19 Prill 2024

Nesër dihet nëse Kosova merr kredinë nga Banka Botërore

Prishtinë, 7 qershor - Autoritetet vendore deri nesër duhet t’i japin një përgjigje Bankës Botërore rreth marrëveshjes për grant dhe kredi në vlerë prej 20 milionë e 200 mijë dollarësh.

Kuvendi i Kosovës dy herë radhazi nuk arriti ta ratifikojë marrëveshjen me Bankën Botërore për grant dhe kredi në vlerë mbi 20.2 milionë dollarë për modernizimin e kadastrit dhe administratës publike.

Ministri i Ekonomisë dhe Financave, Ahmet Shala, thotë se pavarësisht ankesave të deputetëve për mosinformim apo ndonjë çështje tjetër teknike, në asnjë mënyrë nuk do duhej të cenohej relacioni i ngritur me Bankën Botërore. Megjithatë, ai shfaqi shpresën se kjo marrëveshje do të ratifikohet.

“Unë jam optimist se para skadimit të afatit me BB-në, që është 7-8 qershori, ne do duhej t’i dërgonim BB-së një mesazh pozitiv. Në qoftë se ndodh e kundërta, në të vërtet relacionet e Kosovës me Bankën Botërore nuk do të jenë në nivelin që do duhej ta kishim”, thotë Shala.

Ministri Shala tha se nëse nuk ratifikohet tani, atëherë autoritetet vendore do të zhvillojnë bisedime shtesë me zyrtarët e Bankës Botërore, në mënyrë që këtë marrëveshje ta rinegociojë në shtator.

Nga ana tjetër, kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu vlerëson se refuzimi apo mosratifikimi i kësaj marrëveshjeje nga Kuvendi i Kosovës është anomali, duke marrë parasysh se ajo i hap rrugë Kosovës të përfitojë edhe rreth 200 milionë dollarë tjera, ndihmë për buxhetin e Kosovës.

“Çdo formë e partneritetit me faktorin ndërkombëtar është një proces, dhe pasi faktori ndërkombëtar ka kriteret e veta dhe përmbushja e çdo kriteri është një formë e indeksit zinxhirorë, që e avancon investimin tjetër dhe të humben 200 milionë për 10 apo 20 milionë nuk e shoh të arsyeshme dhe nuk mund të justifikohet me asgjë”, theksoi Gërxhaliu.

Ndërkaq, njohësi i çështjeve ekonomike, Isa Mulaj, thotë se me refuzim të tillë Kosova përcjell porosi negative. Megjithatë, sipas tij, në raste të tilla, do duhej të ekzistonte një transparencë më e madhe dhe një qartësim detaj se për çfarë do të përdorej kredia apo donacioni eventual, për shkak se ka pasur shumë keqpërdorime në të kaluarën.

“Përshtypja e parë është se ne përcjellim një mesazh jo të hijshëm, për shkak se jemi vend shumë i varfër dhe na ka mbërthyer fuqishëm kriza financiare dhe të dalim me vendime që po refuzojmë madje edhe grante nuk është e mirë. Mirëpo, kur hyjmë më në detaje, atëherë e vërejmë se në të ardhmen duhet një informim dhe transparencë më e madhe”, ka thënë Mulaj.

Nga shuma e përgjithshme e kësaj marrëveshjeje prej 20. 2 milionë dollarëve, 9.1 milionë janë grant, kurse 11.1 milionë dollarë janë kredi e butë. Projekti i parë në vlerë 12.2 milionë dollarë ka të bëjë me Regjistrimin e Pronave te patundshme dhe Kadastrën. Kurse projekti i dytë, në vlerë 8 milionë dollarë ka të bëjë me modernizimin e sektorit publik të Kosovës.

/rtk/

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)