ana tjetër, deputetë të Kuvendit të Kosovës, kanë thënë se Raporti Vjetor i vitit 2017 është në harmoni me Ligjin për BQK-në dhe i njëjti ofron të gjitha të dhënat për gjendjen ekonomike në përgjithësi duke përfshirë edhe institucionet financiare që i ka nën mbikqyrje.

Sipas tyre, raporti duhet të jetë edhe një udhërrëfyes i mirë për qeverinë për hartimin e politikave zhvillimore, përfshirë edhe proceset buxhetore.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 13 nëntor 2018 - Mbahet seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit të Republikës së Kosovës në të cilën do të behët shqyrtimi dhe miratimi i pakës së ligjeve për sundim të ligjit dhe agjendën integruese evropiane. (Kuvendi i Kosovës, ora 10:00)

- Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, raporton para Komisionit për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Mjedis e Planifikim Hapësinor lidhur me gjendjen e mjedisit në Kosovë. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N 302, ora 10:00)

- Ta Pastrojmë Kosovën do të organizoj aksion pastrimi në Mitrovicë, në lagjen rome, afër stadiumit “Riza Lushta”, përkatësisht  te rruga “Adem Voca”. (Mitrovicë, ora 10:00)

- Misioni i OSBE-së në Kosovë, komuna e Obiliqit përurojnë mekanizmin koordinues kundër dhunës në familje. (Restorant Amazona, ora 10:00)

- Mbahet debati publik me temën “Narkomania dhe alkoholizmi në Kosovë - si të luftohet kundër veseve që po i shkatërrojnë të rinjtë?". (Qendra Mediale në Çagllavicë, ora 11:00)

- Këshilli për Mbrojtjen e Konsumatorit mban konferencë për media më temë "Të gjithë bashkë kundër dëmeve që vijnë nga Serbia". (Holli i Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, ora 11:00)

- Komuna e Gjilanit bëb prezantimin e projektit “Të rinjtë në Agrobiznes - Regjioni Ekonomik Lindor”. (Shtëpia e Rinisë, ora 11:00)

- Mbahet mbledhja e Komisionit për Integrime Evropiane në të cilën do të behët shqyrtimi Projekt-kodit Penal nga aspekti i përputhshmërisë me legjislacionin e BE-së, shqyrtimi i Projektligjit për përgjegjësinë disiplinore të gjyqtarëve dhe prokurorëve nga aspekti i përputhshmërisë me legjislacionin e BE-së dhe shqyrtimi i Projektligjit për dhënien në shfrytëzim dhe këmbim të pronës së paluajtshme të komunës, nga aspekti i përputhshmërisë me legjislacionin e BE-së. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N204, ora 11:00)

- Lëvizja Vetëvendosje mban konferencë për media. (Oborri i Postës dhe Telekomit të Kosovës, ora 12:00)

- Mbahet mbledhja e rregullt e Qeverisë së Republikës së Kosovës. (Ndërtesa e Qeverisë, ora 14:00)