27 Janar 2020

Në tendere, institucione vendosin kritere për të eliminuar konkurrencën

Prishtinë, 12 dhjetor - KDI, D+ dhe INPO, si pjesë e Koalicionit të Organizatave Jo-Qeveritare (OJQ) për Javën Kundër Korrupsion 2019, të enjten, kanë mbajtur tryezën e diskutimit: “Sinjalizuesit në luftën kundër korrupsionit në prokurim publik”.

Në këtë tryezë u prezantuan të gjetura lidhur me shkeljet e përsëritura në prokurim publik, roli i bizneseve në luftën kundër korrupsionit në këtë sektor, roli i sinjalizuesve në ekspozimin e korrupsionit në prokurim publik si dhe roli dhe vendimet e Organit Shqyrtues të Prokurimit i cili vendosë se ku shkojnë milionat në prokurim publik.

Vedat Poterqoi nga INPO, prezantoi shkeljet në prokurim publik në komunat e Kosovës. Ai tha së asnjë zyrtar i prokurimit publik nuk është dënuar me formë të aktgjykimit të prerë në vitin 2018.

Diana Metushi Krasniqi nga KDI prezantoi disa raste konkrete ku sinjalizuesit nga sektori biznesit kanë ndihmuar në ekspozimin e korrupsionit në prokurim publik. Ajo potencoi nevojën e rritjes së integritetit në biznes kundër kësaj dukurie me qëllim të përfitimeve për të gjithë qytetarët.

Ndërsa, Agon Hysaj nga D+ ngriti shqetësimet lidhur me vendimet e OSHP-së. Ai potencoi se ky organ është përgjegjës për shpenzimet e rreth 300 milionë eurove përmes prokurimit publik dhe se me vendimet e tyre janë identifikuar shkelje ligjore apo amnistim i veprave penale nga bizneset e papërgjegjshme.

Më tutje, Osman Vishaj nga KRPP potencoi të mira që ka sjellë implementimi i eProkurimit në Kosovë dhe nevojën e rritjes së bashkëpunimit ndërinstitucional. Sa i përket shkeljeve të ligjit të prokurimit nga zyrtarët publik, KRPP do të fillojë të zbatojë masa ndëshkuese, përfshirë marrjen e licencës.

Zejnullah Gashi nga Këshilli Prokurorial i Kosovës theksoi se vetëm gjatë nëntë muajve të parë të vitit 2019 janë dërguar 279 raste në prokurori që kanë lidhje me korrupsion dhe shkalla e zgjidhjes së këtyre rasteve është 94%.

Nga Drejtoria për Krime Ekonomike pranë Policisë së Kosovës, Bashkim Spahiu tha se Policia ka hetuar tri raste që kanë lidhje direkte me korrupsionin në prokurim publik, nga të cilat kanë rezultuar tri kallëzime penale për nëntë zyrtarë publik në mesin e tyre edhe një anëtar i OSHP-së.

Nga Agjencia Anti-Korrupsion, Blerim Kelmendi prezantoi përgatitjet institucionale për mbrojtjen e sinjalizuesve dhe theksoi nevojën urgjente për hartimin e rregullores për sinjalizim të brendshëm.

Agim Sheqiri, nga OSHP theksoi se ka probleme si nga ana institucioneve publike e me theks të veçantë në kriteret tenderuese ku shumë institucione vendosin kritere për të eliminuar konkurrencën.

Panelistët dhe pjesëmarrësit u pajtuan se mungon një bashkëpunim ndërinstitucional, ende nuk ka luftim të mirëfilltë të korrupsionit dhe mbështetje të sinjalizuesve dhe se llogaridhënia, respektivisht dënimet për shkelje në prokurim publik, duhet të jenë prioriteti kryesor i të gjitha institucioneve të drejtësisë pasi përmes prokurimit shpenzohet rreth 30% e parasë publike.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 27 janar 2020  - Oda Ekonomike e Kosovës dhe Shoqata e Zejtarëve dhe Afaristëve ESNAF nga Prizreni organizojn takim për mundësitë e bashkëpunimit në përkrahje të sektorit privat. (Objekti i Odës Ekonomike të Kosovës, ora 10:00)

- Kuvendi Komunal i Prizrenit do të mbajë mbledhjen e jashtëzakonshme të thirrur nga kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka. (Salla e Kuvendit në Shtëpinë e Bardhë, ora 10:00)

- Kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj bashkë me kabinetin qeveritar, bëjnë homazhe te obelisku i Hebrenjve, në shënimin e Ditës Ndërkombëtare të Përkujtimit të Holokaustit. (Oborri i Qeverisë së Kosovës, ora 11:00)

- Plaformë e Grupit për Studime Juridike dhe Politike organizon konferencën për media me temë “Sfidat në sundimin e ligjit në Kosovë: Performanca e sistemit gjyqësor dhe prokurorial dhe vlerësimi qytetarë ndaj këtyre institucioneve”. (Qendra e Konferencave Orion, ora 11:00)

-  Universiteti i Gjakovës "Fehmi Agani" organizon manifestimin e kushtuar Ditës Ndërkombëtare të Përkujtimit të Holokaustit. (Hapësirat e Fakultetit të Edukimit -Filologjisë, Gjakovë, ora 11:00)

-  Misioni i OSBE-së dhe Bashkësia Hebraike e Kosovës do të shënojnë Ditën Ndërkombëtare të Kujtimit të Holokaustit. (Dokukino në Kompleksin Europa në Prizren, ora 12:30)

- Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, merr pjesë në shënimin e Ditës Përkujtimore të Holokaustit. (DokuKino, Kompleksi Europa në Prizren, ora 12:30)

- Rinia Demokratike e Kosovës shënon 20 vjetorin e themelimit. (Menza "Ramiz Sadiku", Prishtinë, ora 18:30)

- Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, në bashkëpunim me Qendrën Kinematografike të Kosovës dhe AS Film, për nder të Ditës Përkujtimore të Holokaustit, do të organizojnë shfaqjen e filmit dokumentar “Përqafimi i fatit”, me regji të Jakov Sedlar. (Teatri Kombëtar i Kosovës, ora 19:00)