24 Prill 2024

Në 2009-n Shqipëria më e varfra në Evropë

Bruksel, 24 qershor - Pavarësisht rritjes ekonomike më të lartë në rajon dhe BE, Shqipëria renditet e fundit në listën e Eurostat sa i takon fuqisë blerëse, duke u konsideruar shteti më i varfër në Evropë.

Në një vlerësim krahasimor të Prodhimit të Brendshëm Bruto (GDP) për frymë për vitin 2009, të shprehur sipas “Standardit të Fuqisë Blerëse”, Shqipëria kap fundin e listës të përbërë nga 37 vende, mes të cilave mungon vetëm Kosova.

Shqipëria nuk mund të krahasohet as me vendet fqinje si Maqedonia, Bosnja apo Mali i Zi, shtete këto tepër të vogla në raport me Shqipërinë, e cila në fakt, ka pasur rritjen ekonomike më të lartë.

“Standardi i Fuqisë Blerëse”, është njësia e përbashkët monetare fiktive europiane, e cila eliminon kursin e këmbimit dhe dallimet e çmimeve nga njëri vend në tjetrin për t'i krahasuar ato. Në një mesatare europiane të rrumbullakosur në shifrën 100, Shqipëria shënon vetëm 27 për qind, duke mos lënë asnjë vend pas saj. Bosnja renditet më lart, me 30 për qind, Maqedonia shënon 35, Serbia 37, ndërsa Mali i Zi regjistron 43 për qind të GDP-së për frymë krahasuar me mesataren e 27 vendeve europiane.

Për të dalluar qartë nivelin e jetesës, ekspertët e Eurostat marrin si nivel mirëqenieje mesataren europiane te 15 vendet e vjetra të Unionit, që kryesohen nga Luksemburgu me 268 për qind. Vendi tjetër fqinj, anëtar i BE-së, Greqia, ndodhet nën këtë mesatare me 95 për qind dhe ndiqet nga vendet e Europës Qendrore dhe lindore që u anëtarësuan më vonë në familjen europiane, ku dy anëtarët më të reja Rumania e Bullgaria rezultojnë me përkatësisht 45 dhe 41 për qind.

Ndoshta për shkak të mungesës së Kosovës, për të cilën nuk paraqiten shifra, vendi i fundit në listë është Shqipëria, me një diferencë prej 73 pikësh nën mesataren europiane sipas "Standardit të Fuqisë Blerëse", i cili paraqet në një pozicion me të mirë ekonomitë e varfra, krahasuar me atë të monedhës së standardizuar.

Përveç vendeve të Bashkimit Europian dhe Ballkanit, vlerësimi i Zyrës Evropiane të Statistikave ka përfshirë dhe Zvicrën, Norvegjinë e Islandën. Vlerësimi përfundimtar i Eurostat do të publikohet në dhjetor të këtij viti.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)